Kosova pa opozitë, reforma të domosdoshme për LDK-në dhe PDK-në – ky është alarmi për partinë e Abdixhikut

Politika

Kosova pa opozitë, reforma të domosdoshme për LDK-në dhe PDK-në – ky është alarmi për partinë e Abdixhikut

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 13 prill 2021 Në ora: 08:36
Kuvendi i Kosovës

Partitë politike opozitare në Kosovë, përkundër rezultatit tejet të dobët që kanë përjetuar në zgjedhjet e fundit, nuk po arrijnë assesi të dalin me një pozicion të qartë dhe unik për tema e çështje të caktuara karshi qeverisë së plotfuqishme “Kurti II”.

Disa prej tyre madje vazhdojnë të thirren në ish liderët e tyre, duke mos arritur kështu të bëjnë ndryshime dhe të ecin përpara.

Përveç Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), cila muajin e kaluar bëri disa ndryshme të brendshme, partitë tjera opozitare nuk kanë as edhe një plan për të bërë ndonjë reformë të brendshme.

Njohësit e çështjeve politike në vend, janë të mendimit se partitë opozitare; Partia Demokratike e Kosovës (PDK), dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), të cilat edhe shihen si parti të mëdha, i kanë të domosdoshme reformat e thella të brendshme, si parti që kanë humbur zgjedhjet.

Analistët madje konsiderojnë se sindromi i vjetër i partive politike që të thirren në liderët e tyre ka përfunduar, andaj reformat e brendshme i shohin si tejet të nevojshme në këtë kohë.

Kelmendi: Kosova s’ka opozitë, LDK dhe PDK janë katandisur

Analisti politik dhe profesori i shkencave politike, Jeton Kelmendi, në një bisedë për “Bota sot” ka thënë se momentalisht Kosova nuk ka opozitë.

Image
Analisti politik dhe profesori i shkencave politike, Jeton Kelmendi

Kelmendi në një bisedë telefonike për gazetën “Bota sot”, ka deklaruar se dy partitë më të mëdha opozitare (LDK dhe PDK) janë katandisur nga humbja e madhe që kanë përjetuar në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit, ndërsa është i mendimit se vetëm PSD-ja e Molliqajt është partia që është duke e bërë opozitën.

“Kosova nuk ka fare opozitë. Opozita e vetme e cila është minore është partia e Dardan Molliqajt dhe tentativa për një opozitarizëm që e donë vetëm AAK-ja. Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës janë katandisur nga humbja e madhe që kanë përjetuar në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit, dhe me këtë mendoj se Kosova nuk ka opozitë. Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk ka bërë as edhe më të vetmen reformë, po tenton ta kopjojë qasjen politike të Lëvizjes Vetëvendosje. Edhe ata 110 mijë votues që i kanë mbetur, nuk besoj se do t’i ruaj LDK-ja”, ka deklaruar Kelmendi.

Lidhur me reformat në Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kelmendi shprehet se kjo parti në rast se shkohet në zgjedhje nuk merr më shumë se 6 për qind të elektoratit.

“Lidhja Demokratike e Kosovës në rast se shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme nuk besoj se do të shkojë më shumë se 6 për qind. Madje, ka edhe sondazhe ndërkombëtare që LDK-në e rendisin vetëm me 6 për qind. Thjesht është katandisur shumë keq, pas dy-tre palë zgjedhjeve ka mundësi që kjo parti politike të mos e kalojë as pragun zgjedhor. Se çfarë do të ndodhë në këtë hegjemoni politike nuk e di. Mirëpo, kjo është fatkeqësia dhe ky është realiteti”, ka theksuar analisti politik, dhe profesori i shkencave politike, Jeton Kelmendi për gazetën “Bota sot”.

Halili: Partitë politike në Kosovë, me përjashtim të VV-së, nuk dallojnë për ndonjë profil të qartë ideologjik

Kurse, analisti tjetër politik, Nijazi Halili, konsideron se partitë kryesore në Kosovë, me përjashtim të Lëvizjes Vetëvendosje, nuk dallohen shumë për ndonjë profil të qartë ideologjik.

Image
Analisti politik, Nijazi Halili

Sipas tij, të gjitha partitë politike që kanë qeverisur me Kosovën që nga viti 2000, duke përfshirë këtu PDK-në, LDK-në dhe AAK-në, mund të konsiderohen si parti pragmatike të tipit “catch-all”.

“Debati politik mes partive politike në Kosovë karakterizohet nga një shterpësi ideologjike. Në fakt, debati politik në Kosovë pothuajse është i deideologjizuar. Ndërsa LDK-ja dhe PDK-ja definohen në statutet e tyre përkatëse si parti të qendrës së djathtë, statuti i AAK-së dhe ai i VV-së mbeten të heshtur rreth orientimit ideologjik. Ndonëse nuk përmendet shprehimisht në statut, zyrtarët e lartë të AAK-së e definojnë vetveten si parti të qendrës së djathtë, kurse zyrtarët e VV-së e definojnë veten si një lëvizje që përfaqëson një profil ideologjik që i takon social-demokracisë evropiane. Megjithatë, me përjashtim të VV-së, e cila që nga themelimi nuk ka qeverisur me vendin në nivel nacional, të gjitha partitë politike që kanë qeverisur me Kosovën që nga viti 2000, duke përfshirë këtu PDK-në, LDK-në dhe AAK-në, mund të konsiderohen si parti pragmatike të tipit “catch-all””, ka thënë analisti Halili.

Tutje, ai shprehet se a do të reformohen vërtetë partitë politike opozitare, kjo do të vërehet edhe në mënyrën se si do të sillen si opozitë përgjatë kësaj legjislature.

“A janë reformat e domosdoshme për partitë opozitare? Shpreh mendimin që partitë politike kanë nevojë për reformim të vazhdueshëm, dhe jo vetëm pas rezultateve negative në zgjedhje. Rezultati jo i mirë në zgjedhje, ishte si shkas i dorëheqjes se lidershipit të vjetër të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe zgjedhjen e kryetarit të ri të saj. Por, sipas tij, kjo nuk duhet konsideruar si reformë, përderisa ajo nuk shtrihet edhe nëpër degë dhe nëndegë të kësaj partie. Vlerësoj që në mënyrë të njëjtë duhet të veprojnë edhe partitë tjera opozitare si që është PDK-ja dhe AAK-ja. Sa i përket reformimit të PDK-së, mendoj se kjo parti tani ka ushtrues detyre të kryetarit, i cili nuk i ka kompetenca të plotfuqishme, prandaj e ka vështirë se mund të nisë reformimin e tij, brenda partisë. Se a do të reformohen vërtetë partitë politike opozitare, kjo do të vërehet edhe në mënyrën se si do të sillen si opozitë”, tha ai.

Halili shpjegon se nëse ndryshon forma e të bërit opozitë, kjo mund të jetë një shenjë se partitë politike kanë reflektuar dhe kanë nisur të reformohen.

“Nëse fillojnë të veprojnë këto parti politike ashtu siç kanë vepruar edhe në të kaluarën, duke u thirre ne liderin e tyre, atëherë nuk mund të themi se kemi reformë. Por, nëse fillojnë t’i ndryshojnë metodat dhe mënyrat e të bërit opozitar në kuvend apo edhe jashtë tij, atëherë ky është një indikator që ato kanë reflektuar dhe kanë nisur të reformohen”, ka potencuar analisti politik.

Njohësi i çështjeve politike, ka nënvizuar se sindromi i vjetër i partive politike që të thirren në liderin e saj, kjo teori ka përfunduar. Krejt në fund, ai ka bërë me dije se partia e Enver Hoxhajt dhe ajo e Lumir Abdixhikut, të cilat shihen si parti të mëdha, i kanë të domosdoshme reformat e brendshme.

“Nuk po flas vetëm për ndërrimin e njerëzve, kryetarëve të degëve, të nëndegëve, por që të kuptohet se partitë kanë reflektuar dhe janë reformuar edhe në mënyrën se si po e bëjnë opozitën. Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ende nuk ka sqaruar se a do t’iu qaset reformave të brendshme. Partitë opozitare, PDK dhe LDK, të cilat shihen si parti të mëdha, i kanë të domosdoshme reformat e brendshme, si parti që kanë humbur zgjedhjet pas një kohe shumë të gjatë në pushtet. PDK-ja ende nuk ka paralajmëruar se kur mund ta ketë konventën e saj zgjedhore, për kryetarin e ri të partisë. Sindromi i vjetër i partive politike që të thirren në liderin e saj, kjo teori ka përfunduar, duhet të nisemi në reforma dhe ndryshime të brendshme, duke ndryshuar qasjen dhe politikë bërjen. Për me qenë një opozitë e fortë e këmbëngulëse në veprimet e saja, ndaj pozitës duhet që partitë opozitare të rrahin mendimet me një vend, ose të jenë unifikuese edhe pse një gjë e tillë duke se vështirë se do të funksionojë duke dituri të kaluarën e tyre të brishtë, me gjithat të shpresojmë për unifikimin e tyre në interes të vendit”, ka përfunduar analisti dhe njëherësh anëtar i Akademisë Shqiptare-Amerikane për Shkencë dhe Arte në SHBA, Nijazi Halili për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat