Fitorja historike dhe sfiduese e Vjosa Osmanit, vjen paralajmërimi për PDK-në dhe AAK-në

Politika

Fitorja historike dhe sfiduese e Vjosa Osmanit, vjen paralajmërimi për PDK-në dhe AAK-në

Nga: M.H. Më: 6 prill 2021 Në ora: 13:22
Kuvendi i Kosovës gjatë seancës, 04 prill 2021

Të dielën që po lëmë pas në Kuvendin e Kosovës është zgjedhur presidente e vendit, Vjosa Osmani.

Ajo u zgjodh presidente e Kosovës në raundin e tretë të votimit, derisa në dy raundet e para nuk i pati votat e mjaftueshme.

Fitorja e Osmanit përfundimisht lë pas kastën e vjetër politike duke filluar kështu një etapë e re për vendin tonë, shkruan “Bota sot”.

Në Kuvendin ku votohej presidenti disa parti opozitare nuk morën pjesë duke mos ia bërë kuorumin dhe njëkohësisht votuar Osmanin.

Pavarësisht kësaj, Osmani arriti që të i jep fund “zhurmës” politike dhe filluar kështu detyrës gjatë ditës së sotme.

Në lidhje me zgjedhjen e Osmanit si presidente e vendit për “Bota sot”, ka folur profesori universitar Enver Bytyçi.

Profesori shprehet që të dielën e shkuar që njëkohësisht ka qenë dita e Pashkëve, Kosova arriti të zgjedhë Vjosa Osmanin presidente të vendit.

Sipas Bytyçit tre deputetët që nuk e votuan Osmanin nga LDK-ja, ka qenë më se e ditur, pasi që të tre janë politikanë të papjekur edhe pse mosvotimi nga ana e Hotit ishte e papritur.

Ndërsa për partitë opozitare ato veçse iu kanë bashkangjitur Listës Srpska për të minuar krijimin e institucioneve të vendit.

“Të dielën e shkuar, ditën e Pashkëve, pra ditën e Ringjalljes së Krishtit, Vjosa Osmani u zgjodh president e Republikës së Kosovës. Procesi filloi që të premten me paraqitjen e ligjit për votën e emigrantëve në zgjedhjet e përgjithshme. Vazhdoi të shtunën me dy tentative për të zgjedhur presidentin/en e ri/ere. Por të dyja raundet dështuan, sepse tre deputetët e Lidhjes Demokratike, Agim Veliu, Avdullah Hoti dhe Driton Selmanaj nuk e përdorën të drejtën e votës. Është e ditur se Agim Veliu është shndërruar në një vegël e ndryshkur në duart e serbofilëve shqiptarë në Prishtinë. Është e ditur se Driton Selmanaj është një politikan i papjekur, i paformuar, me vese të vjetra në moshë të re. Por sinqerisht ende nuk e kam marrë vesh se si këtyre dy adoleshentëve politikë dhe interesaxhinjve në politikë iu bashkëngjit deri në vetëmohim ish-kryeministri Avdullah Hoti. Nuk po flas për opozitën e PDK-së dhe AAK-së, të cilat iu bashkëngjitën bojkotit të Listës Srpska për të minuar krijimin e një prej institucioneve themelore të shtetit dhe për ta çuar vendin në krizë politike. Në kushtet e këtij obskurantizmi të tipit e në interesin serb, mazhoranca kërkoi alternative për zgjedhjen e presidentes së vendit. Ishin dy deputete të opozitës që iu bashkuan mazhorancës, ishin dhe dy deputetë të minoriteteve gjithashtu”, u shpreh Bytyçi.

Profesori nga ana tjetër përmend edhe rastin e Xhavit Halitit i cili me një qëllim nuk ka ardhur të votojë në Kuvendin e Kosovës.

Sipas profesorit, udhëtimi në Pogradec është i qëllimshëm mirëpo që pavarësisht kësaj fitorja e Osmanit u realizua e që përveç historike është edhe sfiduese.

Osmani sipas Bytyçit mposhti ish-presidentin Thaçi, e që kjo do të thotë se ajo tashmë është një presidente e denjë për Republikën e Kosovës.

Image
Prof. Dr. Enver Bytyçi

“Ndërsa Xhavit Halitit i dhanë urdhër padronët e tij të mos ishte në sallën e parlamentit, edhe pse ai u patur bërë thirrje kolegëve të tij të ishin të pranishëm në sallë. Ndaj zgjodhi të shkonte në Pogradec. Jo rastësisht! Pogradeci është qytet kufitar shqiptar me Maqedoninë dhe qytetin e Ohrit. Ohri njihet si vendi i marrëveshjeve të mëdha, por edhe i kurtheve të mëdha. Nuk i bën ato Ohri, por bëhen në Ohër, ose diku afër tij. Në këto kushte fitorja e Vjosa Osmanit ishte historike dhe sfiduese. Me zgjedhjen e saj në krye të shtetit Kosova fitoi politikanen më të votuar, politikanen më të pakompromis, politikanen që nuk i përulet padrejtësisë dhe arrogancës së tradhtarëve të Kosovës. Politikanen që sfidoi dhe mundi me ndihmën e Gjykatës së Hagës kreun e sektit serb në Prishtinë, ish-presidentin e Kosovës. Ajo e mundi dhe e sfidoi bashkëpunëtorin e ngushtë të Thaçit, kryetarin e saj në LDK, Isa Mustafën. Kjo do të thotë se Kosova tashmë ka një president të fortë, të dinjitetshme, me integritet. Ka një kryetare shteti, e cila nuk bën asnjë kompromis kundër Kosovës në marrëdhënie me Serbinë dhe me vendet e tjera. Do të thotë se Kosova ka zgjedhur president një personalitet politik, si Vjosa, e cila nuk do të bëjë kompromis as me vendimet e padrejta të qeverisë Kurti, pavarësisht aleancës së ngushtë midis tyre. Pikërisht kjo ruan ekuilibrat, balancat dhe i bën më demokratike institucionet e vendit”, theksoi profesori.

Bytyçi më tej shton se ata të cilët e bojkotuan Osmanin janë po ata përçarësit e vërtetë dhe se arsyja pse ata e bojkotuan ishte se Osmani ka një standard të të kuptuarit dhe unifikimit që normalisht e dallon dhe e bëri fituese në këtë rrugëtim.

“Ata që bojkotin e justifikuan me atë që thanë se “Vjosa Osmani nuk përfaqëson politikanin unifikues”, ata dëshmuan para publikut se janë përçarësit e vërtetë. Të jesh unifikues nuk do të thotë të bësh kompromise korruptive, nuk do të thotë të fshehësh të vërtetat. Në këtë kuptim Vjosa Osmani nuk është unifikuese. Por standardi i saj të të kuptuarit dhe unifikimit është i ndryshëm nga përfaqësuesit e opozitës, që ngritën të tilla alibi. Falë kësaj karakteristike ajo fitoi mbi 300 mijë vota. Zgjedhja e zonjës Osmani si president e Kosovës kompletoi spektrin e institucioneve tashmë të reja në pajtim me vullnetin e sovranit. Kjo zgjedhje ishte dhe mbetet kusht i zëvendësimit gradual të klasës së vjetër të korruptuar me modelin e ri të politikës dhe të drejtimit të shtetit. Kjo ishte arsyeja e vërtetë pse opozita bojkotoi. Por ama dëmin do ta bënte të njëjtë si edhe Lista Srpska. Vjosa ishte kandidate për president e vendit që në fushatën elektorale. Për këtë arsye u votua në mënyrë plebishitare. Ndaj mori vota më shumë se të tri partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK”, potencoi Bytyçi.

Ndër të tjera profesori flet për partitë opozitare, për LDK-në thotë se ka filluar të këndellet me Abdixhikun në krye ndërsa nëse PDK dhe AAK nuk reflektojnë, atëherë do të shpërbëhen.

Tek shpërbërja Bytyçi përmend edhe dy deputetet e tyre të cilat votuan pro Osmanit.

“Ndërsa Lidhja Demokratike reflektoi, dy partitë e tjera opozitare vazhdojnë të bëjnë kamikazin për të mbrojtur korrupsionin dhe bashkëpunimin me krimin e organizuar. Kryetari i ri, Lumir Abdixhiku, duket qartë se do ta rehabilitojë forcën e dikurshme të Lidhjes Demokratike. Ndërsa PDK e AAK nëse vazhdojnë të mos reflektojnë, nëse nuk do të distancohen nga abuzimi me pushtetin, do të shpërbëhen edhe më tej. Nuk ishte rastësi që dy deputete të opozitës nuk iu bindën asaj dhe morën pjesë në seancën për zgjedhjen e presidentes. Ato folën qartë: - Nuk pajtohen me veprime të partive të tyre, të cilat shkojnë në harmoni me qëndrimet e Beogradit dhe të Listës Srpska. Kjo është esenca. Ky është qëndrimi atdhetar! Ndaj besoj se pjesa e shëndoshë e PDK-së dhe AAK-së do të kuptojë se e ardhmja e Kosovës nuk mund të jetë e sigurt nëse segmente të politikës me ose pa dashje bashkëpunojnë ose njësojnë aksionet politike në përputhje me interesat serbe në Kosovë! Rasti i zgjedhjes së kreut të shtetit dhe qëndrimi i opozitës nuk duhet përsëritur. Vetëm kështu klasa e vjetër politike do të dalë nda skena natyrshëm dhe bindshëm”, përfundon Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat