Largimi i deputetëve për mendim ndryshe nga “zëri i klanit”, humbje për partitë

Politika

Largimi i deputetëve për mendim ndryshe nga “zëri i klanit”, humbje për partitë

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 8 prill 2021 Në ora: 12:51
Kuvendi i Kosovës

Me 4 prill Kosova zgjodhi presidentin e ri. Kandidatja për këtë post Vjosa Osmani, arriti të zgjidhet Presidente e Kosovës me 71 vota të deputetëve të Kuvendit të Kosovës në raundin e tretë të votimit, për një mandat pesë vjeҫar.

Natyrisht se zgjedhja e presidentit nuk kaloi pa dramë. Ajo zgjati pothuajse tre ditë dhe pati befasi nga deputetët që morën pjesë në votim.

Ndonëse AAK dhe PDK kishin marrë vendim për të mos votuar për presidentin e as për të qëndruar në seancë kur të bëhej votimi, dy deputete nga këto dy parti vepruan ndryshe.

Deputetja Albena Reshitaj nga AAK ishte befasi e seancës së 3 prillit, derisa mori pjesë dhe në seancë dhe votoi, e në seancën kur u zgjodh presidentja, e pranishme në sallë ishte edhe deputetja e PDK-së, Adelina Grainca e cila po ashtu hodhi votën e saj në kuti.

Kjo e fundit kaloi në Vetëvendosje, ndërsa që PDK reagoi duke hedhur akuza ndaj saj e duke e quajtur tradhtare.

Në befasi për veprimin e Reshitajt ishte edhe AAK dhe tani kjo parti po i kërkon asaj që ta dorëzojë mandatin e deputetes.

Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, i ka quajtur të pafytyrë ata deputetë që dolën kundër vendimeve të partive të tyre dhe i akuzoi se e tradhtuan votat e tyre.

“Siç e kemi parë janë bërë pazare me deputetë. Si AAK kemi pasur kandidatin tonë për president dhe qëndrimet tona për këtë çështje dhe del një deputet kundër vendimeve tona të kryesisë dhe elektoratit. Po thuhet, s’jam dëshmitar, por dihet që ka pare dhe poste”, ka deklaruar ai.

Berisha ka thënë se pazaret e tilla nuk po bëhen për herë të parë, por se një metodë e tillë ishte kritikuar zëshëm nga Vetëvendosje, të cilën ai po e akuzon se veproi në këtë mënyrë.

“I kanë blerë. Kjo është pafytyrësi politike. Këta deputetë e kanë tradhtuar votën e elektoratit të vet. Kësaj here ndodhi te AAK-ja. Nuk më ka befasuar veprimi i saj (Albena Reshitajt), por ka plot njerëz që e kanë votuar dhe që kërkojnë ta kthejnë mandatin”, ka thënë Berisha.

Raste të tilla kur mendimet dhe veprimet ndryshe janë dënuar kemi pasur edhe më herët. Vjosa Osmani dhe disa deputetë të tjerë u përjashtuan nga LDK, për shkak të veprimeve jo në përputhje me vendimet e partisë.

Lidhur me këtë çështje, kanë komentuar edhe njohës të çështjeve politike.

Ahmeti: Njerëzit që mendojnë ndryshe nga “zëri i klanit” të partisë, detyrohen të largohen

Analisti politik Hidajet Ahmeti, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se partitë politike në demokracinë e brendshme kanë krijuar perceptim negativ dhe se njerëzit që mendojnë ndryshe nga partia, linçohen, etiketohen e në fund ju imponohet të largohen.

Image
Hidajet Ahmeti

“Demokracia e brendshme partiake është frazë boshe e demagogjike e partive politike, pasi që njerëzit të cilët mendojnë ndryshe nga “zëri i klanit” të partisë, linçohen, etiketohen e në fund ju imponohet të largohen. Kjo logjikë e funksionimit të partive politike në Kosovë ka krijuar një percepcion negativ qytetar, pasi që monizmi në mendime ju atribuohet shoqërive komuniste dhe nuk prodhon vlera të mirëfillta demokratike. Prandaj, gjykoj se në këtë drejtim partitë politike në Kosovë janë në një vijë paralele më shoqëritë komuniste, ani pse kemi një pluralizim partiak që është vlerë e shoqërive demokratike, por kur është fjala për demokracinë e brendshme partiake, partitë politike çalojnë në masë të madhe”, ka deklaruar Ahmeti.

Sipas tij, partitë politike duhet t’iu japin mundësi anëtarëve në mënyrë që japin ide të reja, t’i japin mundësi secilit anëtar që të jap idetë e tij dhe se paritë politike nuk duhen të mbyllen në kuptimin pragmatik të ideve dhe zërave që mendojnë ndryshe.

“Përkundrazi, partitë politike duhet të jenë të hapura në këtë drejtim, duke i dhënë mundësi çdo anëtari të kontribuojë më ide të reja, të cilat potencialisht ndihmojnë në konsolidimit të brendshëm partiak, por edhe prodhojnë diversitet mendimesh, të cilat mund të sintetizohen në ide më të avancuara. Është shumë normale që të ketë “luftë” konceptuale brenda partiake dhe të shteren gjitha mendimet deri në konsolidimin e një ideje për implementim të një politike publike, e cila do të ishte më e mira për trupin publik, por paritë politike nuk duhen të mbyllen në kuptimin pragmatik të ideve dhe zërave që mendojnë ndryshe. Gjykoj se zëri ndryshe brenda partisë është vlerë demokratike, që në rend të parë i kontribuon demokracisë se brendshme, por edhe reflektimit dhe zhvillimit për ide më të mira”, ka vlerësuar Hidajet Ahmeti për “Bota sot”.

“Kalimi nga një parti në tjetër bëhet vetëm në bazë të interesit të shtetit, por jo për përfitime financiare”

Ndërsa, juristi dhe profesori Muhamet Kelmendi, ka deklaruar se kjo çështje duhet shqyrtuar thellë, sepse nuk është i drejtë largimi nga partia në të cilën populli e ka votuar për atë parti, edhe pse juridikisht deputeti është i lirë.

Image
Muhamet Kelmendi

Kelmendi këtë e ka lidhur edhe me largimin e Osmanit nga LDK-ja, sipas tij Osmani i kishte marrë votat në emër të LDK-së.

“Kalimi nga një parti në tjetrën e deputetit është çështje që kërkon shqyrtim të thellë. Parimisht nuk është e drejtë që deputeti të dalë kundër qëndrimeve të partisë, sepse vendi i deputetit është fituar nëpërmjet partisë dhe nga anëtarët e saj për programin politik që ka partia. Kuptohet se juridikisht deputeti është i lirë dhe vendos në bazë te mendimit të lire. Thuhet se i nënshtrohet vullnetit të votueseve dhe përgjigjet para votueseve të vet. Mirëpo, deputeti ka dalë në zgjedhje dhe i ka fituar votat e përkrahësve të partisë së vet dhe ata përkrahës e kanë votuar për të mbrojtur pikëpamjet e partisë e jo të ndonjë kandidati tjetër në Parlament. Votat e Vjosës ishin të saja dhe të LDK-së. Në emër të LDK-së i kishte marrë votat. Edhe tash në emër të subjektit të vet të futur në koalicion me LVV-në i mori votat. Në kuadër të PDK-së dhe të AAK-së, deputetja Grainca dhe Reshitaj de-fakto i morën votat në zgjedhje nga votuesit për programin politik të partive që konkurruan dhe u zgjodhën deputete, për t’i mbrojtur programet politike të partive të veta”, ka theksuar Kelmendi.

Ai më tej ka shtuar se këto nuk janë votuar për tu zgjedhur jashtë partisë dhe sipas Kelmendit, PDK dhe AAK duhet të veprojnë në mënyrë juridike ndaj Graincës dhe Reshitajt, por që ndaj tyre duhet të vendos KQZ dhe Kuvendi.

“Ato nuk u zgjodhën për të votuar jashtë programit zgjedhor të partisë. Z. Reshitaj ishte e qartë se Ramush Haradinaj kishte shpallur kandidaturën për President të Republikës. Dhe në këtë pozitë të dalë kundër partisë (AAK) dhe të votojë kundërshtarin e programit politik që u zgjodh, është një veprim që e ndalon partia. Tash a kthehet mandati apo jo? Kjo është një çështje që deri më tash nuk është aprovuar në Kosovë. I takon PDK-së të veprojë me masa juridike ndaj z. Grainca dhe AAK-së ndaj z. Reshitaj. Për to duhet të vendos Kuvendi dhe KQZ-ja, si do të vendosin është një çështje që nuk ka rregullim të qartë juridik. Sipas normave juridike mbi zgjedhjet dhe partitë politike, nuk ka dispozitë që ndalon kalimin e deputetit nga një subjekt në tjetrin. Çdo subjekt ka vepruar kështu. Znj Reshitaj ka qenë në AKR erdhi në AAK dhe tash kaloi në koalicionin LVV. Pra, kemi të bëjmë me një personalitet të paqëndrueshëm politikisht dhe shumë të rrezikshëm e karrierist në politikën e vendit. Veprimet e saj janë tipike të interesit”, është shprehur Kelmendi.

Ai thotë se sikur Reshitaj, edhe Grainca kanë qëllime karrieriste, derisa për këtë të fundit shton se mund të qëndrojë diçka tjetër pas saj, pasi është e re në politikë. Madje, ai vlerëson se me raste të tilla të kalimit të deputetëve në këtë mënyrë nga njëra parti në tjetrën, duhet të merret edhe prokuroria.

“E njëjta është edhe të z. Grainca. Ajo si e moshës së re është e domosdoshme që qëndron diçka tjetër prapa veprimit të kalimit nga PDK-ja në anën e LVV-së. Kjo për faktin se ende nuk ka formim të qartë politik dhe nuk është e mbushur me interesa financiare a karrieriste në politikë. Në rastin e tillë i takon edhe prokurorisë të merret me kalimet në partitë tjera. Kalimi nga një subjekt në tjetrin bëhet në bazë të ideologjisë dhe interesit të shtetit, të masave dhe të popullit. Kurrsesi nuk bëhet për interesa karrieriste, për tenderë nga pushteti dhe as për përfitime tjera financiare. Kjo është vepër penale dhe merret mandati i deputeti. Prandaj duhet shqyrtuar prokuroria të dy rastet! Pra, shohim një grumbull çështjes të dyshimta që duhet të shqyrtohet nga organet dhe që kërkon të merren vendime nga ana e organeve kompetente”, ka përfunduar Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

Krasniqi: Me largimin e deputetëve, partitë humbin edhe një pjesë nga elektorati

Ndërsa analisti politik Islam Krasniqi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se LDK-ja me largimin e Osmanit ka humbur 50% të elektoratit, madje duke shpresuar edhe fatkeqësinë e Kurtit, por nga dëshpërimi larguan edhe Reshitajn nga partia.

“Ka kaluar koha që deputetët të jenë në një vijë me partinë edhe atëherë kur lideri i partisë e ka gabim. LDK-ja kishe paguar për çmimin e largimit të znj. Osmani, duke i humbur rreth 50 % të elektoratit. Lideri i AAK-së ka pritur që të ketë krizë institucionale me bindjen se do t'i ofrohet posti i presidentit duke shpresuar në fatkeqësinë z.Kurti se ai nuk mund t'i sigurojë numrat dhe i dështoi, pasi që z. Kurti i kishte siguruar votat dhe nga dëshpërimi largon nga partia deputeten Albena Reshitaj se pse ajo kishte qëndruar në sallë për t'i bërë kuorumin znj.Osmani”, ka thënë Krasniqi.

Më tej, ai ka theksuar se partia duhet të kërkojë vetëm arsyetim, madje edhe duhet kuptuar se me largimin e një deputeti, largohet edhe një pjesë e elektoratit.

Sipas Krasniqit, lideri i kësaj partie me përqindjen e votave që ka kërkuar, ka bërë që deputetët e tij të largohen dhe të kuptojnë se është kafshatë e madhe për ta.

“Unë mendoj se mendimet ndryshe duhet të merren si vlerë, ato e forcojnë demokracinë, e jo si tradhti sepse çdo individ i ka parimet dhe mendimet e veta, ka ndërtuar një integritet i cili nuk duhet të lejohet të shkelet nga askush. Andaj partia mund të largojë një deputet, por duhet kuptuar se së bashku me atë deputet po largohet edhe një pjesë e elektoratit, partia duhet vetëm të kërkojë arsyetimin për veprimin ose mos veprimin por jo edhe kushtëzimin, sepse deputetët marrin votat në emrin e vet jo të partisë, dhe mandati nuk kthehet. Lideri i AAK-së ka shpresuar te posti i presidentit me 7% të votave dhe matematikat i kanë dështuar, pasi që edhe deputetët e tij se kanë parë se është kafshatë e madhe për ta”, ka deklaruar Islam Krasniqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat