Udhëheqësit e Serbisë në ankth, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani ua ndryshuan planet

Politika

Udhëheqësit e Serbisë në ankth, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani ua ndryshuan planet

Arife Morina Nga Arife Morina Më 10 prill 2021 Në ora: 08:38
Albin Kurti, Vjosa Osmani

Ende pa rifilluar dialogun me Kosovën, Serbia ka filluar t’ia ketë frikën presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti. 

Politikat dhe qëndrimet e Kosovës ndaj bisedimeve me Serbinë, kanë ndryshuar me zgjedhjen e qeverisë së re dhe presidentes së re.  

Kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani ia kanë bërë me dije udhëheqësve serb se pa njohje të pavarësisë dhe pa kërkim falje për krimet në luftën e fundit, nuk ka marrëveshje për stabilizim të marrëdhënieve në mes të dyja shteteve.  

Këto deklarata dhe qëndrime të liderëve shtetëror të vendit, siç duket i kanë frikësuar politikanët serb. 

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiqi ditë më parë deklaroi se Ramush Haradinaj ishte ‘lule’ në krahasim me Kurtin dhe Osmanin.  

“Ne thamë se Haradinaj ishte më e keqja, por tani, Haradinaj ishte lule në krahasim me Kurtin dhe Osmanin”, tha Daçiq. 

Ai tha se kryeministri Albin Kurti dhe presidentja e re e Kosovës, Vjosa Osmani, janë një kombinim që ka mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare. 

Se frikën Albin Kurtit ia ka edhe kryeministri serb, Aleksandër Vuçiq, e vërteton një deklaratë e këtij të fundit muaj më parë për kryeministrin e ri të Kosovës. 

“Kam frikë për ndikimin që mund të ketë në dialog. Ditët e fundit, deklaratat e tij publike kanë qenë tre herë më të këqija se ato të Hashim Thaçit dhe Ramush Haradinajt”, ka thënë Vuçiç. 

Njohësit e çështjeve evropiane dhe politike për gazetën “Bota sot” deklaruan se tani dialogu me Serbinë do të marrë kahjen e duhur, me zgjedhjen e udhëheqësve të rinj. 

Ata u shprehën se me ardhjen e Kurtit dhe Osmanit në pushtet, ka vdekur ideja për shkëmbim të territoreve dhe formimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe.  

Voca: Me Vjosa Osmanin presidente dhe Albin Kurtin kryeministër, dialogu me Serbinë do të marrë kahjen e duhur  

Njohësi i Integrimeve Evropiane, Mirsad Voca ka deklaruar se vazhdimi i dialogut me Serbinë do të marrë kahjen e duhur, pas zgjedhjes së Vjosa Osmanit presidente dhe Albin Kurtit kryeministër. 

Image
Mirsad Voca

“Me zgjedhjen e Vjosa Osmanit Presidente dhe Albin Kurtit Kryeministër, vazhdimi i dialogut me Serbinë do të marrë kahjen e duhur dhe sigurisht që kjo jap shpresë për mbyllje të dialogut përmes njohjes reciproke”, ka thënë ai për “Bota sot”.  

Sipas Vocës, liderët e shtetit serb do ta kenë shumë më të vështirë zhvillimin e dialogut me Kosovën, nëse refuzojnë ta njohin atë si shtet të pavarur dhe sovran.  

Tutje, ai u shpreh se nëse politikanët serb i orientojnë politikat drejt Bashkimin Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke kërkuar falje për krimet ndaj popullit të Kosovës, atëherë do të krijohej një lehtësim dhe stabilizim i gjendjes politike në rajon.  

“Serbia do ta ketë më të vështirë nëse liderët e saj janë rezistues ndaj njohjes së Republikës së Kosovës shtet të pavarur, një realitet i pakthyeshëm dhe i patjetërsueshëm. Një qasje e tillë nga ana e tyre, më shumë do të bëjë që t'i largojë ata nga skena politike serbe. Ndërsa do të jetë shumë më lehtësues si për Serbinë, po ashtu për tërë Ballkanin Perëndimor nëse liderët serb reflektojnë sa i përket orientimit të politikës së tyre ndaj BE-së dhe ShBA-së, pastaj duke i kërkuar falje Kosovës dhe popullit të saj për dëmet shumë dimensionale që shkaktuan dhe duke kryer detyrën e dëmshpërblimit si akte që praktikohen në botën perëndimore për të kulmuar me njohje të ndërsjellë, meqë është e vetmja rrugë për paqe dhe stabilitet afatgjatë dhe fqinjësi të mirë”, ka theksuar ai. 

Megjithatë, njohësi i Integrimeve Evropiane, shprehet skeptik rreth ndryshimit të qasjes serbe ndaj Kosovës, pasi inspirimi politik i Aleksandër Vuçiqit dhe Ivica Daçiqit buron nga ideologjia hegjemoniste dhe agresive serbe e viteve të 90-ta.  

“Në të vërtetë nuk pritet shumë nga A. Vuçiq dhe I. Daçiq, duke njohur nga buron inspirimi i tyre politik, meqë mendësia e tyre politike nuk po arrin të shkëputet nga ideologjia hegjemoniste dhe agresive serbe e viteve të 90-ta, të cilën e shpërfaqën ndaj pothuaj të gjithë fqinjëve të saj”, ka nënvizuar ai. 

Mirëpo, ai deklaroi se tani të dy këta udhëheqës serb e kanë të qartë se me Kurtin dhe Osmanin nuk do të kenë mundësi të bëjnë shantazhe si në të kaluarën, duke pasur parasysh pastërtinë dhe ndërgjegjshmërinë e lidershipit të Kosovës. 

“Megjithatë, ata e kanë tani të qartë se ndaj V. Osmani Presidente dhe A.Kurti Kryeministër të Kosovës, nuk do të jetë e mundur të bëjnë shantazhe siç vepronin paraprakisht, sepse nuk do të funksionojnë duke pasur parasysh pastërtinë dhe ndërgjegjshmërinë e lidershipit kosovar madje si një shembull për të gjithë shtetet e Ballkanit Perëndimor”, ka përfunduar Mirsad Voca për "Bota sot".  

Krasniqi: Ka vdekur ideja e shkëmbimit të territoreve, ja nga çka frikësohet Serbia 

Ndërsa, analisti politik Islam Krasniqi, për gazetën “Bota sot” u shpreh se me qeverinë e re dhe presidenten e re, Serbisë do t’i vështirësohet edhe më shumë dialogu me Kosovën, për shkak të politikave dhe qëndrimeve, të Kurtit dhe Osmanit ndaj bisedimeve me Serbinë. 

Image
Islam Krasniqi

“Tani, Serbia do ta ketë më të vështirë procesin e dialogut, sepse kemi një format të ri, saktësisht një qeveri të re dhe një president të ri, të cilët kanë qenë një kohë të gjatë kundër dialogut, por edhe kanë kërkuar gjithmonë që të ndryshohet qasja rreth dialogut nga i cili s’kemi përfituar asgjë”, ka deklaruar Krasniqi.  

Në vazhdim, analisti tha se një nga arsyet pse Vuçiq do ta ketë më të vështirë dialogun me Osmanin dhe Kurtin, është se këta dy udhëheqës kanë ide dhe vizione për bisedimet, derisa paraardhësit e tyre shkonin në Bruksel, pa ndonjë platformë apo vizione të caktuara për dialog. 

“E vërtet se Vuçiqi e ka më të vështirë dialogun me znj. Osmani dhe  z. Kurti, sepse akoma nuk e di qasjen e tyre dhe bashkësia ndërkombëtare nuk mund t'i shantazhojë apo kërcënojë, siç bënte me paraardhësit e tyre, të cilët shkonin në Bruksel pa vizione, pa ndonjë platformë se çka presin nga dialogu, pa ndonjë afat se deri kur do të vazhdohet kështu”, ka potencuar ai. 

Në fund, ai përmendi edhe idenë e shkëmbimit të territoreve dhe asociacionin e komunave serbë, që sipas tij, me ardhjen e Kurtit dhe Osmanit në pushtet këto të fundit janë ide të ‘vdekura’. 

“Tani ata e dinë se do të kenë problem shumë me institucionet e reja, sepse këta liderë e bënë të vdekur  idenë e shkëmbimit të territorit apo asociacionit të komunave me shumicë serbe”, ka deklaruar analisti Islam Krasniqi për "Bota sot".  

Mehmeti: Kurti dhe Osmani ‘frika’ e Serbisë  

Kurse, njohësi tjetër i çështjeve politike Faton Mehmeti, ka thënë se Serbia ka filluar të frikësohet ndaj dialogut me Kosovën, pasi e ka parë se kryeministri i ri Albin Kurti dhe presidentja e re Vjosa Osmani, janë të pa korruptuar dhe të pa shantazhuar.  

Image
Faton Mehmeti

“Padyshim se Serbia i frikësohet Albinit dhe Vjosës pasi janë të pa korruptuar, rrjedhimisht edhe të pashantazhuar. Në këtë aspekt edhe deklaratat e Daçiqit e shprehin pozitën e vështirë të Serbisë, e cila më s’do ketë përballë njerëz të shantazhuar”, është shprehur ai.

Sipas tij, frika serbe është një lajm i mirë për Kosovën, pasi tani nuk do të ketë dyshime nëse udhëheqësit e saj do të bëjnë kompromise me shtetin serb për interesat e tyre personale, siç ka ndodhur në të kaluarën.  

“Ky është lajm i mirë për Kosovën, e cila nuk ka pse të ketë frikë se udhëheqësit e saj do bëjnë kompromise për interesat e tyre personale. Sigurisht se Serbisë duhet vendosur kushte, ne jemi viktima ajo agresori, kjo gjë s’duhet të neutralizohet por të konfirmohet gjithnjë e më shumë”, ka deklaruar Mehmeti.  

Në fund, ai ka potencoi se duke qenë ne (Kosova), viktima të luftës, atëherë kemi të drejta më tepër në raport me Serbinë, në tavolinën e dialogut.  

“Serbia s’mund të jetë e barabartë me ne, pasi ne jemi viktima dhe kemi më tepër të drejta, se Serbia me krimet e saja”, ka përfunduar analisti Faton Mehmeti për "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat