Kelmendi: Sistemi i drejtësisë duhet të s’pastrohet

Politika

Kelmendi: Sistemi i drejtësisë duhet të s’pastrohet

Nga: D.RR Më: 12 prill 2021 Në ora: 22:21
Ilustrim

Njohësi i çështjeve juridike, Muhamet Kelmendi, në një prononcim për “Bota sot” ka folur për punën në sistemin e drejtësisë.

Ai thotë se ky sistem duhet të pastrohet, teksa ka përmendur me theks të veçantë përfitimet e personave zyrtar të sistemit të drejtësisë, edhe me punë tjera jashtë-zyrtare.

“Sistemi duhet të s’pastrohet. Çështja e përfitimeve të paligjshme dhe në kundërshtim me etikën e prokurorit dhe të gjyqtarit është dukuri që e kanë dhe po e kryejnë shumë nga ata që punojnë në sistemin e drejtësisë. Pozita si anëtarë i KGJK a KPK, si gjyqtarë dhe prokurorë ka bërë që ata të kryejnë detyra të ndryshme brenda afatit të punës dhe në kundërshtim me Ligjin mbi konfliktin e interesave, në subjektet e ndryshme që janë objekt i "hetimeve" të ndryshme kriminale dhe gjyqësore. Kështu kemi të punësuar nga këta nëpër firma të ndryshme, nëpër shkolla profesionale dhe në shumë kolegje të Kosovës, nëpër organizata civile që nuk u dihen nga vijnë financiar etj. Puna e tyre kërkohet edhe shoqata gjoja shkencore, fetare, "analitike" dhe në shërbime të ndryshme. Ka gjithashtu që punojnë edhe në shërbime të shërbimeve të ndryshme shumë të rrezikshme dhe të dëmshme. Elementet e tilla nuk kanë fare kulture dhe etike. Ata nuk respektojnë ligjet. Për ta është çdo gjë paraja. Ajo qëndron mbi interesat e shtetit. Ndaj nuk është fare çudi të dhënat që tregojnë se nga KGJK dhe KPK, nga Gjykata Kushtetuese, nga Gjykata e Apelit dhe nga Gjykata Supreme mbi 70% marrin punë jashtë punës së tyre zyrtare. E keqja këtu është se shumë punë që kryejnë nga gjyqtarët dhe prokurorët është në kundërshtim me ligjin dhe natyrisht e ndaluar për të kryer ato punë nga prokurorë dhe gjyqtarë. Ua ndalon ligji dhe natyrisht se është kundër detyrës dhe etikës që kanë”, ka thënë Kelmendi.

Ai tutje thekson se me punën tjetër që ata bëjnë, bien në kundërshtim me vet sistemin e drejtësisë. Kelmendi thotë se këto fakte tregojnë se vendit i duhet domosdo një spastrim i thellë i drejtësisë.

“Në sistem të drejtësisë ata janë të punësuar për të mbrojtur të drejtën dhe për të ndarë drejtësinë. Për atë paguhen me paga jashtëzakonisht të larta. Të ardhurat personale shkojnë deri në 2500-3000 euro në muaj. Dhe këto paga këtyre nuk u mjaftojnë. Ndërsa, duke punuar kështu, vijnë me punën e tyre në kundërshtim edhe me drejtësinë në vend. Ka subjekte private që tërësisht mund të kontrollojnë sistemin e drejtësisë dhe tërë pushtetin. Ministra dhe zëvendëskryeministra, këshilltarë, etj., punojnë në të njëjtën kohe nëpër institucione private. Angazhohen në kolegje, në institucione private civile, në organizata dhe shoqata civile jo qeveritare etj. Ata i gjejmë në çdo "analizë" që bëhet nga shtetet e mekanizmat ndryshme. Faktet e tilla tregojnë se Kosovës domosdo i duhet një spastrim i thellë i sistemit të drejtësisë në tërësi”, shton ai.

Kelmendi tutje potencon se duhet edhe masa e jo vetëm spastrim i sistemit të drejtësisë, teksa jep mendimin e tij pse kjo dukuri nuk po luftohet.

“Këtu nuk bënë punë vetëm Ligji mbi spastrimin e sistemit të drejtësisë, por duhen edhe masa për të ndëshkuat veprimet e tilla, të cilat e devijuan ligjin dhe shkatërruar shumë sistemin në tërësi. Natyrisht se këta njerëz janë të fortë. Mjafton vetëm një ditë të shkosh nëpër vendet e punës dhe shikon se sa gjenden në vendin e punës! Nëpër gjykata dhe nëpër prokurori ikin ata nga puna. Nuk gjenden aty. Ata gjenden në sektorin privat, në analiza gjoja e duke kryer punë të ndryshme. E dëmshmja është se edhe puna e tyre është e dyshimtë dhe shkon ndeshur me interesat e punës publike dhe etiken juridike të punës që e kryejnë dhe me vete institucionet e shtetit. Këtu nuk është fjala vetëm për punë të drejtë dhe ligjore, por për punë të dyshimtë dhe shume konfliktuoze. Këtej nuk kanë guxim organet e shtetit, si institucionet e luftimit të dukurive antishtetërore, të intervenojnë. Ata janë të fortë sepse shërbimet e tyre janë në interes të subjekteve të jashtme që kanë shumë financa dhe ndikim në vend. Këto subjekte po i futin në zbatim interesat e tyre politike dhe këtej edhe njerëzit e gjykatave dhe prokurorive e ndjejnë vetën të fortë. Ata janë aktualisht të paprekshëm në punën që e kryejnë. Lidhshmëria në mes tyre është e fortë. Gjyqtari mbron gjyqtarin, kolegun, subjektin dhe prokurorin. E prokurori e mbron kolegun dhe mikun që i ka ndihmuar. Pra, janë shumë të lidhur dhe është e rëndë thyerja e këtij zinxhiri të lidhshmërisë së tyre. Po shteti nuk mund t'i tolerojë më. Është koha e fundit që duhet të intervenohet dhe masat përgjegjëse të thellohen. Kësaj pune i ndihmon shumë Ligji mbi spastrimin e sistemit gjyqësor dhe Prokurorial në Kosovë. Këtu e kemi Ligjin mbi konfliktin e interesave dhe atë duhet vërë në jetë. Nuk duhet lejuar punën e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të organeve të pushtetit, të ministrave etj, nëpër institucione private e organizata gjoja civile po shumë të rrezikshme për shtetin. Ekzistimi me qindra organizatave civile në vend, me qindra shkolla dhe firma që nuk u dihet puna, shumë kolegje dhe firma të ndryshme nuk jetojnë vetëm me punë të pastra. Kosova nuk ka kapacitete. Kosova nuk është vend me 10 a 15 milionë banorë që të kemi numër të tillë të organizatave civile dhe të shkollave e të kolegjeve. Është mbushur vendi me analistë! Jo. Ata financohen nga burimet e dyshimta dhe këtu nuk duhet lejuar punën e këtyre subjekteve të dyshimta dhe të rrezikshme. Nuk duhet lejuar ministrin, gjykatësin a prokurorin të punon nëpër kolegje dhe institucione civile. Me punën atje vetëm dëme i sjellin sistemit të drejtësisë”, është shprehur Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat