Vendimi i Albena Reshitaj, kështu e komenton analisti politik

Politika

Vendimi i Albena Reshitaj, kështu e komenton analisti politik

Nga: A.Z Më: 8 prill 2021 Në ora: 22:40
Albena Reshitaj

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albena Reshitaj, e ka sqaruar edhe një herë arsyen e pjesëmarrjes në Kuvend në ditën e zgjedhjes së Vjosa Osmanit Presidente.

Ajo u shpreh se këtë e bëri për interesa të vendit dhe jo ato partiake, si dhe i quajti shpifje fjalët se ajo e kontrabandoi votën e saj.

Reshitaj shtoi se unë jam deputete e AAK-së dhe pjesë e grupit parlamentar të kësaj partie. Nëse më përjashtojnë, atëherë do të mbetem deputete e pavarur.

Lidhur me këtë, analisti Leon Duhanaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se në Kosovë kemi problem me kuptimin e demokracisë, por është e vështirë për të kuptuar edhe veprimet e njëanshme të një deputeti që janë në kundërshtim me të shumicës, përkatësisht me nënkryetar që bënë veprime të kundërta nga partia.

“Për mendimin tim, në Kosovë kemi një problem thelbësor me kuptimin e demokracisë. Kam përshtypjen se nganjëherë pretendojmë të bëhemi më demokratë sa duhet. Është problem për t'u kuptuar dhe arsyetuar vendimi i një deputeti i/e cila bën veprime të njëanshme, në kundërshtim me vendimet e shumicës. Demokracia si nocion, është vendim i shumicës prandaj të tjerat janë arbitraritet. Është njësoj sikur një kryetar të merr vendime pa i konsultuar strukturat e partisë, si një deputete anëtare, përkatësisht nënkryetare e partisë të dalë me veprime të kundërta nga vendimet shumicë të partisë”, deklaroi Duhanaj.

Më tej ka theksuar se duhet t’iu përmbahemi rregullave të demokracisë kur kemi të bëjmë me kalime të tilla. Sipas Duhanaj, Reshitaj tani ka humbur kredibilitetin moral, prandaj AAK-ja vendosë se a do ta pranojë prap apo jo.

“Është e njëjta gjë me vendimin e znj. Osmani, kur vendosi në kundërshtim me vendimet e shumicës t'i japë të drejtë LVV-së, me ç'rast u bë sebep që qytetarët ta besojnë tregimin e Kurtit e jo të LDK-së. Edhe demokracia ka rregullar që duhet t'u përmbahemi për ndryshe nuk e di ku ndalemi. Aq më tepër kur kemi kalime nga një skaj ideologjik në tjetrin, që lë të kuptohet injoranca e deputetëve të caktuar. Znj. Reshitaj, ka shprehur vullnetin të qëndroj në AAK, kjo tashmë nuk varet prej saj, pasi që e ka humbur kredibilitetin moral. Mbetet të shihet nëse AAK-ja, vendosë ta pranojë prap në gjirin e sajë. Shpeshherë e drejta juridike nuk përputhet me disa rregulla të pashkruara, siç është lojaliteti karshi vendimeve të shumicës”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat