“Mesazh i qartë nga Amerika”, ja pse Albin Kurti është garantues i marrëveshjes me Serbinë

Politika

“Mesazh i qartë nga Amerika”, ja pse Albin Kurti është garantues i marrëveshjes me Serbinë

Nga: P.R Më: 10 prill 2021 Në ora: 16:05
Albin Kurti

Sekretari Amerikan i shtetit, Antony Blinken i ka shkruar një letër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.

Duke e uruar Kurtin për zgjedhjen e tij në postin e kryeministrit, Blinken ka kërkuar përfshirjen e Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë. Sipas tij, ky proces të kalojë pa vonesa dhe të jetë i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe SHBA.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë mirëpritur formimin e qeverisë së re dhe se presin të punojnë ngushtë për të siguruar, siç ka thënë ai, që Kosova sovrane, e pavarur, shumë-etnike dhe demokratike të zë vendin e saj si partner i barabartë në familjen euro-atlantike. Sigurimi i një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizim me Serbinë, e përqendruar në njohjen e ndërsjellë është thelbësore për Kosovën që të arrijë potencialin e saj të plotë dhe të ecë përpara në rrugën drejt anëtarësimit në BE”, thuhet në letrën e Anthony Blinken.

Image
Demush Shasha

E sipas drejtorit ekzekutiv të institutit EPIK, Demush Shasha, kjo letër është vazhdimësi e qëndrimit të qartë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Konsideroj se letra e fundit e Sekretarit Blinken është në vazhdimësi të qëndrimit të qartë të SHBA-ve për nevojën e vazhdimit të dialogut. Konsideroj se edhe z. Kurti e njeh rëndësinë e dialogut. Prandaj, edhe z. Kurti ka shfaqur gatishmërinë për vazhdimin e dialogut në takimet e tij me Përfaqësuesin Special te BE-së z. Lajcak”, thotë Shasha për gazetën “Bota sot”.

Më tej, Shasha ka thënë se me Vjosa Osmanin dhe Albin Kurtin, Kosova është në pozicion shumë më të mirë në dialog.

“Konsideroj se tani pala e Kosovës është me një pozicion shumë më të mirë negociator pasi që Kryenegociatori i Kosovës, respektivisht z. Kurti ka një mandat plotësisht legjitim për udhëheqjen e dialogut dhe si i tillë ai do jetë në gjendje që të influencoj rrjedhjen e negociatave në formën në të cilën paraardhësit e tij nuk kanë mundur. Poashtu, tani z. Kurti është edhe në pozicion që të jetë garant i zbatimit të një marrëveshje potenciale në mes Kosovës dhe Serbisë”, shprehet Demush Shasha.

Për fund, Shasha deklaron se në procesin e dialogut duhet të përfshihet edhe opozita.

“Njëkohësisht, është jashtëzakonisht e mirëseardhur se tani Kryeministri dhe Presidentja do sigurojnë një koordinim thelbësor dhe mirëfilltë te procesit negociator me Serbinë, për dallim nga procesi jashtëzakonisht kaotik dhe joserioz i viteve të kaluara. Sidoqoftë, është me rëndësi të nënvizohet nevoja për përfshirjen e afërt të opozitës në gjithë procesin negociator me Serbinë”, përfundon për “Bota sot”, drejtori ekzekutiv i institutit EPIK, Demush Shasha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat