“Bajraktari” i Gllogjanit në rrugë të Nismës, Haradinaj kritikohet ashpër për sulmet ndaj presidentes Osmani

Politika

“Bajraktari” i Gllogjanit në rrugë të Nismës, Haradinaj kritikohet ashpër për sulmet ndaj presidentes Osmani

Nga: A.SH Më: 8 prill 2021 Në ora: 13:44
Ramush Haradinaj, Vjosa Osmani, foto ilustrim nga "Bota sot"

Opozita kundërshtoi e po vazhdon ta bëjë këtë, edhe pas zgjedhjes së presidentes së vendit, Vjosa Osmani.

Është kreu i AAK-së i cili nuk po i ndal kritikat dhe kundërshtimet.

Ai po akuzon se zgjedhja e Osmanit presidente është bërë me vota të kontrabanduara dhe madje e ka quajtur Osmanin presidente të Albin Kurtit.

Haradinaj, i cili ishte dhe kandidat për president nga AAK, duket se ende nuk e ka pranuar disfatën e kësaj gare.

Lidhur me këtë, analisti politik Gani Qarri një prononcim për “Bota sot”, ka komentuar deklaratën e tij duke thënë se, sjelljet prej “bajraktari” të Gllogjanit, e kanë dërguar partinë e tij në prag të ekzistencës, ku sipas tij, dihet mirë nga mbarë opinioni i vendit, se Vjosa Osmani ka marrë e vetme mbi 6 herë më shumë vota se krejt partia ‘rajonale’ e Ramush Haradinajt.

“Vet sjelljet e paprecedent të "bajraktarit" të Gllogjanit Ramush Haradinaj, e kanë kthye edhe partinë që ai drejton, në një grupacion rajonal dhe sjellë gati në prag të ekzistencës si subjekt politik. Madje duket se së shpejti NISMA-n e Fatmir Limajt, do ta pasojë edhe AAK, e cila është afër të bie nën prag zgjedhor dhe t’i bashkohet partisë së Limajt, në vajtimin e humbjeve dhe perëndimit të kohëve të arta, kur këta vet, si të parët e partive të inkriminuara, silleshin jo si politikbërës por si dallkaukë politikë, duke zhvatur e plaçkitur, kapur shtetin e quar vendin në varfëri të skajshme dhe izolim total, si asnjë vend tjetër në rajon. Ramush Haradinaj, meqenëse tanimë ka humbur të gjitha gjasat për të kapur postin e të parit të shtetit, pasi e bëri Goran Rakiqin me vota kundër kushtetuese zëvendëskryeministër të parë të vendit dhe bashkë me Thaçin, u shkonin njerëzve natën shtëpi për shtëpi duke kërkuar vota, për të formuar një qeveri kundër kushtetuese si ajo e Hotit, të cilën e rrëzoi Gjykata Kushtetuese, tani ka filluar ta akuzojë edhe Vjosa Osmanin se kinse ajo na qenka presidente e Kurtit, kur dihet mirë nga mbarë opinioni i vendit, se Dr. Vjosa Osmani ka marrë e vetme mbi 6 herë më shumë vota se krejt partia (rajonale) e Ramush Haradinajt”, është shprehur Qarri.

Image
Gani Qarri

Ai ka thënë se Haradinaj ka harruar që Osmani është doktor shkence për Ramushin dhe presidente aktuale e popullit të Kosovës. Ai pyet, se në emër të kujt flet Haradinaj, me vetëm 58 mijë vota bashkë me partinë, që përkthyer në përqindje, i bie të jetë vlerësuar nga elektorati i vendit, vetëm sa një ish bajraktar fshati?

“Madje bajraktarit të Gllogjanit, Ramush Haradinajt, nëse ka harruar kaq shpejtë, duhet bërë të ditur, se Dr. Vjosa Osmani është doktor shkence për Ramushin dhe presidente aktuale e popullit të Kosovës e cila e vetme ka marrë mbi 300 mijë e 756 vota, përderisa ai bashkë me AAK, që tash e rreth dy dekada e kryeson, nuk kanë arritur të marrin më shumë se 58 mijë e 281 vota, gjë që po të kishte vetëm pak karakter, do të turpërohej dhe nuk të fliste fare, se lëre më të vlerësonte se, si e pse dhe presidente e kujt na qenka Vjosa Osmani. Për aq më tepër, lind pyetja se në emër të kujt vallë, flet ky njeri, me vetëm 58 mijë vota bashkë me partinë, që përkthyer në përqindje, i bie të jetë vlerësuar nga elektorati i vendit, vetëm sa një ish bajraktar fshati?! Për aq më keq për të, vetëm pak kohë më parë, po ky bajraktar i katundit të Gllogjanit, edhe për Vlora Çitakun deklaronte se është ambasadore e Thaçit. Ndaj doemos lind pyetja se kush qenka sipas tij, zyrtar i ligjshëm i Kosovës, a thua vetëm Goran Rakiq me bandat e veriut të vendit dhe të preferuarit e Aleksandër Vuçiqit me të cilët partitë e inkriminuara, bëjnë dallavere dhe biznese më se dy dekadash”, ka vlerësuar tutje ai.

Në fund Qarri thekson se Haradinaj të gjitha këto i bënë nga xhelozia dhe për shkak të pa aftësive të veta personale, për të arritur me vota dhe dije në ato pozita.

“Ai përveçse dëshmon tërë paditurinë dhe cektësinë e vet të trishtë politike, Ramushi bëhet edhe tepër cinik e i padurueshëm, kur shpreh kaq hapur urrejtjen e patolerueshme publike ndaj gjinisë femërore, duke sulmuar me shprehje e deklarata adoleshente, pothuajse të gjitha gratë e suksesshme që me punën, angazhimin, sinqeritetin dhe inteligjencën e dalluar, kanë arritur me meritë në pozita të larta shtetërore. Pra, të gjitha këto, ai i bënë nga xhelozia dhe për shkak të pa aftësive të veta personale për të arritur me vota dhe dije në ato pozita, duke parë me nostalgji, se edhe pas 21 vitesh, bashkë me gjithë partinë, nuk arrin të grumbullojë as 1/6-at, e votave të një femre të suksesshme si bie fjala Dr. Vjosa Osmani dhe duke mos ditur çfarë të bëjë, shpërthen në ofendime e shprehje të pamatura jo vetëm politike por edhe fyerje personale, tanimë edhe ndaj presidentes aktuale të vendit, e cila e vetme ka arritur të fitoj rreth 6 herë më shumë vota se e gjithë kuasi-partia e bajraktarit Ramush Haradinajt. Post ky, që Ramushi e donte për veti, por siç shihet edhe nga rezultati i votimeve të fundit, ai këtë post, mund vetëm ta ëndërroj, sepse me deklarata dhe sjellje të tilla, do të humbë edhe më tepër, kurse për të fituar, kurrë nuk do të fitojë, e ndoshta do të bie edhe nën prag zgjedhor dhe të dështoi vet bashkë me partinë që udhëheqë, njëjtë si Fatmir Limaj, të cilit edhe atje ku ka rënë, pa mëdyshje i duhen shokët e "luftës" që të paktën, dinë të këndojnë mirë si Ramushi, për të interpretuar në duet: "Ku jem kanë, e ku kem rënë"...o medet”, ka përfunduar Gani Qarri për “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat