Kërkohet vigjilencë nga organet e rendit, dy hipotezat për kërcënimet me sulm në Kosovë

Politika

Kërkohet vigjilencë nga organet e rendit, dy hipotezat për kërcënimet me sulm në Kosovë

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 7 prill 2021 Në ora: 19:00
Ilustrim

Në orët e hershme të së martës u raportuar për një kërcënim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. E njëjta gjë u raportua edhe spitalin rajonal në veri të Mitrovicës.

Po ashtu, u raportua se Policia e Kosovës është duke bërë kontrollimin e automjeteve në Spitalet rajonale në vend.

Policia e Kosovës nga orët e hershme të mëngjesit të sotëm është duke kontrolluar pothuajse të gjitha automjetet në hyrje të spitaleve në të gjithë vendin. Njëjtë ngjau edhe në spitalin e përgjithshëm “Sami Haxhibeqiri” në jug të Mitrovicës, ndërsa e njëjta gjë po ndodhë edhe në veri të këtij qyteti.

Kërcënimi me sulm bëri që policia të kontrollojë hyrje-daljet nëpër spitale.

Zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Besim Hoti, bëri ditur se bëhej fjalë për një kërcënim të mundshëm me sulm ndaj personave në oborret spitalore, pa precizuar saktë lokacionin.

Sipas tij, Drejtoria Rajonale e Policisë në veri ka ndërmarr të gjitha masat preventive me qëllim të parandalimit të një sulmi të mundshëm.

Ndërsa, ministri i shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë se policët do të jenë për të parandaluar përhapjen e virusit.

Ai ka thënë se që nga e marta, nëpër spitalet e Kosovës do të ketë pjesëtarë të Policisë së Kosovës, në mënyrë që të mos lejohet hyrja e më shumë se një shoqëruesi për pacient, derisa ka deklaruar se deri tek kjo ka ardhur në mënyrë që institucionet shëndetësore të mos jenë bartëse të virusit.

Ekspertët e sigurisë kanë sugjeruar që të mos injorohen rastet e tilla të kërcënimeve me sulme.

Sipas tyre, organet e sigurisë duhet të jenë vigjilente gjatë kërcënimeve të tilla.

Ndërkohë, ata shprehen se në raste të tilla organet e sigurisë duhet të ndërmarrin veprimet e duhura dhe të bëhet zbatimi i ligjit.

Shala: Organet e rendit në Kosovë kanë mekanizma tejet të sofistikuar

Lidhur me këto ngjarje, eksperti i sigurisë Drizan Shala, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se organet e rendit kanë në asortimentin e tyre mekanizma të sofistikuar dhe për çdo lloje kërcënimi kanë plane operative.

Image
Drizan Shala

“Policia e Kosovës me të marr informacionet nëpër rrugët operative ka bërë analizimin e kërcënimit dhe ka ndërmarr gjitha veprimet e nevojshme për të garantuar sigurinë e nevojshme. Policia respektivisht organet e rendit kanë në asortimentin e tyre mekanizma tejet të sofistikuar dhe për çdo lloje kërcënimi kanë plane operative”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Po ashtu, ai ka komentuar rastin e ndodhur të martën në Qendrat Klinike të Kosovës.

“Në rastin e kanosjes dhe dislokimi i njësive speciale në hapësirat e QKUK dhe spitaleve  rajonale , tregon që kanosja është bërë në adresë kundër këtyre institucioneve apo personelit mjekësor dhe prandaj për të monitoruar më mirë hapësirat e këtyre institucioneve është venë në alarme e gjithë aparatura policore për të parandaluar ndonjë veprim të mundeshim kriminal”, ka potencuar Shala për “Bota sot”.

Halimi: Institucionet e sigurisë përherë duhet të jenë vigjilente

Kurse, Armend Halimi nga Instituti për Studime të Sigurisë(ISS), ka deklaruar për “Bota sot” se nuk duhet të injorohet ky kërcënim në QKUK.

Image
Armend Halimi

“Kërcenim shumë i mjegullt edhe pse nuk duhet injoruar. Mirëpo, përderisa nuk dimë motivet, hipotezat mund të dalin nga lloji, lloji shkaqesh. P.sh sulmet e tilla sa do që janë të njëjta për nga metodat me ato terroriste, që zakonisht janë vende me frekuentim të madh dhe që caku/viktimat nuk përzgjedhin, por që me anë të kërcënimeve e sulmeve të tilla synohet të krijohet panik dhe frikë tek shoqëria, element tipik terrorist, megjithatë motivi i sulmuesve edhe jep cilësimin e aktit, që zakonisht sulmeve u paraprijnë me kërkesa apo ankesa të caktuara”, ka vlerësuar ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, Halimi ka theksuar se zakonisht kërcënime të tilla vijnë nga Serbia e cila sponsorizon grupe të tilla në vazhdimësi karshi Kosovës.

“Por qe duhet thënë, se Kosova realisht nuk ka as edhe një arsye për të iu dhënë arsye kërcënimeve dhe sulmeve të tilla, atëherë të tilla skenare shpien me adrese nga armiqtë e jashtëm që ka Kosova, e që zakonisht Serbia është ajo që rekruton dhe sponsorizon grupe të tilla në vazhdimësi karshi Kosovës, kjo bazë dyshimi vije aq më tepër kur informacioni vije pikërisht nga një pjesë që është me influencë të Serbisë, siç është veriu i Mitrovicës”, ka potencuar ai për “Bota sot”.

Më tej, Halimi ka thënë se institucionet e sigurisë duhet të jenë vigjilente karshi kërcënuesve.

“Andaj, institucionet e sigurisë përherë duhet të jenë vigjilente karshi kërcënuesve, në mënyrë që të identifikohen e parandalohen me kohë, por në të njëjtën kohë pa prodhuar panik, prandaj kërkohen më tepër masa inteligjente e metoda taktike të fshehta të trajtimit të rasteve si ky”, ka deklaruar Halimi për “Bota sot”.

Tërnava për kërcënimet: Mund vijnë nga këto dy çështje

Ndërkaq, eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, ka hedhur dy hipoteza në rastin e zhvillimeve të ndodhur në QKUK.

Image
Hajrullah Tërnava

Hipoteza e parë sipas Tërnavës është pakënaqësia e qyrktarëve me shërbimet e stafit spitalor të kësaj klinike, pasi që janë rritur numër të prekurve më Covid19.

“Me ndërrimin e qeverisë Hoti dhe me fillimin e Qeverise Kurti 2, në këtë gjendje të pandemisë kur është përhapur ky infeksion i virusit Covid 19, dhe është shtuar dukshëm numri i të sëmurave dhe të vdekurve. Tani kur spitalet nuk po i zënë të sëmurit, me një fjalë nuk po ka vende për të sëmurit, tani është mjaftë problematike si të menaxhohet kjo situate dhe si te zgjidhet ky problem. Tani kur këtij halli-derti i shtohet që gjatë ditës të martë ka pasur kërcënime për sulme në spitale në Kosovë, që ka bërë që të aktivizohet policia e Kosovës dhe të shtojë sigurinë̈ rreth spitaleve dhe të bëjë kontrolle të shumta të automjeteve. Nëse këto kërcënime ishin të drejtuara mjekeve apo spitaleve për çështje që nuk po janë ekspeditiv-efektiv apo të suksesshëm në kryerjen e detyrave të mjekeve dhe personelit mjekësor në përgjithësi, këto kërcënime mund të jenë si reagim nga mllefi i qytetarëve të pakënaqur, dhe është e kuptueshme se niveli i sigurisë i policisë duhet të ngritët në nivele më të larta, dhe te shtohet numri i policëve në ato vende ku është shfaq pakënaqësia, dhe në qoftë se tregohet nevoja edhe të dyfishohen numri i policëve”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Hipoteza e dytë është, pakënaqësitë e kundërshtarëve politikë ndaj partisë që po e udhëheq vendin.

“Mos të harrojmë se në këto reagime të qytetarëve mund të kenë gisht edhe qytetar të elektoratit të partive tjera e që duan t`i arrijnë qëllimet e tyre politike për ta devalvuar ketë Qeveri të re Kurti 2, e që janë marrë detyra nga shefat e partive që i kanë humbur zgjedhjet, tani ata e kanë për detyrë që të punojnë në devalvimin e kësaj Qeverie dhe popullin ta bindin se kjo qeveri nuk është e aftë ta menaxhojë situatën e shëndetësisë në këtë kohë të kësaj pandemie dhe qysh nga fillimi t’i demantojnë ato premtime që Qeveria Kurti 2 i ka premtuar popullit, me një fjalë po zhvillohet luftë speciale ndaj kësaj qeverie”, ka vlerësuar Tërnava.

Më tej, ai ka shtuar se nuk duhet të bëhet nënvlerësimi i kësaj situate nga institucionet e sigurisë, ata duhet të jenë vigjilent të këtë rast dhe në ato raste ku paraqiten rreziqet të ndërmarrin të gjitha masat e intervenimit ligjor.

“Tani nëse japim vlerësime për çështjen e sigurisë dhe kemi të dhëna se ka kërcënime për sulme ne spitalet në Kosovë, nuk mund të jemi të qetë dhe ta nënvlerësojmë këtë situatë, por duhet të jemi vigjilent qysh nga qytetaret e deri te stafi mjekësorë dhe ta përballojmë këtë gjendje të kësaj pandemie, dhe ta bindim popullin se ditët më të mira për qytetaret e vendit tonë po vijnë, sepse po punohet edhe për porositjen dhe kontraktimin e vaksinave për shërimin e të infektuarve dhe atyre ne preventive, dhe nuk duhet të përhapen çështjet e tilla të infeksionit dhe opinioni të përfshihet në panik sepse një gjendje e tillë si ndihmon askujt dhe paralajmërimet që nga paniku të sulmohen institucionet e shëndetësisë nuk kanë vend, sepse me këtë vetëm përkeqësohet gjendja shëndetësore e të gjithë qytetarëve dhe infeksioni mund të përhapet në përmasa shumë më të mëdha nëpër tubime të popullit nëse ndodhin ato. Organet e sigurisë duhen t`i kryejnë detyrat e tyre permanente dhe të jenë të pranishëm në të gjitha ato vende ku gjenden qytetaret dhe nisë vërejnë situata të përkeqësimit apo të sulmeve, t’i ndërmarrin të gjitha masat e intervenimit ligjor dhe t’i procedojnë në institucionet e përndjekjeve të drejtësisë sikur që janë gjykatat, prokuroritë dhe nëse ka sulme apo kundërshtime të tilla, ta përdorin edhe forcën fizike dhe paraburgimet deri sa gjendjen ta sjellin në normalitet”, ka përfunduar  Hajrullah Tërnava për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat