Haradinaj nuk e pranon se i është shuar ëndrra për president, sulmon Vjosa Osmanin

Politika

Haradinaj nuk e pranon se i është shuar ëndrra për president, sulmon Vjosa Osmanin

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 8 prill 2021 Në ora: 08:09
Ramush Haradinaj, foto ilustrim nga "Bota sot"

Zgjedhjet e 14 shkurtit, Vjosa Osmanin e nxorën si politikanen më të votuar me mbi 300 mijë vota.

Por të dielën që shkoi, pas disa përpjekjeve me 71 pro është zgjedhur presidente e Kosovës, Vjosa Osmani edhe pse në seancë nuk morën pjesë partitë opozitare PDK e AAK, ndërsa që LDK ishte e pranishme dhe votoi.

Madje, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, për zgjedhjen e Osmanit presidente thotë që është bërë me kontrabandim të votave, ai gjithashtu akuzon se sistemi njëpartiak dhe i kapur ka filluar.

“Votat e kontrabanduara në këtë proces tregojnë se Vetëvendosje dhe Guxo nuk guxojnë. Sistemi njëpartiak dhe i kapur sapo filloi. Aleanca do të jetë zë i ndërgjegjes së popullit, shtyllë kushtetuese dhe mbrojtëse e ekonomisë së tregut të lirë”, ka thënë Haradinaj në një deklaratë të tij.

Por ai nuk ndalon me kritika ndaj presidentes, duke thënë se Vjosa Osmani është presidente e Albin Kurtit.

Mirëpo, kjo nuk ishte e vetmja sepse Ramush Haradinaj edhe më parë për ish-ambasadoren Vlora Çitaku kishte thënë se është ambasadore e Hashim Thaçit.

Analistët vlerësojnë se këto komente duhet lënë njëherë e përgjithmonë sepse një shoqëri është e arritur vetëm kur gratë e kanë vendin e merituar në atë shoqëri.

Krasniqi: Deklaratat e Haradinajt, të pa menduara

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Islam Krasniqi ka thënë se Haradinaj i bënë disa deklarata të pamenduara, por se duhet bërë dallim sepse Osmani nuk është anëtare e VV-së, kurse Vlora Çitaku kanë qenë ministre e PDK-së.

Image
Islam Krasniqi

Sipas tij, Osmani nuk është presidentja e z.Kurtit por e Republikës së Kosovës, sepse është më e votuara deri më tani.

“Normal z.Haradinaj i bën disa deklarata të pa menduara nganjëherë, duke menduar së vetëm ai ka të drejtë, mirëpo duhet bërë dallime këtu pasi që znj.Çitaku ka qenë Ministre e PDK-së, gjersa znj.Osmani nuk është anëtare e VV-së dhe se ajo ka marrë mbi 300 mijë vota e që sovrani ja dha të drejtën duke e listuar ndër më të votuarën në Republikën e Kosovës, e që unë s'do t'i thosha presidentja e z.Kurtit por e Republikës së Kosovës. Lideri i AAK-së ka qenë i etur për pushtet dhe nuk i ka kursyer të tjerët kur ka ardhur puna të pushteti”, ka deklaruar Islam Krasniqi për “Bota sot”.

Mehmeti: Një shoqëri është e arritur vetëm kur gratë e kanë vendin e merituar në atë shoqëri

Kurse analisti politik, Faton Mehmeti, deklaratat e Ramush Haradinajt i sheh si të pavenda.

Image
Faton Mehmeti

“Ramush Haradinaj kritikon këdo që është më i zoti se ai, andaj deklaratat e tilla janë krejtësisht të pavenda. Nuk besoj se Ramushi e ka me gratë në veçanti, për më tepër nuk dua ta besoj një gjë të tillë”, është shprehur Mehmeti.

Më tej shton se, Ramushi e ka të vështirë ta kuptojë se ëndrra e tij për president është shuar, andaj po kërkon të sulmojë këdo që është më i zoti se ai.

“Dua t'i rikujtoj Ramushit se Vjosa ka marrë mbi 300 mijë vota, komplet sa 6 herë krejt AAK bashkë. Asnjë president, përjashto Rugovën, s’ka qenë më i votuar dhe i mbështetur se Vjosa. Një shoqëri është e arritur vetëm kur gratë e kanë vendin e merituar në atë shoqëri. Ramushi e ka të vështirë ta kuptojë se ëndrra e tij për president është shuar, andaj po kërkon të sulmojë këdo që është më i zoti se ai”, ka përfunduar Faton Mehmeti për gazetën “Bota sot”.

Duhanaj: Nuk është koha për këtë, AAK të angazhohet për opozitë karshi punës qeveritare

Ndërsa, analisti politik Leon Duhanaj, në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se nuk është koha që një parti opozitare të merret me këtë rrugë, por të angazhohet për opozitë karshi punës së qeverisë.

Image
Leon Duhanaj

“Për mendimin tim, Kosova ka shumë me shumë nevojë për angazhim politik përmbajtësor, sa për luftë simbolikash. Tani, se si ka qenë rruga e znj. Osmani deri tek Presidenca, ka shumë për të thënë dhe ndër to edhe kritika. Megjithatë, nuk mendoj që tani është detyrë apo pritshmëri e një partie opozitare të merret me këtë rrugë, por të angazhohet për opozitë karshi punës qeveritare”, ka thënë Duhanaj.

Sipas tij, Kosova ka nevojë për opozitë të fortë dhe të përgjegjshme.

“Mendoj që Kosova, sot me shumë se kurrë ka nevojë për një opozitë të fortë dhe të përgjegjshme, karshi një pozite e cila nga roli opozitar që ka treguar, nuk është e pritshme të bëjë punë të sinqerta karshi vendit dhe qytetarëve. Pra, sugjerimi im do të ishte me pak me polemikat e së kaluarës, e më shumë me synimet e së ardhmes”, ka deklaruar Leon Duhanaj pë “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat