Eksperti i sigurisë hedh dyshime për përfshirjen e qarqeve ruse në ndryshimin e kufijve të Kosovës – përmend bisedimet e Thaçit me Vuçiqin

Politika

Eksperti i sigurisë hedh dyshime për përfshirjen e qarqeve ruse në ndryshimin e kufijve të Kosovës – përmend bisedimet e Thaçit me Vuçiqin

Nga: A.Morina Më: 13 prill 2021 Në ora: 16:32
Harta e Kosovës

Skenat politike të Bosnje e Hercegovinës dhe Sllovenisë janë tronditur nga lëvizjet e pretenduara të kryeministrit slloven Janez Jansha, të cilat, sipas tyre, e kanë qëllimin e kompletimit të ‘shpërbërjes së Jugosllavisë’. 

Sipas mediave në Bosnjë dhe Hercegovinë, të cilat cituan burime anonime në Bruksel, kryeministri slloven Janez Jansha i ka dorëzuar Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, një dokument ku janë përcaktuar udhëzimet mbi “shpërbërjen përfundimtare të Jugosllavisë”. 

Ky dokument thuhet se është i lidhur me komunitetin lokal të inteligjencës, i cili njoftoi se Jansha angazhohet në favor të ndryshimit të kufijve të Serbisë dhe Kosovës sipas planit Vuçiq –Thaçi. 

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar “dokumentin sekret” që po qarkullon në media, ku njëra nga pikat kryesore “shpërbërja e ish Jugosllavisë”.

Shala tha se fillimisht duhet analizohet rrjedhja e këtij informacioni, pasi ky është një narracion i bazuar në procesin e bisedimeve në mes ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq. 

Image
Eksperti i sigurisë, Driza Shala

“Në lidhje më një lajm mbi pretendimet e një “dokumenti sekret” që po qarkullon në media të cilën e ka zbuluar medium ”24ur” slloven që në kuadër të presidencës sllovene të BE-së do jetë njëra nga pikat kryesore “shpërbërja e ish Jugosllavisë”. 

Pra paraprakisht duhet të analizohet rrjedhja e informacionit që ka qarkulluar nga Sllovenia në drejtim të Kroacisk ( medium jutarnji.hr  ) pastaj në drejtim të mediumit serb (  B92 ) deri në BiH (politicki.ba). Nëse analizojmë tekstin që është paraqitur në këtë “dokument sekret “ është vetëm narracioni i krijuar për një model të Shqipërisë së Madhe /Serbisë së Madhe duke ju referuar procesit të bisedimeve në mes ish-Presidentit Thaçi  dhe Vuçiqit, vitin e kaluar”, deklaroi eksperti i sigurisë. 

Tutje, ai hodhi dyshime se mediumet të cilat e kanë shpërndarë këtë “dokument sekret”, janë propaganda nga qarqet pro ruse, të cilat janë vendosur në shtetet e ish-Jugosllavisë. 

“Në të gjitha këto medium ka dyshime që storjet e tilla të jenë të porositura nga qarqet pro ruse të cilat në vendet e ish Jugosllavisë kanë vendosur dhe krijuar mediume të cilat përdoren për propaganda të tyre ku njëra nga këto propaganda është edhe ky lajm “bombastik””, theksoi Shala. 

Ai analizoi edhe mënyrat se si janë parashikuar shkëputjet e republikave dhe  bashkimet e tyre. Ndër to, ai përmendi edhe bashkimin e pjesëve të Malit të Zi dhe Maqedonisë Veriore me shumicën shqiptare në Shqipëri dhe në anën tjetër bashkimin e Hercegovinës Perëndimore me Kroacinë. 

“Sipas këtij artikulli thuhet që Jansha ka shkuar një hap tutje, duke parashikuar mundësin e shkëputjes së Republikës Srpska, bashkimin e pjesëve të Malit të Zi dhe Maqedonisë Veriore me shumicën shqiptare në Shqipëri dhe në anën tjetër bashkimin e Hercegovinës Perëndimore me Kroacinë. 

Njëherësh është potencuar që një variant rezervë i planit të pretenduar të Jashës është formimi i tri republikave kombëtare në Bosnjë dhe Hercegovinë ku dy republikat (serbe dhe kroate) do të kenë lidhje të ngushta me vendet e tyre amë, ndërsa Republika boshnjake do të fitonte një korridor sipas ujërave ndërkombëtare detare që do të garantohej nga NATO-ja”, nënvizoi Shala. 

Në fund, ai përmendi edhe paraqitjen e shkëputjes së pjesës veriore të Kosovës dhe ‘pushtimin’ e saj nga asociacioni i komunave serbe, brenda territorit të saj. 

“Këto ndryshime të paraqitura në “dokumentin sekret”, reflekton edhe Kosova, duke shkuar deri te shkëputja e pjesës veriore të Kosovës dhe “pushtimin” e saj nga funksionalizimi i asociacionit të komunave serbe, pra mekanizmi i sigurisë duhet të bashkërendoj veprimet e tyre të bazuara në orientimet politike qeveritare”, përfundoi eksperti i sigurisë, Drizan Shala. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat