Kërkohet “goditja” nga Qeveria Kurti në këto dikastere

Politika

Kërkohet “goditja” nga Qeveria Kurti në këto dikastere

Nga: N.Sh Më: 10 prill 2021 Në ora: 15:27
Albin Kurti

Një kronologji të ngjarjeve që karakterizojnë pushtetin e kaluar ndër vite, e ka dhënë eksperti i sigurisë Hajrullah Tërnava.

Tërnava i cili dikur shërbente si ministër i Kosovës nga LDK-ja, kohën e fundit është distancuar nga kjo parti, sikurse shumë veprimtar të tjerë.

Në zgjedhjet e fundit, Tërnava kishte përkrahur Vjosa Osmanin dhe Albin Kurtin.

Ai pas fitores së LVV-së ku tashmë kemi të formuara të gjitha institucionet në Kosovë, pret punë shumë të mëdha në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ai shprehet se tash edhe opinioni i mbarë e kanë kuptuar se Kosovën e ka vërshuar krimi.

Ai thotë se, pas vdekjes së presidentit Ibrahim Rugova erdhën në pushtet njerëz jo të ngritur me të kaluara të dyshimta.

“Pra erdhën njerëz jo të arsimuar sa e si duhet, por që ishin pjesëmarrës të luftës, dhe ndodhi që me ato aktivitete kriminale që i ndërmorën erdhën në pushtet dhe e zhvatën këtë shtet deri më tani dhe deri në asht, edhe i harruan ato vuajtjet e popullit në ato kohëra të okupimit serb, përkundrazi ata u vërsulen me ato veprime të tyre kriminale vetëm për t’u pasurua, por paraprakisht ndërmorën riorganizime në të gjitha institucionet e shtetit, dhe i instaluar e emëruan njerëz kinse të besueshëm të tyre që e sollën shtetin në këtë gjendje të mjerueshme, sa që edhe në këto zgjedhje u pa dëshpërimi i elektoratit që ia dha votën LVV me mbi 50% të votave, me të vetmen shpresë që ta provojnë edhe këtë parti në afate më të gjatë 4 vjeçar, duke besuar se udhëheqësit e kësaj partie  janë dëshmuar se nuk janë të korruptuar”, shton ai.

Sipas tij, tani posa e filloi punën Qeveria Kurti 2, u fokusua në sundimin e ligjit.

“Me këto veprime të kësaj Qeverie dhe me emërimet e njerëzve kredibil nëpër poste po argumentohet se ka fillua e mbara në këtë vend. Kjo po pasqyrohet në të gjitha institucionet ku kanë filluar të luftohen të këqijat. Vetë fillimi po e argumenton këtë, sepse po vazhdojnë të zbulohen skandale të njëpasnjëshme kriminale edhe në policinë e Kosovës, e cila fatkeqësisht ka qenë e kapur nga krimi dhe politika. Prandaj qysh tani po shihet e dëshmohet mirëfilli se nëpër këto institucione e pse jo edhe në polici është futur virusi i krimit, që konsiderohet si hallkë e parë së bashku me prokurorinë e inkriminuar në keq menaxhimin dhe prishjen e provave me porosi për rastet e rënda penale e sidomos për shefat që i kanë emërua në ato poste”, thotë Tërnava.

Ai pohon se, departamenti i Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, ka shpallur më 6 prill fajtor katërmbëdhjetë (14) ish-zyrtar policor për veprën penale “marrje të ryshfetit”.

“Polic nga komuniteti shumicë shqiptare dhe pakicë serbe kanë bashkëvepruar kriminalisht në korrupsion. Dënimet për këtë grup kriminal brenda policisë së Kosovës kanë shkuar nga 2 vite e 6 muaj burgim dhe dënim me gjobë në vlerë prej deri në 3.000 euro. Tani veç po shihet qysh në këtë fillim që po ballafaqohemi me këto grupe të policisë që janë inkriminuar në këto krime, por edhe të tjerë që janë në hetime sikur para disa ditëve që u burgosen 10 policë të tjerë për krime të ngjashme, dhe me këto fakte po bëhet gjithnjë e më shumë domosdoshmëri e fillimit të një rishikimi të plotë të stafit të policisë së Kosovës, dhe hulumtimi i gjenezës së tyre familjare dhe personale, për ta parandaluar degradimin dhe depërtimin akoma më të thellë të lidhjeve të krimit të organizuar edhe në polici, përmes lidhjeve politike, nepotizmit dhe të familjarizimit, dhe me këto spastrime së paku mos të kemi ma dyshime në pastërtitë e tyre profesionale”, thekson tutje ai.

Ai pohon tutje se, në të gjitha shtetet e botës policia konsiderohet si institucioni kryesor që e përfaqëson shtetin, prandaj pastërtia institucionale e tyre është kusht nëse duam me e pas një shtet stabil dhe moralisht të pastër, dhe që tani mund të fillohet spastrimi edhe i institucioneve të tjera me radhë.

“Prandaj nëse fillon një spastrim i tillë gjithëpërfshirës në polici, atëherë kjo Qeveri do të hyj në historiatin e saj, sepse iu ka përmbajt premtimeve të saja të dhëna elektoratit të saj, se do i luftoj të këqijat e këtij vendi, që popullit do ia plotësoj dëshirat e tyre, dhe me këto veprime do ta vazhdoj edhe në tjera institucione, dhe me këtë do ua kthej vullnetin popullit për të jetuarit në këtë vend, dhe bindjen se dikush po e dojka këtë vend”, përfundon Hajrullah Tërnava.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat