Paralajmërohet dobësimi politik i PDK-së dhe AAK-së, deputetët e tyre drejt Vetëvendosjes

Politika

Paralajmërohet dobësimi politik i PDK-së dhe AAK-së, deputetët e tyre drejt Vetëvendosjes

Arife Morina Nga Arife Morina Më 6 prill 2021 Në ora: 18:42
Kuvendi i Kosoves

Me zgjedhjen e presidentes së vendit, Vjosa Osmani, Kosova po shkon drejt një stabilizimi politik, i cili i kishte munguar tash e sa kohë vendit.

Me fitoren e thellë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës “Guxo” në zgjedhjet e fundit parlamentare, nuk doli të jetë shumë i vështirë konstituimi i Kuvendit dhe formimi i institucioneve shtetërore.

Derisa, tani kemi një qeveri stabile, opozita nuk po kalon ditët e saj më të mira, me përjashtim të Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila edhe njëherë tregoi pjekurinë e saj politike, duke votuar presidenten e vendit dhe duke shmangur një palë zgjedhje të reja.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, që nga humbjet e thella që pësuan në zgjedhjet e 14 shkurtit, ato po përballen edhe me kundërshti të mëdha brenda partisë.

PDK u befasua nga deputetja e tyre më e re Adelina Grainca, e cila u largua nga kjo e fundit, për të kaluar në Lëvizjen Vetëvendosje.

Aderimi i Graincës nxiti debate shumë të mëdha, ku më së shumti ishin anëtarët e PDK-së që reaguan lidhur me këtë gjë. Ata mbeten të shokuar nga ky veprim i ish-deputetes së tyre, duke e quajtur atë tradhtare.

Mirëpo, Adelina Grainca doli menjëherë me një reagim për opinionin publik, ku shpalosi arsyet kryesore të aderimit të saj në LVV.

“Largimi nga PDK-ja ka qenë për shkaqe politike. Nga prezantimi i emrit tim në kryesi (të PDK-së, dega Ferizaj) e deri më tani, nuk kam gjetur përkrahje. E gjithë kjo për shkak të moshës si dhe mungesës së përvojës në sferën e politikës. Kjo kohë më ka ndihmuar të reflektoj dhe shoh Lëvizjen Vetëvendosje, me moshën mesatare më të re dhe pjesëmarrjen më të madhe të grave, mundësi më të mirë të zhvilloj dhe avancoj qëllimet për një shtet dhe shoqëri të prosperuar”, deklaroi Grainca, përcjell “Bota sot”.

As vota e deputetes së AAK-së, Albena Reshitaj për presidenten Vjosa Osmani, nuk kaloi qetë dhe pa zhurmë mediatike.

Kjo e fundit, pavarësisht votës së saj, vazhdon ende të jetë pjesë e AAK-së, ndonëse udhëheqësit e kësaj partie kanë dalë kundër veprimit të saj politik.

“Dua të bëj me dije se nuk është e vërtetë që jam larguar nga partia të cilës i takoj dhe kam kaluar në ndonjë grup tjetër parlamentar, ashtu siç përgënjeshtroj çdo tendencë që e përfshijnë emrin tim si një kandidate eventuale për kryetare të Komunës së Suharekës. Unë jam pjesë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës derisa besoj që edhe mendimi ndryshe është pjesë e demokracisë brenda partisë që i takoj”, ka theksuar ajo.

Njohësit e çështje politike për gazetën “Bota sot”, përkrahjen e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Vjosa Osmanit nga deputetet e partive opozitare, e kanë cilësuar si humbje të besimit te politikat e partive ku bënin pjesë.

Ata paralajmëruan aderime të reja në të ardhmen te Lëvizja Vetëvendosje, madje konsideruan se VV vetëm sa do të forcohet edhe më shumë.

Pas Graincës, Mehazi paralajmëron aderime të reja në Vetëvendosje

Profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi ka komentuar aderimin e Adelina Graincës në Lëvizjen Vetëvendosje dhe votën e Albena Reshitajt të AAK-së për Vjosa Osmanin.

Image
Sulejman Mehazi

Mehazi tha se veprimet e dy deputeteve janë për t’u përshëndetur, pasi kanë treguar karakter politikë ndaj institucioneve të vendit.

“Deputetja e PDK-së, Adelina Grainca dhe Albina Reshitaj janë për t'u përshëndetur jo se kanë aderuar në Vetëvendosje, por treguan karakter politikë ndaj institucioneve të Kosovës e jo ndaj partive që ju përkasin. Deputetet Adelina Grainca dhe Albena Reshitaj treguan se janë më të dinjitetshme politikisht ndaj institucionit më të lartë shtetëror të presidentit, sesa ndaj ideve të gabuara opozitare të partive që ju përkisnin”, ka deklaruar ai.

Profesori i vlerësoi lartë në përgjithësi deputetet femra në Kuvendin e Kosovës, duke u shprehur se ato bëjnë një luftë politike të sinqertë dhe mjaftë të suksesshme.

“Se deputetet femra në parlamentin e Kosovës janë më konkrete e më të guximshme sesa deputetët meshkuj vërehet, se luftë më të sinqertë politike në Kosovë bëjnë femrat u pa që nga Vjosa Osmani që kundërshtonte rrugën e gabuar politike të LDK-së, sa që e detyruan të largohet nga LDK-ja e të formojë grupin e saj të suksesshëm politikë”, ka potencuar Mehazi për gazetën “Bota sot”.

Në vazhdim, ai vlerësoi se ishte presidentja Vjosa Osmani, ajo që i frymëzoi Graincën dhe Reshitajn ta votojnë atë.

Madje, Mehazi tha se ndryshimet më të mëdha politike në Kosovë, u realizuan nga politikanet femra.

“Mendoj, se, iniciatore dhe frymëzuese e dy deputeteve, Adelina Grainca dhe Albena Reshitaj për të votuar Vjosa Osmanin presidente ka qenë vetë Vjosa Osmani. Me shumë arsye mund të themi se  ndryshimet politike të mëdha në Republikën e  Kosovës bëhen nga politikanet femra e jo nga politikanët meshkuj të padinjitetshëm, të pasivizuar për shkak vetëkënaqësive së tyre”, ka nënvizuar profesori.

Në fund, Mehazi paralajmëroi se pas aderimit të Graincës, në Vetëvendosje në të ardhmen do të ndodhin edhe aderime të reja. Por, ai konsideron këto të fundit si deputete të Vjosa Osmanit dhe jo Albin Kurtit.

“Aderimet e deputeteve në Vetëvendosje pas Adelina Graincës dhe Albena Reshitaj do vazhdojnë edhe në të ardhmen dhe shkaktare e këtyre aderimeve në Vetëvendosje do behet Vjosa Osmani e jo Albin Kurti. Lirisht mund të themi se dy deputetet e PDK-së dhe AAK, Grainca e Reshitaj janë deputete të Vjosa Osmanit sesa të Albin Kurtit”, ka përfunduar Sulejman Mehazi për Bota sot.

Bytyçi thotë se humbja e besimit te partitë e tyre, po ndikon në kalimin e deputetëve te Lëvizja Vetëvendosje

Kurse, njohësi i çështjeve politike Adem Bytyçi, aderimin e Adelina Graincës në Lëvizjen Vetëvendosje dhe votën e Albena Reshtiajt të AAK-së, për Vjosa Osmanin i sheh si veprime që tregojnë së këto deputete e kanë humbur besimin te subjektet e tyre politike.

Image
Adem Bytyçi

“Aderimet e deputeteve të PDK, Adelina Grainca dhe AAK, Albena Reshitaj) në Vetëvendosje është sinifikative se, këto dy deputete e kanë humbur besimin në të ardhmen politike të dy subjekteve të tyre”, është shprehur ai.

Grainca dhe Reshitaj me votimin e tyre në seancën për zgjedhjen e presidentit të vendit, sipas analistit treguan një vetëdije të lartë politike, lidhur me rëndësinë e formimit të institucioneve shtetërore.

“Madje pjesëmarrja e këtyre dy deputetëve në seancën e Parlamentit, në të cilën u zgjedh Presidente e Republikës znj.Vjosa Osmani Sadriu, shpërfaq edhe një dimension tjetër lidhur me këto dy deputete: vetëdijen e lartë politike për të kuptuar se sa me rëndësi është zgjedhja e institucioneve shtetërore, në një kohë kur këto institucione janë të rëndësishme për shtetin si asnjëherë më parë për shkak të një krizë të rëndë ekonomike dhe pandemiologjike”, ka theksuar Bytyçi.

Në vazhdim, ai foli edhe për sfidat dhe vështirësitë me të cilat Lëvizja Vetëvendosje do të përballet gjatë qeverisjes së saj.

“Sa i përket LVV-së, se a do të arrij ta përfundojë afatin e rregullt kushtetuese të qeverisjes së vendit, kjo varet se sa do të jetë në gjendje  t'i përmbush premtimet të cilat u ka dhënë qytetarëve, gjatë qeverisjes së vendit, pavarësisht se do të ballafaqohet me shumë vështirësi, sepse qeverisjen e vendit e ka marrë në një gjendje ekonomike  tepër të rëndë, dhe në një periudhë në të cilën pozita ndërkombëtare e Kosovës nuk është aspak e volitshme si dhe shkalla e varfërisë dhe papunësisë është më e larta në rajon”, ka potencuar analisti. 

Bytyçi tregoi edhe mënyrën se si LVV ka mundësi të rrisë numrin e votuesve, gjatë mandatit të tyre qeverisës.

“Gjithsesi Vetëvendosja do të rritë numrin e votuesve nëse e lufton korrupsionin, krimin ekonomik të organizuar dhe shumë anomali tjera, të cilat janë të shumta në Kosovë, për shkak të keqqeverisjes së vendit nga qeveritë e mëparshme”, ka nënvizuar ai.

Në fund, analisti Bytyçi paralajmëroi edhe subjektet opozitare (PDK dhe AAK), duke thënë se nëse nuk bëjnë reforma të thella partiake, ato në zgjedhjet e ardhshme, do të pësojnë një rënie të madhe, sa do të vihet në dyshim edhe kalimi i pragut zgjedhor.

“Lidhur me të ardhmen politike të AAK dhe PDK, nëse këto dy subjekte nuk e ndryshojnë seriozisht diskursin politike në raport me interesat e vendit dhe mirëqenien e qytetarëve duke i luftuar fenomenet negative dhe të dëmshme për të ardhmen e shtetit dhe të qytetarëve, në zgjedhjet e ardhshme do ta kenë të pamundur ta kalojnë pragun zgjedhor”, ka përfunduar Adem Bytyçi.

Ahmeti: Fitorja e Vetëvendosjes shkaktoi tërmet të partitë politik, prandaj edhe aderojnë deputetët në këtë subjekt

Ndërsa, analisti politik, Hidajet Ahmeti në një prononcim për “Bota sot” u shpreh se fitorja e thellë e Vetëvendosjes në zgjedhjet e fundit parlamentare, i ka shtyrë deputetët e partive tjera të mendojnë për të ardhmen e tyre politike.

Image
Hidajet Ahmeti

“Fitorja e thellë e Vetëvendosjes ka dëmtuar  tej mase subjektet tjera politike, pasi i ka shtyrë deputetët e partive tjera për të menduar rreth të ardhmes së tyre politike. Në historinë  e re të shtetit të Kosovës do të mbahet mend një fitore e tillë, e aq më shumë kur tri institucionet kyçe përfaqësohen nga tre njerëz të një subjekti politik që kanë garuar së bashku”, ka deklaruar ai.

Sipas Ahmetit, Qeveria Kurti 2 ka mundësi të mëdha që ta përfundojë mandatin e plotë qeverisës, ku gjatë rrugës mund edhe t'i bashkohen deputetë të tjerë të partive opozitare.

“Ky tërmet politik ka lëkundur partitë tjera dhe, është shumë normale që të ketë shkundje brenda  partive opozitare dhe deputetët të aderojnë në subjektin politik që qeverisë. Mendoj se  Qeveria Kurti 2  ka të gjitha mundësitë për ta përfunduar mandatin e plotë qeverisës dhe gjatë rrugës mund t’i bashkohen edhe deputetë tjerë të partive politike”, ka theksuar analisti.

Në fund, Ahmeti kategorizoi dy lloje të deputetëve, ata që politikën e shfrytëzojnë për qëllime të karrierës dhe idealistët që i bashkohen konceptit ideologjik të Qeverisë Kurti 2.

“Në këtë kontekst duhet të dalluar dy kategori të deputetëve, pragmatistët, të cilët politikën e shfrytëzojnë për qëllime karrieriste dhe idealistët të cilët do t’i bashkohen konceptit ideologjik dhe punës së mirë që mund ta bëj Qeveria Kurti 2. Krejt fuqizimi i Qeverisë së Vetëvendosjes do të varet nga puna, angazhimi dhe përkushtimi për një qeverisje të mire”, ka përfunduar Hidajet Ahmet, për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat