Qeveria deklarohet për takimin Kurti-Borrell, analistët flasin për pritjet dhe kërkesat e BE-së për dialog

Politika

Qeveria deklarohet për takimin Kurti-Borrell, analistët flasin për pritjet dhe kërkesat e BE-së për dialog

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 12 prill 2021 Në ora: 17:30
Albin Kurti

Tani më pas zgjedhjes së Albin Kurtit, kryeministër dhe Vjosa Osmanit presidente e Kosovës, kërkohet që të vazhdojë dialogu me Serbinë. Bashkimi Evropian beson se tani ka ardhur koha që ky proces të përmbyllet me sukses dhe me arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit që do të adresojë të gjitha çështjet e hapura në mes Kosovës dhe Serbisë.

Kështu së fundmi, zëdhënësi i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, Peter Stano, ka thënë se shefi i politikës së jashtme të BE-së, Joseph Borrell, po pret që të takojë presidenten Vjosa Osmanin dhe kryeministrin Albin Kurti së shpejti, pa dhënë detaje të tjera.

“Shefi i politikës së jashtme të BE-së u ka dërguar urimet e tij liderëve të sapo zgjedhur, presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti dhe po pret që t’i takojë së shpejti. Kosova tani vendosmërisht mund të përqendrohet përpara në punë të rëndësishme, përfshirë çuarjen përpara të reformave të ndërlidhura me BE-në dhe dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, tha ai.

Stano nuk ka dhënë datë të caktuar për një takim të radhës të nivelit të lartë për dialogun me Serbinë.

“Do të njoftojmë për takimin e radhës kur të jetë e përshtatshme”, ka thënë ai.

Lidhur me këtë çështje, për gazetën “Bota sot”, ka folur zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Image
Përparim Kryeziu

Ai ka thënë se Zyra e Kryeministrit dhe Brukseli janë në komunikim për datën e vizitës së Kurtit atje.

“Zyra e Kryeministrit dhe Brukseli zyrtar janë në komunikim të vazhdueshëm për datën e vizitës zyrtare të kryeministrit Kurti në Bruksel”, ka deklaruar Kryeziu për “Bota sot”.

Voca: Takimi me Borrell, tregues se Kosova nuk bllokon asnjë dialog

Ndërsa, Mirsad Voca, doktor shkence dhe ligjërues i gjeopolitikës në Paris, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se Borrell dëshiron që sa më shpejt të vazhdojë dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë.

Image
Mirsad Voca

Sipas Vocës, një takim i tillë do të ishte i dobishëm, sepse kjo do tregonte se Kosova nuk e bllokon asnjë dialog, madje përmes saj mund të gjendej një zgjidhje afatgjatë.

“Natyrisht që J. Borrell dëshiron që dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë të vazhdojë sa më shpejt. Përfaqësuesit e shtetit dhe politikës së jashtme të Kosovës do të mund të shprehin gatishmëri për këtë takim dhe të shpalosin pranë tij qëndrimin e tyre lidhur me dialogun. Një takim me shefin e politikës së jashtme të BE-së do të ishte i dobishëm sepse Kosova do të tregonte se nuk e bllokon asnjë dialog dhe se vetëm përmes dialogut do të gjendej zgjidhje afatgjatë. Megjithatë, tani Kosova nuk mund të bëjë dialog sa i përket çështjes territoriale apo integritetit të saj, të cilën liderët e tanishëm të Kosovës e kanë bërë shumë të qartë”, ka theksuar Voca.

Ai shtoi se nga ky takim pritet vetëm gatishmëri për dialog dhe se qeveria nuk duhet të hezitojë për të shprehur qëndrimin për kahjen e dialogut madje duhet orientuar drejt një balancimi të dy palëve në dialog, sepse përndryshe nuk mund të kenë kuptim këto bisedime.

“Nga një takim i tillë nuk pritet ndonjë ngjarje e madhe përveç shprehjes së gatishmërisë për dialog. Qeveria e re e Kosovës nuk do të duhej të hezitoj të shpreh qëndrimin e saj sa i përket formës apo kahjes që dialogu me Serbinë duhet të marr. Deri më tani, bisedimet me Serbinë nuk zhvilloheshin në drejtimin e duhur dhe se tani e tutje, ato duhet orientuar së pari drejt një balancimi të palëve në dialog dhe vetëm me një vizion për njohje reciproke. Përndryshe, bisedimet nuk mund të kenë asnjë kuptim pa u diskutuar dhe dakorduar që në fillim për njohje reciproke”, është shprehur Mirsad Voca për “Bota sot”.

Bytyçi: Takimi formal mund të ndodhë, por nuk zgjidhet konflikti shqiptaro-serb

Ndërsa profesori universitar, Enver Bytyçi, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se Stano në pak raste ka anashkaluar destruktivitetin e Serbisë në dialog, ndërsa që Borell të takohet me Osmanin dhe Kurtin është e ditur, por që ky takim mund të jetë vetëm formal, sepse Kurti dhe Osmani nuk janë ende të gatshëm të flasin për dialogun Kosovë-Serbi.

Image
Enver Bytyçi

“Zëdhënësi Stano është i njohur tashmë si zëdhënës i të ngarkuarit për Punë të Jashtme dhe Siguri të BE-së. Ai shpreh gjithnjë konceptin e secilit prej shefave të tij që ka pasur deri më sot për dialogun Kosovë-Serbi dhe jo rrallë ka marrë pozicion të padobishëm për të drejtën e Kosovës. Ndërkaq jo pak raste ka anashkaluar destruktivitetin e Serbisë në dialog, në marrëdhëniet me Kosovën dhe në sjelljet e saj ndaj popujve e shteteve të tjera në Ballkan. Që Joseph Borrell pret të takohet me zonjën Osmani dhe me zotin Kurti, kjo është e ditur edhe pa folur zëdhënësi i tij. Se janë gati Vjosa dhe Albini të flasin me Brukselin për dialogun Kosovë-Serbi, kjo më duket se është e parakohshme. Ata mund të takohen me Borell, por ky do të ishte një takim formal, sa kohë në Prishtinë nuk është hartuar një platformë e strategji e vazhdimit të dialogut”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Sipas Bytyçit, duhet ditur se në Kosovë ka ndryshuar politika dhe nuk është më dialogu vazhdim i Thaçit, andaj dhe nuk mund të shkohet pa alternativë, pa përgatitje dhe pa rregulla parimore për të përcaktuar fatin e njohjes nga të dy shtetet.

Ai shton se Borrell duhet t’i japë kohë lidershipit të ri, që të bëhen punët më mirë, derisa thotë se mund të ketë edhe takim formal në mes tyre, por nuk e zgjidh konfliktin shqiptaro-serb.

“Duhet ditur se dialogu nuk është më një vazhdim i kompromiseve të Hashim Thaçit në marrëdhëniet me Serbinë. Në Kosovë ka ndodhur një ndryshim i madh politik, i cili ka sjellë gjithashtu ndryshime në konceptin, parimet, strategjinë, rregullat, qasjen dhe taktikat e dialogut. Nuk mund të shkohet edhe më tej me duar në xhepa përballë Borrell ose Vuçiç, siç shkohej më parë. Nuk mund të shkohet për të tundur kokën në shenjë miratimi të propozimeve serbe. Pra, nuk mund të shkohet në këtë dialog pa alternativë, pa përgatitje, pa mendim dhe pa rregulla parimore për të përcaktuar fatin e njohjes së dy shteteve nga njëra-tjetra. Prandaj i ngarkuari i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri mendoj se duhet t’i japë kohë lidershipit të ri të Prishtinës, me qëllim që punët të bëhen pa nguti dhe me pjekuri politike të admirueshme. Nëse ai kërkon me insistim një takim formal, ai edhe mund të ndodhë, por nuk zgjidh asgjë. Një takim formal nuk e zgjidh konfliktin shqiptaro-serb”, ka përfunduar Enver Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat