Pa njohje reciproke s’ka normalizim, Kurti paralajmërohet para takimit me Macron

Politika

Pa njohje reciproke s’ka normalizim, Kurti paralajmërohet para takimit me Macron

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 5 prill 2021 Në ora: 18:29
Albin Kurti dhe Emmanuel Macron - Ilustrimi "Bota sot"

Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, po e presin sfida mjaft të “nxehta”. Një prej tyre është edhe dialogu mes Kosovës e Serbisë, e që pritjet janë që shefi i ekzekutivit t’i jap edhe përfundimisht një drejtim kësaj çështje.

Pritje të mëdha se Kurti do të punojë në këtë çështje kanë edhe liderët e shteteve më të forta në botë, shkruan gazeta “Bota sot”.

Është presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i cili ka thënë se shpreson që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të vazhdojë dialogun politik me Serbinë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Në një letër që Macron i ka dërguar Kurtit, për t’ia uruar marrjen e postit të kryeministrit, presidenti francez ka shprehur përkrahjen e tij për procesin e dialogut, që sipas tij, duhet të përfundojë me marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme.

“Zgjidhja e mosmarrëveshjeve midis Kosovës dhe Serbisë është një sfidë madhore, me të cilën do të duhet të përballeni. Në vitet e fundit është bërë përparim i rëndësishëm në dialogun që autoritetet kosovare e kanë zhvilluar me Beogradin, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Shpresoj që ju do ta vazhdoni këtë dialogu, në mënyrë që të arrini një marrëveshje gjithëpërfshirëse, përfundimtare dhe ligjërisht të detyrueshme, e cila është një nga kushtet për afrimin evropian të Kosovës, sikurse të Serbisë. Të jeni të sigurt se do të keni mbështetjen time të plotë”, thuhet në letrën që Macron i ka dërguar kryeministrit Albin Kurti.

Lidhur me këtë, njohësit e politikës janë të mendimit se presidenti Emmanuel Macron, ani pse nuk e thotë në mënyrë eksplicite, e ka shumë të qartë faktin se Serbia duhet të kalojë përmes njohjes së Republikës së Kosovës për të arritur deri tek një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

Ata gjithashtu kanë dhënë alarmin për Kurtin që të ketë kujdes, pasi që sipas tyre, ishte pikërisht shteti i presidentit Macron, ai që e vendosi te Ura e Ibrit kufirin mes Kosovës dhe Serbisë.

Në anën tjetër, SHBA ka kërkuar vazhdimisht nga Serbia që ta njohë Kosovën si shtet të pavarur.

Voca: Macron beson se pa njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, nuk mund të ketë normalizim marrëdhëniesh

Image
Profesori i gjeopolitikës dhe ligjëruesi në Paris, Mirsad Voca

Profesori i gjeopolitikës dhe ligjëruesi në Paris, Mirsad Voca, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka komentuar letrën e presidentit francez Emmanuel Macron drejtuar të parit të Qeverisë së Kosovës.

Voca shpjegon se edhe pse Macron nuk e ka thënë në mënyrë të drejtpërdrejt, sipas profesorit, ai ka të qartë se Serbia duhet të kalojë përmes njohjes së Kosovës për të arritur deri tek marrëveshja gjithëpërfshirëse.

“Presidenti Emmanuel Macron, ani pse nuk e thotë në mënyrë eksplicite ai e ka shumë të qartë faktin se Serbia duhet të kalojë përmes njohjes së Republikës së Kosovës për të arritur deri tek një marrëveshje siç po quhet gjithëpërfshirëse. Duhet të kemi parasysh se politika e jashtme e BE-së mbetet gjithnjë e koklavitur dhe kjo është pikërisht për shkak të mos progresit të BE-së në këtë drejtim. Shtetet anëtare të saj si duket ende nuk janë të gatshme të sakrifikojnë në favor të një politike të jashtme të BE-së e cila do vendosej mbi atë të shteteve anëtare dhe do të ishte më unanime”, ka thënë Voca, për gazetën “Bota sot”.

Njohësi i çështjeve politike ka treguar poashtu se dy shtyllat për riorganizim të Bashkimit Evropian janë; shtylla e politikës së jashtme të përbashkët dhe ajo e politikës së mbrojtës së BE-së.

“Janë dy shtylla të BE-së të cilat duhet ri-organizuar për t’i bërë më funksionale dhe ato janë shtylla e politikës së jashtme të përbashkët dhe ajo e politikës së mbrojtës së BE-së. Nga ky këndvështrim, vlerësoj se diskursi politik i liderëve të shteteve anëtare mund të mos jetë nganjëherë unanim por se një gjë është e sigurt se edhe Presidenti Macron beson se pa njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, nuk mund të ketë normalizim marrëdhëniesh dhe aq më pak stabilitet afatgjatë në këtë pjesë të Ballkanit”, tha me tej ai.

Voca me tej ka nënvizuar se nyja e zgjidhjes së problemit mes dy vendeve gjendet tek orientimi politik serb, me të cilin, sipas profesori Voca, duhet të merren më shumë shtetet anëtare të BE-së.

“Vlerësoj po ashtu se thirrjet duhet të drejtohen më shumë kah shteti serb, në mënyrë që ky i fundit të heq dorë nga orientimi i saj politik që bie në kundërshtim ndaj aspiratave integruese euroatlantike, parë qasjen e tij krahas politikës dhe ndikimit ruso-kinez në Ballkan. Kosova nuk e pasur dhe nuk e ka problem pjesëmarrjen në dialog, por shoh se nyja e zgjidhjes së problemit gjendet tek orientimi politik serb me të cilin duhet të merren shtetet anëtare të BE-së dhe politika e jashtme e saj. Nëse zgjidhet kjo nyje, edhe Ballkani perëndimor do të frymoj ndryshe në një rrugëtim të sigurt në frymën e një demokracie perëndimore”, ka nënvizuar Mirsad Voca.

Bytyçi jep alarmin: Parisi nuk e lëshon Serbinë nga orbita e vet miqësore

Image

Prof. Enver Bytyçi

E profesori tjetër ndërkombëtar, Prof. Enver Bytyçi është i mendimit se Franca dhe presidenti Macron momentalisht ndodhen në një situatë të pafavorshme.

Bytyçi ka treguar se para Albin Kurtit, në takim me Emmanuel Macron ishin kryeministri Edi Rama dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

“Presidenti Emmanuel Macron është në një situatë shumë të vështirë në vendin e tij. Ka probleme dhe kriza të brendshme të pashembullta. Megjithatë, ai thotë se do të gjejë kohë të presë zotin Kurti në Paris. Para zotit Kurti ishte në Paris Vuçiq dhe Edi Rama. Këta të dy janë deklaruar se shkuan atje me ftesë të presidentit francez për të biseduar për dialogun dhe zgjidhjen e konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë”, është shprehur profesori Enver Bytyçi, për gazetën “Bota sot.

Bytyçi mes tjerash ka dhënë një paralajmërimin për kryeministrin aktual të Kosovës, Albin Kurti, se nëse vendos të shkojë në takim me Emmanuel Macron, të ketë kujdes të shtuar.

“Ai i ka premtuar diçka thelbësore Aleksandër Vuçiq dhe për ta mbajtur premtimin fillimisht ftoi në Shën Elize kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama. Ky i fundit tha se “Unë jam palë”, prandaj “nuk mund të luaj ndonjë rol në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë”. Mbasi u bë palë për 4-5 vite me Serbinë kundër Kosovës për ndarjen e kësaj të fundit dhe pasi dështoi në këtë përpjekje, Edi Rama, u kujtua papritmas të thotë se “Jam palë”, duke nënkuptuar se mban anën e Kosovës në këtë palë. Për mua ishte thjesht një përpjekje e Ramës për të rifituar pak simpati, kur autoriteti i tij është i dërrmuar nga veprimtaria anti-kombëtare që ka zhvilluar. I duhej kjo deklaratë si përpjekje për të marrë ndonjë votë më shumë më 25 prill”, ka thënë profesori i njohur.

Ndërsa, në këtë prononcim, Bytyçi ka bërë me dije se nuk duhet pritur që presidenti Macron të prishë traditën me Serbinë, derisa ka kujtuar se ishte pikërisht shteti i presidentit francez që e vendosi te Ura e Ibrit kufirin e Kosovës me Serbinë.

“Nuk besoj se Franca e Macron është e gatshme të mbështesë një zgjidhje pa e favorizuar Serbinë me diçka të rëndësishme nga Kosova. Asociacioni p.sh. Dihet se Franca e vendosi kufirin te Ura e Ibrit. Nuk duhet pritur që Macron të prishë traditën. Do të duhet marrë në konsideratë se Parisi nuk e lëshon Serbinë nga orbita e vet miqësore. Për të gjitha këto arsye them se BE dhe SHBA zot të gjejnë një gjuhë të përbashkët. Ndaj Serbia dhe Vuçiq do të përfitojnë me qëllim që të mos nënshkruajnë paqen. Pra do të mbajnë hapur konfliktin midis dy vendeve dhe rrezikun për destabilizimin e rajonit”, ka vlerësuar Bytyçi.

Krasniqi tregon se çfarë po kërkon Franca nga Kosova

Image
Analisti politik, Islam Krasniqi

Kurse, analisti politik, Islam Krasniqi, ka thënë se presidenti Makron ka kërkuar nga kryeministri Kurti që të vazhdohet dialogu me Serbinë.

Ai është shprehur se njëjtë sikurse Franca, edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë synim mbylljen e bisedimeve më njohje reciproke.

“Në letrën e presidentit Macron të cilën ia dërgoi kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, kërkoi që të vazhdohet dialogu me ndërmjetësimin e BE-së deri në arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirës, mirëpo edhe pse presidenti Macron së ka përmendur njohjen reciproke ajo tashmë është e ditur sepse është kusht njohja edhe nga BE-ja që pa njohjen e Kosovës s’mund të vazhdojë rrugën drejtë BE-së Serbia. Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë synim mbylljen e bisedimeve më njohje reciproke të cilët para pak ditësh i kërkoi Presidentit Serbe që të njohin shtetin e Kosovës e që edhe qëllimi i tyre është përfundimi i këtij projekti të projektuar nga vetë SHBA-ja”, ka thënë Krasniqi për “Bota sot”.

Tutje, analisti Krasniqi shprehet se Franca është duke kërkuar me ngulm që Kosova dhe Serbia të bëjnë përparime në dialog.

“Franca kërkon që të bëjmë përparime në dialog, pasi që disa nga vendet e BE-së në mesin e tyre edhe Franca duan që Serbia t’i bashkohet shtëpisë së madhe, e nuk duan me probleme të fusin brenda siç i kishte ndodhur më parë me disa shtete tjera të cilat u vendosen nën ombrellën e BE-së, dhe s’ka marrëveshje përfundimtare pa njohje reciproke gjë që nuk është për t’u shqetësuar aspak letra e Presidentit Francezë”, ka deklaruar analisti politik, Islam Krasniqi, për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat