Eskalojnë zyrtarët e PDK-së / Ja pse gjithë kjo kundërshti ndaj presidentes Osmani – opinionisti tregon qëllimin

Politika

Eskalojnë zyrtarët e PDK-së / Ja pse gjithë kjo kundërshti ndaj presidentes Osmani – opinionisti tregon qëllimin

Nga: N. H Më: 14 prill 2021 Në ora: 10:58
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Partia më e madhe opozitare është duke vazhduar me gjuhën denigruese ndaj të parës së shtetit të Kosovës, Vjosa Osmani, shkruan gazeta “Bota sot”.

Ditë e djeshme ishte deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, e cila hedhi kritika për Osmanin për mos përmendjen e procesit që po zhvillohet në Hagë ndaj ta arrestuarve të Gjykatës Speciale, përfshirë ish-presidentin Hashim Thaçi, në takimin e saj me ish-presidentët e Kosovës.

E, ngjashëm ka vepruar edhe ish-deputetja e PDK-së, Safete Hadërgjonaj, e cila ka degraduar me gjuhën ndaj Osmanit, madje duke e quajtur atë të sëmurë dhe të pavlerë.

E, lidhur me kundërshtinë e madhe që po bëhet ndaj Vjosa Osmanit, është deklaruar njohësi i çështjeve politike.

Opinionisti i njohur, Dedë Preqi, në një prononcim ekskluziv dhënë për gazetën “Bota sot”, ka deklaruar se elita në vendin tonë në vazhdimësi ka shërbyer në pushtet vetëm për të realizuar ambiciet e veta partiake.

Preqi është i mendimit se pozita dhe opozita kanë kundërshti të mëdha, dhe kundërthënie të ndryshme, me ç’rast edhe po lind edhe një konfrontim i çlirimit të brendshëm politik.

Image
Dedë Preqi

“Në Kosovë, nuk është vështirë të njohësh përgjegjësit që vendin e sjellën në një situatë të pa lakmueshme, dhe dihet se është një grup i madh i atyre, të cilët për sa vite që ishin në pushtet, modeli i tyre ishte i pa vlerë dhe pa perspektivë. Mirëpo, nuk do të thotë se Kosova dhe shteti i saj, duhet të varët nga një elitë e tillë politike, e cila shërbeu në pushtet për të realizuar ambiciet e veta partiake dhe klanore dhe pushtetin e vet e konsideruan të përllogaritur përmes ndjesive dhe luksit, ku një pjesë e madhe e tyre u bënë milionerë për një kohë të shkurtër në kurriz të popullit. Prandaj, për të vendosur një lidhje mes asaj elite politike që pohuam, të cilat tani e kanë rrolin e opozitës, PDK, AAK, LDK, dhe pozitës në krye me LVV dhe Lëvizjen “Guxo” duke e qeverisë vendin, në fakt këtu hasim në kundërshti dhe kundërthënie të ndryshme, me ç’rast lind një konfrontim i çlirimit të brendshëm politik në mes tyre dhe një përpjekje për të zbrazur mllefin dhe akuzat ndaj njëri-tjetrit”, ka thënë fillimisht Preqi për “Bota sot”.

Ai me tej shprehet se debatet dhe kritikat politike ndër partiake janë pjesë të interesave të përbashkëta të një vendi, mirëpo, sipas tij, akuzat, shpifjet, sharjet dhe shantazhet ndaj njëri-tjetrit, janë elemente të ulëta ndër njerëzore, të cilat e rrisin djallëzinë, shpirtligësinë dhe ndasinë në mesin e shoqërisë tonë, e në veçanti kur ato i drejtohen dhe fyejnë gjininë femërore, apo gruan tonë shqiptare.

“Ky lloj i përshtypjeve negative dhe arrogante është bërë sot rutinë e opozitës, e cila duket se e ka filluar mbrapsht rrugën dhe rrolin e vet opozitar, duke u treguar e vrazhdë, e dobët dhe e lig në konstruktivitetin e saj, kur e dinë se fyerjet dhe sharjet janë mjete të njerëzve të robëruar nga euforia me emocionet imorale dhe vulgare”, shprehet Preqi.

Ai është i mendimit se akuzat e drejtuara ndaj të parës së shtetit të Kosovës janë zbrazje e urrejtjeve personale dhe ndër partiake, të cilat sjellin vetëm përçarje dhe dëshirojnë qëllimisht ta shndërrojnë Parlamentin e Kosovës, në arenë të kundërshtimeve.

“Revanshet dhe akuzat ndaj presidentes Vjosa Osmani, në veçanti nga PDK, me Enver Hoxhaj, dhe Ardian Kastrati, ky i fundit një deputet i mangët dhe një profesor pa sensor, poashtu edhe AAK, me Ramush Haradinaj, i cili akoma ëndërron postin e presidentit, janë akuza që nuk kanë të bëjnë me substancën dhe problemin e popullatës, por janë zbrazje të urrejtjeve personale dhe ndër partiake, të cilat sjellin përçarje dhe dëshirojnë qëllimisht ta shndërrojnë Parlamentin e Kosovës, në arenë të kundërshtimeve dhe dështimit. Shoqëria e jonë duhet të ndjehet krenare me angazhimin dhe pjesëmarrjen e gruas dhe femrave shqiptare në aktivitetet politike dhe institucionale, duke mos lënë anash edhe rrolin e saj në shumë aktivitete kulturore e sportive, ku kanë rrëmbyer edhe medale të arta dhe janë bërë kampione të botës, dhe ambasadore të para edhe në ato vende ku nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës”, tha ai.

Në fund, opinionisti që jeton dhe vepron në Zvicër nënvizon se Vjosa Osmani është personaliteti më i votuar i grave në politikën shqiptare dhe një nga femrat më intelektuale dhe profesionale me merita të veçanta, e cila arriti të bëhet kryetare e parlamentit dhe pastaj edhe presidente e Kosovës, andaj edhe mendon se kjo e fundit ka aftësinë për t’i tejkaluar kufijtë e organikës dhe harmonikës.

“Do të thotë se rroli i gruas në Kosovë, tregon shembullin më të mirë në rajon dhe në një shoqëri demokratike, në fakt ky vend e kishte edhe një presidente grua, siç ishte Atifete Jahjaga, që nuk do të thotë pak për një shoqëri demokratike dhe për një Kosovë jo aq të madhe. Presidentja Vjosa Osmani, është e zonja dhe e ka aftësinë për t’i tejkaluar kufijtë e organikës dhe harmonikës, e cila me kriterin e dijes dhe njerëzores mund të hyjë në marrëdhënie me botën, dhe detyrat që rrjedhin për shtetin dhe popullin e këtij vendi do ti përmbush me sukses. Presidentja Vjosa Osmani, këto ditë ishte edhe në Kosharen legjendare, për të nderuar dhe përkujtuar luftëtarët dhe çlirimtarët e lirisë së Kosovës. Presidentja e vendit zonja Vjosa Osmani, ndër të tjera, ajo i ftoi të gjithë presidentët e vendit në një konsultë, me ç’rast si asnjëherë më parë, kjo e krijoj një kulturë dhe model i këtij lloji, të cilët i falënderoi secilin për kontributin e tyre për shtet-formimin e Kosovës”, tha në fund Dedë Preqi, për gazetën “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat