Shifrat e rreme për votuesit serb, kundër shtetësisë së Kosovës

Politika

Shifrat e rreme për votuesit serb, kundër shtetësisë së Kosovës

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 5 prill 2021 Në ora: 13:20
Seanca për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet

Të premten e 2 marsit, pati zhvillime të shumta politike. Sjellja në Kuvend e projektligjit për zgjedhjet, bëri që të ketë reagime e pakënaqësi të shumta nga ana e opozitës.

Përmes ndryshimit të Ligjit për Zgjedhjet, do tu mundësohej qytetarëve të Kosovës që jetojnë në diasporë, që në zgjedhjet e ardhshme të votojnë në Ambasada e Konsullata dhe jo përmes postës, siç kanë vepruar deri tani.

Opozita e kundërshtoi këtë, duke thënë se për këtë duhet diskutim i thellë në mes saj dhe pozitës dhe se nuk mund të ndryshohet ky ligj në mbrëmje në një periudhë të shkurtër kohore.

Kështu, ndryshimi i ligjit nuk arriti të bëhej, pasi deputetët votuan kundër dhe nuk ishin votat e mjaftueshme.

Një ditë më pas, Qeveria vendosi që të tërhiqej nga ideja e ndryshimit të këtij ligji, derisa u pajtua që ligji të ndryshohet në një tjetër kohë, pas konsultimeve me partitë opozitare.

Përtej kësaj, pati reagime të tillë se me këtë ligj do tu mundësohet 350 mijë serbëve që të votojnë. Një lajm i tillë doli dhe natyrisht që reagimet priteshin.

Por, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka thënë se ky është lajm i rremë dhe se nuk ka aq serb që të votojnë në zgjedhjet e Kosovës.

“Pasi kaloi histeria dhe iniciativa kot e VV lidhur me ligjin për zgjedhjet, duhet sqaruar dhe demantuar edhe lajmet FAKE se me këtë ligj iu mundësohet 350 mijë serbëve në Serbi të votojnë. Në skenarin më të mirë, në vitin 1999 në Kosovë kanë jetuar 170 mijë serbë, prej tyre sot në Kosovë jetojnë 70 mijë. 20 deri 30 mijë kanë qenë kolonë nga Bosna dhe Kroacia. Me siguri 20 deri 30 mijë kanë vdekur në 21 vite. Me logjikën se në zgjedhjet e fundit kanë votuar 45 mijë serb në Kosovë dhe me vota të ardhur nga Serbia, maksimumi që serbët mund të votojnë në Kosovë dhe Serbi me këta numra, mund të jenë 65 deri 70 mijë. Për inate politike dhe partiake të brendshme mos të kalkulojmë dhe shpërndajmë informata të rrejshme që shkojnë kundër shtetësisë së Kosovës”, ka shkruar ai në Facebook.

Krasniqi: Ligji për zgjedhje që u mundësohet votimi 350 mijë serbëve është gënjeshtër

Image
Islam Krasniqi

Lidhur me këtë, analisti Islam Krasniqi ka thënë se raportimi lidhur me këtë është gënjeshtër nga mediat të cilat janë të varura nga partitë politike.

Sipas Krasniqit, të drejtë vote kanë vetëm ata të cilët posedojnë dokumente të Republikës së Kosovës, prandaj duhet të plotësohet ligji, në mënyrë që t’iu mundësohet votimi edhe atyre që jetojnë jashtë Kosovës.

“Disa media të varura të cilat financohen dhe ju shërbejnë partive politike raportuan se më votimin e Ligjit për zgjedhje u mundësohet 350 mijë serbëve që të votojnë në Kosovë, gjë që është vetëm një gënjeshtër, sepse nuk e dinë së ku i gjetën ata 350 mijë serbë, sipas tyre ndoshta mund të votojnë edhe 7 milionë pasi që lajmet e tyre i kanë FAKE. Mos të harrojmë të cekim se Ligji për zgjedhje është një ndër të drejtat themelore të njeriut, të garantuar me Kushtetutë dhe Konventa Ndërkombëtare, saktësisht Konventa Ndërkombëtare e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, e cila të drejtën për zgjedhje dhe për t'u zgjedhur e parasheh si një të drejtë thelbësore dhe kryesore të garantuar të njeriut, e cili është dashur të përmirësohet dhe plotësohet shumë vite më parë, e jo të bëhet zhurmë pa nevojë, kur e dimë së mbi 120 mijë vota të mërgatës u anuluan, e që mbi 5 milionë euro u shpenzuan kot për posta, të cilat u dogjën. Pas luftës në Kosovë kanë qenë rreth 100 mijë serbë ku një pjesë e tyre kanë qenë kolonë nga Bosna dhe Kroacia dhe mbi të gjitha të drejtë vote kanë vetëm ata që posedojnë dokumente të Republikës së Kosovës. Andaj ky Ligj duhet të plotësohet që t'u sigurohet dhe lehtësohet të gjithë qytetarëve të republikës së Kosovës që janë jashtë vendit të votojnë apo të votohen”, ka deklaruar Islam Krasniqi për “Bota sot”.

Të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës kanë të drejtë vote

Image
Muhamet Kelmendi

Ndërsa, juristi dhe profesori Muhamet Kelmendi, ka thënë se diaspora duhet të votojë, por bazë kryesore është që të jenë shtetas të Kosovës, por a janë të komuniteteve të tjera, mbetet që organet kompetente t’i vërtetojnë veç e veç.

“Diaspora duhet të votojnë, sa janë dhe si do të votojnë nga diaspora shtetasit e Kosovës është një çështje që mbetet për tu shikuar dhe natyrisht se atëherë edhe dihen sa janë votues me status të shtetasit. Paraprakisht duhet thënë se jo çdo njeri që gjendet jashtë Kosovës në ndryshimet që duhet bërë në ligj për të mundësuar votimin në Kosovë e fiton atë të drejtë. Baza kryesore për të votuar është që votuesi të jetë shtetas i Republikës së Kosovës. Pa e pasur këtë status askush jashtë Kosovës sigurisht nuk ka të drejtë votimi. E sa janë shqiptar, serbë, romë, turq, ashkali, boshnjak e ku ta di se çka ka më shtetas të Kosovës jashtë vendit, kjo mbetet nga organet kompetente të Kosovës të vërtetojnë veç e veç. Mirëpo e përbashkëta është kudo statusi i shtetasit të Republikës së Kosovës. Dhe, në këtë anë nuk ka fare dilema në ligjin e tillë. Nuk ka subjekt politik dhe qytetar i Kosovës që nuk është për të drejtën e diasporës në votim nëpër përfaqësitë e Republikës”, ka theksuar Kelmendi.

Më tej Kelmendi ka thënë se Kosovës i duhet një reformë e detajuar zgjedhore, gjë që për të duhet të inkuadrohen edhe subjektet politike, përfaqësuesit nga diaspora si dhe KQZ-ja, sepse zgjedhjet janë baza e shoqërisë demokratike.

“Se si dhe kur do të procedohet ky ligj mbetet të shihet. Por, e domosdoshme dhe themelore është se Kosovës i duhet një reformë e gjerë dhe e detajuar zgjedhore. Natyrisht se këtu do të mundësohet votomi jashtë vendit të shtetasve të Republikës së Kosovës në përfaqësi. Për këtë reformë zgjedhore duhet të inkuadrohen subjektet politike, shoqëria civile, përfaqësuesit nga diaspora, KQZ-ja dhe ndoshta edhe masat të thonë mendimin nëpër diskutime publike. Këtu nuk ka ikje në këtë çështje. Zgjedhjet janë bazë e shoqërisë demokratike dhe prandaj lypen analiza nga të gjitha këto anë të shoqërisë sonë”, ka deklaruar Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

Burjani: Nga KQZ dhe regjistri civil konfirmohet se sa serbë kanë të drejtë vote

Image
Blerim Burjani

Ndërsa juristi, Blerim Burjani, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se të gjithë serbët që janë shtetas të Kosovës mund të votojnë, ai thotë se për më shumë rreth votimit të tyre mund të dihet nga KQZ-ja si dhe nga regjistri civil.

“Të gjithë serbët që kanë shtetësi të Kosovës deri në vitin 1999 kanë të drejtë vote kudo që gjenden ata. Sa i përket kësaj shifre që e thoni është e pa konfirmuar zyrtarisht dhe nuk është e besueshme, është e fryrë tej mase, për më shumë mund të dihet përmes KQZ-së dhe regjistrit civil, se sa serbë kanë votuar herën e fundit. Pra, kjo mund të konfirmohet nga regjistri civil se sa janë serb me të drejtë vote në Kosovë dhe në rajon”, ka deklaruar Blerim Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat