Suksesi i Listës ‘Guxo’, në duart e bijës së heroit të Kombit Jusuf Gërvalla

Politika

Suksesi i Listës ‘Guxo’, në duart e bijës së heroit të Kombit Jusuf Gërvalla

Arife Morina Nga Arife Morina Më 8 prill 2021 Në ora: 20:29
Donika Gërvalla

Në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, Vjosa Osmani e cila është tashmë presidentja e vendit, kishte marrë pjesë me Listën ‘Guxo’, e cila i ishte bashkuar listës garuese të Lëvizjes Vetëvendosje.

Formimi i iniciativës ‘Guxo’ erdhi pas largimit të Vjosa Osmanit nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ku edhe ishte shkarkuar nga funksionet e brendshme partiake, në të cilat ajo ishte pjesë.

Ndonëse, me largimin nga LDK-ja mendohej se Vjosa Osmani do të dobësohej politikisht, ndodhi e kundërta, pasi ajo në zgjedhjet e fundit doli si kandidatja më e votuar me mbi 300 mijë vota elektorale.

Përveç kësaj, shtatë deputetë nga kjo listë siguruan ulëse në Kuvendin e Kosovës, ku më pas disa prej tyre u bënë edhe ministra të qeverisë së re. Kjo nënkupton se me këtë fuqi politike që kanë, ata mund ta formojnë grupin e tyre parlamentar.

Mirëpo, me zgjedhjen presidente, Vjosa Osmani dha edhe dorëheqje nga të gjitha funksionet politike në iniciativën e saj, ‘Guxo’. Tani, udhëheqëse e re e kësaj liste pritet të jetë ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla.

Pas largimit të Osmanit, u spekulua se deputetët e Listës ‘Guxo’ do t’i bashkoheshin LDK-së, pasi kjo e fundi zgjati ‘dorën e pajtimit’ duke e votuar presidenten e vendit.

Por, kjo gjë u hedh poshtë nga deputetët e saj, duke deklaruar se do të fokusohen në reformimin e brendshëm, duke përmendur edhe sfidat e mëdha në riorganizimin e brendshëm politik, ku pas suksesit të madh në zgjedhjet e fundit parlamentare, pretendohet zgjerimi i saj me prurje të reja politike.

Njohësit e çështjeve politike për gazetën “Bota sot”, komentuan sfidat dhe reformat të cilat duhet bërë në Listën ‘Guxo’, deputetët dhe anëtarët e saj.

Ata u shprehen optimistë se me Donika Gërvallën në krye, kjo iniciativë politike do të korrë suksese të mëdha në skenën politike.

Qarri: Lista ‘Guxo’ do të zgjerohet dhe stabilizohet në të ardhmen 

Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri në një prononcim ka folur për situatën politike brenda Listës ‘Guxo’ pas dorëheqjes së presidentes Vjosa Osmani.

Image
Gani Qarri

Qarri tha se ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, e cila pritet ta udhëheqë tani Listën ‘Guxo’,  është një grua e shquar e inteligjente, me një reputacion të gjerë politik e kombëtar. Ai përmendi edhe faktin se Gërvalla ka qenë njëra ndër kandidatet më të votuara në vend, në zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Siç dihet tanimë nga opinioni i gjerë, në zgjedhjet e fundit, përveç Dr. Vjosa Osmanit, e cila doli e para nga të gjithë kandidatët në vend, po ashtu, numër të madh të votave ka marrë edhe zonja Donika Gërvalla, ndaj pas marrjes së postit të presidentit dhe dorëheqjes së zonjës Osmani nga kryesimi i Listës "Guxo" ashtu siç ka bërë të ditur edhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit rural, Faton Peci, nga tash Listën "Guxo" do ta udhëheq ministrja aktuale e Punëve të Jashtme, znj. Donika Gërvalla, edhe kjo po ashtu një femër e shquar e inteligjente dhe me reputacion të gjerë politik e kombëtar”, ka deklaruar ai.

Tutje, analisti u shpreh se përveç suksesit në zgjedhjet parlamentare, Gërvalla vjen edhe nga një familje e shquar e cila për disa dekada me radhë është marrë me aktivitete të gjata politike e kombëtare brenda dhe jashtë vendit.

Qarri numëroi edhe disa karakteristika të cila ministren Gërvalla e bëjnë një politikane të zgjuar dhe të suksesshme.

“Madje përveç suksesit në zgjedhje, Donika është edhe bijë e heroit të Kombit Jusuf Gërvalla, pasardhëse e një familje të mirënjohur e me renome disa dekadash për aktivitete të gjata politike e kombëtare brenda dhe jashtë vendit, e cila tanimë mbanë edhe një nga pozitat më të larta shtetërore, atë të ministres së Jashtme të Kosovës, në të cilën pritet të ketë sukses si politikane me përvojë të konsiderueshme, e shkolluar në shtetin e madh e të zhvilluar të Gjermanisë, njohëse e mirë e disa gjuhëve të huaja dhe kontaktet e ngushta që ajo ka me ministra dhe deputet të Bundestagut gjerman, si dhe ata evropian, kështu që besohet fort, se nën udhëheqjen e saj edhe Lista Guxo, do të zhvillohet e forcohet edhe më tej”, ka theksuar ai.                                                      

Në vazhdim, Qarri paralajmëroi për një rritje dhe zgjerim të Listës ‘Guxo’ në të ardhmen. Sipas tij, dy arsyet kryesore pse kjo Listë do të zgjerohet edhe më shumë janë Vjosa Osmani dhe Donika Gërvalla, të cilat tani mbajnë dy nga pozitat më të rëndësishme politikë në vend.                                                                                                                                 

“Vet fakti se dy zonjat e para të saj, si Dr. Vjosa Osmani, ish themeluese dhe ish udhëheqëse e parë e kësaj Liste, e cila tanimë mbanë edhe pozitën e Presidentes së vendit, si dhe zonja Donika Gërvalla, ministre e jashtme nga Lista "Guxo", të cilat përveçse përbëjnë arritjet më të mëdha për to dhe iniciativën e tyre, janë edhe të realizuara në kohë rekorde, poste jo vetëm shumë domethënëse, por kolosale dhe mjaft premtuese për reputacion të mirë, të brendshëm e të jashtëm të shtetit dhe vet Listës "Guxo", që sigurojnë edhe besueshmëri te elektorati i vendit, ndaj Lista "Guxo", pritet të rritet e zgjerohet edhe më tej, për të cilën është krenari e madhe dhe shumë domethënëse që dy nga postet kryesore të shtetit, i mbajnë vet zonjat e para dhe emrat kryesor të kësaj Liste, si Dr. Vjosa Osmani dhe Donika Gërvalla”, ka potencoi Qarri.

Në fund, analisti Qarri deklaroi se duke parë mundësin që deputetët e Listës ‘Guxo’ kanë duke formuar Grupin Parlamentar dhe duke u bazuar në të gjitha argumentet e lartpërmendura, mundemi të themi se kjo listë do të forcohet dhe stabilizohet politikisht.

“Kështu që duke parë suksesin në zgjedhjet e fundit parlamentare, ku tani deputetët e kësaj iniciative mund ta formojnë edhe Grupin e vet Parlamentar, ndaras nga VV, si dhe faktet tjera të lartcekura, të gjitha këto lënë të shpresohet se edhe pas dorëheqjes së zonjës Vjosa Osmani, kjo listë, jo vetëm që do dhe duhet të arrijë të mbijetojë, por edhe pritet të forcohet dhe rritet e stabilizohet edhe më tej, megjithëse iniciativë e re dhe e sapo dalë në skenën e ashpër politike të vendit”, ka përfunduar Gani Qarri për “Bota sot”.

Halili: Donika Gërvalla, në krye të listës "Guxo" 

Kurse, profesori dhe anëtari i Akademisë Shqiptare-Amerikane për Shkencë dhe Arte në SHBA, Nijazi Halili foli për drejtuesen e re të Listës ‘Guxo’,  e cila pritet të jetë Donika Gërvalla.

Image
Nijazi Halili

Halili përmendi edhe zgjedhjet e brendshme në këtë iniciativë, ku Gërvalla nuk e kishte mohuar kalimin në krye të saj, ndonëse ky proces, pritet të mbahet me votë të fshehtë.

“E pyetur Donika Gërvalla, se kush do të jetë kryetar nëse Vjosa Osmani bëhet presidente, ajo nuk e ka përjashtuar as veten, por ka thënë se kryetari/ja do të zgjidhet me votë të fshehtë. Megjithatë me një prononcim të fundit  nga ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci ka bërë të ditur se ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla do ta drejtojë Listën ‘Guxo’”, deklaroi ai.

Në vazhdim, Halili përmendi deklaratën e Gërvallës e cila kishte thënë se zgjedhjet e brendshme do të mbahen në Prishtinë, mirë organizimi i tyre kërkon kohë dhe sfida.

Ai tha se pa lideren e saj, Vjosa Osmani, fillimi i një reformimi të Listës ‘Guxo’, do të jetë një sfidë e madhe për deputetët dhe anëtarëve të saj.

“Pastaj Donika Gervalla, kishte potencuar se është shumë e qartë që nga kjo listë do të rezultojë një subjekt politik i qendrës së djathtë, ne do ta regjistrojmë partinë. Ne do t’i organizojmë degët, pastaj bëjmë një mbledhje në Prishtinë dhe bëjmë zgjedhje. Shumë lehtë është të thuash që do ta bëjmë, por implementimi kërkon kohë dhe ka sfida të shumta.

Sipas drejtuese se MPJ, Donika Gërdallës, le të kupton se reformimi dhe organizimi i kësaj partie do të merr kohë dhe besoj fuqishëm se do të jetë  sfidë  fillimi rreth reformimit  të këtij  subjekti, pa liderin e saj, nismëtaren  Guxo, Dr. Vjosa Osmani, tani në detyrën e re Presidente e Republikës së Kosovës”, ka theksuar profesori.

Në fund, sipas anëtarit të Akademisë Shqiptare-Amerikane për Shkencë dhe Arte në SHBA, i gjithë reformimi politik i kësaj iniciative, do të varet nga organizimi i brendshëm dhe prurjet e reja, të cilat mund ta rifreskojnë këtë listë.

“Edhe vetë  Donika Gërvalla,  kishte deklaruar se do të fillojmë dalë ngadalë t’i mbajmë kuvendet tona. Kjo nuk është një çështje që kryhet sot për sot, por në 10 e 20 vitet e ardhshme”, andaj me plotë  bindje mund të them se i mbetet kohës që  është treguesi më i mire, lidhur me hapat në vijim të  këtij subjekti politik, por krejt për fund i gjithë procesi do të varet  nga organizimi dhe funksionimi i strukturave të brendshme, pastaj freskimi me  kuadro apo prurje të reja, të  cilët  do reflektojnë e do jenë shtytës për funksionim sa më mirë  të  këtej subjekti të  ri”, ka përfunduar profesori Nijazi Halili, përcjell “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat