Akuzat e reja ndaj Albin Kurtit, nga Vetëvendosje i kundërpërgjigjen Edi Ramës dhe LDK-së

Politika

Akuzat e reja ndaj Albin Kurtit, nga Vetëvendosje i kundërpërgjigjen Edi Ramës dhe LDK-së

Nga: A.Zh Më: 11 prill 2021 Në ora: 09:14
Albin Kurti dhe Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka akuzuar kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin, se po bën fushatë në Shqipëri.

Ai kështu u përgjigj pasi u pyet nëse fushata ishte arsyeja se pse zgjodhi ta publikojë mesazhin pëmes të cilit kryeministri Kurti, i kishte kërkuar atij vaksinimin e mësimdhënësve vendas.

”Jo, Albin Kurti bën fushatë në Shqipëri, unë nuk bëj fushatë në Kosovë”, ka deklaruar Rama për mediat shqiptare.

Atij për këtë deklaratë i është përgjigjur Boiken Abazi, kandidat për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, në zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri.

Abazi ka thënë se ai që mendon se po ndërhyhet në punët e brendshme të Shqipërisë, është sovranit lagjesh (pushtetit), përcjell Bota sot.

Ai në një intervistë për gazetën “Dita”, ka thënë se të tillët janë politikanë të konsumuar, ndërsa ka theksuar se VV-ja punon drejt bashkimit.

“Partitë këtu as nuk e kanë pasur në program e as nuk dinë si ta bëjnë këtë gjë. Askush nuk ia ka ndalur deri më sot. Unë kam lindur e jam rritur në Tiranë, familja ime është nga Delvina e Gjirokastra me origjinë. Mirëpo, edhe po të isha nga Kosova, kushdo që mendon në këtë mënyrë, pra kushdo që mendon se po ndërhyhet në punët e brendshme, është politikan e analist i konsumuar, është sovranist lagjesh (pushteti), që në vend që t’i tregojë Serbisë pavarësinë e sovranitetin e Shqipërisë dhe Kosovës, ia tregon bashkëkombësve të vet. Nuk kam respekt për sovranistët e lagjeve (të pushtetit). Ne punojmë drejt bashkimit”, është shprehur Abazi.

I pyetur nëse kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka një projekt për të qenë kryeministër i dy shteteve, ose një “baba i kombit”, zyrtari i VV-së ka thënë se asnjë projekt kombëtar nuk flet për poste, por për aspiratat e një populli.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sapo ka marrë një mandat nga Kuvendi i Kosovës, për të qeverisur Kosovën, pas një procesi zgjedhor që i ngjau një referendumi të madh. Për herë të parë në Kosovë një subjekt politik, pra Lëvizja Vetëvendosje!, merr rezultatin mbi 50% në zgjedhje parlamentare, kryetari i të cilës është z. Kurti. Baballarët e kombit shqiptar janë figurat e Rilindjes tonë Kombëtare (jo këta në pushtet në Shqipëri). Asnjë projekt kombëtar nuk flet për poste por për aspiratat e një populli”, ka theksuar Boiken Abazi.

Se po ndërhyn në punët e brendshme të Shqipërisë, kryeministrin Kurti dje e ka akuzuar edhe nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës Shqipe Mjekiqi.

“Në kohë krize ekonomike, sociale e të pandemisë në vend se të dalë me një strategji për tejkalimin e kësaj situate, Kryeministri Kurti merret me çështjet e brendshme të Shqipërisë duke favorizuar kandidatë për deputetë! Absurditet e veprim i paprecedent”, ka shkruar dje nënkryetarja e LDK-së në një postim në Facebook./BS

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat