“Krimi do të luftohet si asnjëherë më parë”

Politika

“Krimi do të luftohet si asnjëherë më parë”

Nga: A.M. Më: 13 prill 2021 Në ora: 23:18
Ilustrim

Qeveria e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e radhës.

Gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës u diskutua edhe për Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale.

“Në vazhdim të mbledhjes, ka marrë miratimin e kabinetit qeveritar edhe Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale. Përmes plotësimeve dhe ndryshimeve të bëra, mundësohet zbatimi i gjykimit në mungesë, me theks të veçantë në çështjet e afatit të hetimeve, duke e dërguar nenin që i referohet afatit të hetimeve në vend të nenit që i referohet pezullimit të hetimeve. Ndryshimet do të krijojnë mundësinë e adresimit të hetimit të krimeve të luftës dhe do të heqë pengesat për dënimin në mungesë”, thuhet një komunikatën për media të Qeverisë së Kosovës.

Po ashtu, u njoftua se grupi i ekspertëve për hartimin e plotësim ndryshimit të Kodit të Procedurës Penale, është duke vazhduar punën dhe shumë shpejt do të procedojë Projekt Kodin e Procedurës Penale në pajtim edhe me rekomandimet e Komisionit të Venecias.

Opinionisti politik, Adem Bytyçi, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se politika nuk duhet të ndikojë në pavarësinë e Prokurorisë.

“Vjedhje ka pasur edhe para se të vinte Qeveria Kurti në krye të qeverisjes së vendit, por Prokuroria nuk ka pasur guxim nga politika për t'i zbuluar hajnitë dhe ndjekur hajnat, sepse të gjitha faktet dërgojnë te e vërteta se hajnitë janë pasojë e bashkëpunimit të politikës me hajnat. Rasti i ndërhyrjes se Prokurorisë në Ministrinë e Bujqësisë dhe konfiskimi i 400.000 € dhe arrestimi i dhjetarëve zyrtarëve të kësaj Ministrie, tregon se ne kemi Prokurorë shumë të zotë, por politika nuk duhet të ndikojë në pavarësinë e tyre, përkundrazi duhet t'i ndihmojë në veprimtarin e tyre për ta luftuar krimin ekonomik të organizuar, korrupsionin dhe të gjitha format e krimit, pavarësisht se bartëse të këtyre veprimtarive kriminale mund të jenë edhe figurat politike me ndikim”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Po ashtu, Bytyçi është shprehur se ndryshimi dhe plotësimi i Kodit penal është një mundësi plus e luftës kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik.

“Shpresohet se në Qeverinë Kurti, institucionet e drejtësisë do ta luftojnë krimin si asnjëherë më parë dhe për punën e tyre kundër krimit do të shpërblehen nga shteti. Një mundësi plus e luftës kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik të organizuar është ndryshimi dhe plotësimi i Kodit penal në kapitullin ku behet fjalë për veprat penale të korrupsionit dhe krimit ekonomik, të abrogohet në tërësi dënimi me kusht për këto vepra dhe të dominojë vetëm dënimi me burg”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Ai ka theksuar se një ndërhyrje në Kodin Penal, do të ndikojë në reduktimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit ekonomik të organizuar.

“Në rrethanat aktuale politike dhe të drejtësisë në Kosovë, në raport me luftimin e korrupsionit dhe krimit ekonomik të organizuar, me të drejtë supozohet se një ndërhyrje e tillë në Kodin Penal, do të ndikojë në reduktimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit ekonomik të organizuar. Nuk ka as edhe një fije dyshimi, se në periudhën e pasluftës në vendin tonë, niveli i lartë i korrupsionit dhe krimit ekonomik të organizuar ka influencuar drejtpërsëdrejti në rënien e fuqisë ekonomike të vendit dhe ngritjen e varfërisë së popullatës”, ka përfunduar Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat