Mbështetja financiare për ish-krerët e UÇK-së, Kelmendi: Duhet kërkuar shkaku pse u ndanë kaq shumë mjete

Politika

Mbështetja financiare për ish-krerët e UÇK-së, Kelmendi: Duhet kërkuar shkaku pse u ndanë kaq shumë mjete

Nga: A.Morina Më: 9 prill 2021 Në ora: 22:58
Foto ilustrim "Bota sot"

Janë bërë disa muaj, që nga shkuarja e ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi në Hagë.

Atyre iu konfirmuan aktakuzat e ngritura nga Gjykata Speciale, për krime lufte.

Mirëpo, mbështetja financiare për avokatët mbrojtës të të akuzuarve nga Dhomat e Specializuar me seli në Hagë, buxhetit të Kosovës i ka kushtuar mbi 464 mijë euro.

Natyrisht, kjo është një shumë e madhe, por nga buxheti i vendit pritet të ndahen edhe shuma të tjera, për përkrahjen financiare të avokatëve mbrojtës të të akuzuarve në Hagë.

Profesori dhe njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar shumën e parave të ndara nga shteti, për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së, që gjenden në Hagë.

Kelmendi tha se shteti ka detyrë që t’i përkrah me ndihma financiare dhe juridike, shtetasit e saj.

Image
Muhamet Kelmendi

“Është detyrë e shtetit që shtetasit e vetë kudo ku gjenden, t’i mbrojë dhe t’i jap përkrahje financiare dhe ndihmë juridike.

Kjo edhe më tepër, nëse krerët e shtetit kapen dhe vihen në karrigen e të akuzuarve dhe ku implikohet shteti nga ata janë”, deklaroi ai.

Profesori u shpreh se është një e drejtë kushtetuese, ku nuk e lë askënd pa mbrojtje juridike, pasi nuk ka procese gjyqësore që zhvillohen pa avokatë.

“Është e drejtë kushtetuese se në gjykatë askush nuk lejohet pa mbrojtje të kualifikuar juridike. Këtë mbrojtje e kanë qytetarët tanë në Kosovë dhe në botën e jashtme, nuk ka procese pa avokatë”, theksoi Kelmendi.

Në fund, ai tha se mbrojtja në gjyq është e drejtë elementare e lirive të njeriut, mirëpo në rastin e ish-krerëve të UÇK-së, duhet të kërkohet arsyeja pse janë ndarë kaq shumë mjete.

‘E drejtë elementare e lirive të njeriut dhe të qytetarëve është dinjiteti dhe mbrojtja në gjyq. Këtu duhet kërkuar shkakun pse u ndanë kaq shumë mjete nga Kosova për mbrojtjen e të akuzuarve në Hagë”, përfundoi Muhamet Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat