Heshtja ndaj akuzave të opozitës, paralajmërohet një plan i fuqishëm nga Qeveria Kurti II

Politika

Heshtja ndaj akuzave të opozitës, paralajmërohet një plan i fuqishëm nga Qeveria Kurti II

Nga Më 14 prill 2021 Në ora: 18:19
Qeveria e Kosovës

Fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e fundit parlamentare ishte e jashtëzakonshme, duke kaluar edhe pritshmëritë e shumicës së qytetarëve, njohësve politik dhe kundërshtarëve të saj politik.

Krahas fitores së 14 shkurtit dhe zgjedhjes Albin Kurti kryeministër, pritej dhe ‘vërsulja’ e partive opozitare ndaj Qeverisë së re.

Partitë kundërshtare të Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit Kurti, e përdorën vizitën e këtij të fundit në Shqipëri si ‘karrem’ për ta goditur dhe nënçmuar atë.

Ata filluan me deklarata të tilla si “Kurti nuk e ka prioritet Kosovën”, “kryeministri po rrezikon marrëdhëniet Kosovë-Serbi, me përfshirjen e tij në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit”, “Qeveria e re nuk e ka në plan të parë menaxhimin e pandemisë dhe vaksinimit të qytetarë”, etj.

Mirëpo, kryeministri Kurti qëndroi i heshtur përballë këtyre sulmeve të kundërshtarëve të tij dhe punoi në heshtje me kabinetin e tij për formimin e planit qeverisës.

“Të shtunën dhe të dielën, përgjatë katër sesioneve të ndara, bashkë me të 17 anëtarët e kabinetit qeveritar, zhvilluam punëtorinë për hartimin e Programit Qeverisës dhe Planin e Veprimit për katër vitet e ardhshme të qeverisjes sonë. Qëllimet strategjike, objektivat operacionale dhe masat që do të ndërmerren u prezantuan dhe u shqyrtuan gjerësisht. Së shpejti, këto dokumente tejet të rëndësishme që përcaktojnë qartë prioritetet tona në çdo fushë bashkë me punët drejt realizimit të tyre do të finalizohen edhe teknikisht dhe do të dalin në Qeveri për votim e në Kuvend për diskutim”, shkroi Kurti në Facebook, përcjell “ Bota sot”

Dhe, siç deklaroi kryeministri Kurti, vetëm dy ditë më pas u mbajt mbledhja e qeverisë në të cilën u miratuan shumë projektligje, ku një ndër ta ishte edhe ligji për konfiskimin e pasurisë së paligjshme.

Duke u bazuar në këto argumente, mund të arrijmë në përfundim se kryeministri Kurti ka vendosur të mos i marrë për bazë sulmet e kundërshtarëve të tij, por të fokusohet në realizimin e premtimeve të para, të cilat ua ka dhënë qytetarëve.

‘Heshtjen’ e kryeministrit Albin Kurti, analistët politik për gazetën “Bota sot” e vlerësuan si tejet të arsyeshme, madje ata, në ditë në vijim paralajmëruan edhe një plan të madh nga Kurti.

Qarri tregon se çfarë fshihet pas ‘heshtjes’ së kryeministrit Kurti, ndaj akuzave të partive opozitare

Image
Gani Qarri

Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka komentuar ‘luftën’ e partive opozitare ndaj kryeministrit të ri të vendit, Albin Kurti.

Qarri e cilësoi këtë ‘luftë’ si shumë irrituese dhe neveritëse nga ana e humbësve të zgjedhjeve parlamentare, kundër fituesve Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit.

“Lufta e të gjithëve kundër një njeriu, është jo vetëm e pazakontë e irrituese por edhe skajshmërisht neveritëse, sidomos kur kjo luftë bëhet nga humbësit e deklasuar, kundër fituesit spektakolar me mbi 50% të votave të të gjithë elektoratit të Kosovës si, Albin Kurti e Dr. Vjosa Osmani. Madje një turr i tillë i pakontrolluar i kuazi-opozitarëve të dështuar, habit pa masë të gjithë opinionin e gjerë, ngase për më tepër se 21 vite me radhë, ishin vet këta kapadai, që zhvatën, plaçkitën e përvetësuan pa asnjë kontroll ligjor, çdo gjë të vlefshme të këtij vendi, duke keqpërdorur pushtetin e pozitat e larta shtetërore dhe varfëruar e izoluar vendin nga e gjithë bota”, ka deklaruar ai.

Analisti u shpreh se kjo sjellje e opozitës po provokon ndjenjat e qytetarëve dhe votuesve të ndershëm. Sipas tij, shkaku i këtyre partive të inkriminuara të cilat e zhvatën vendin për njëzet vite me radhë, u bë shkak që qeveria e re ta procedojë me urgjencë ligjin për konfiskimin e pasurisë së kundërligjshme.

“Ndaj sjellja e tyre e shfrenuar, jo vetëm që provokon rëndë ndjenjat e qytetarëve dhe votuesve të ndershëm, por edhe dëshmon katërçipërisht, se pushteti i rënë në duar të gabuara, gjithmonë dhe kurdoherë është shumë shkatërrimtar dhe i rrezikshëm. Vet kjo edhe u bë shkas që Qeveria e re, pas 21 vitesh heshtje të prokurorisë dhe gjyqësisë së kapur nga figurat e kriminalizuara shtetërore dhe partitë e inkriminuara, që në ditët e para të punës, ta procedojë me urgjencë ligjin për konfiskimin e pasurisë së kundërligjshme, jo vetëm në dy-tri vitet e fundit, por qysh nga koha e para shpalljes së pavarësisë, kur plaçkitësit e vendit, sapo morën kompetencat juridike dhe ato ekzekutive dhe u hodhën në aksion të shfrenuar, duke i shpallë konkurrencë njëri-tjetrit, se kush do të vidhte e zhvaste më shumë”, ka theksuar Qarri.

Ai partitë opozitare i cilësoi si zhurmagjinj të vonuar, të cilët e izoluan Kosovën dhe u bënë shkaktarë të kapjes së shteti, sikur të ishin okupatorë të këtij vendi dhe ju udhëheqës të saj.

“Po këta zhurmagjinj të vonuar, izoluan edhe Kosovën duke i lënë vetëm qytetarët e saj pa liberalizim vizash, shkaku i kapjes së shtetit dhe mosfunksionimit të ligjit, si dhe sollën vendin në gjendjen të pa rrugëdalje, duke e mbytur në korrupsion galopant dhe krim të organizuar marramendës, sikur të mos ishin qeveritarë, por okupatorët e këtij vendi”, ka nënvizuar analisti.

Në vazhdim, ai tha se qetësia e kryeministrit Kurti kundër akuzave dhe kritikave të opozitës, është një momentum i përkohshëm, pasi shumë shpejtë do të fillojnë të flasin ligjet dhe jo propaganda kundër kryeministrit.

“Ndaj, fakti se kryeministri Kurti përkundër të gjithave, vijon të qëndrojë i heshtur përballë kritikave të kundërshtarëve politik, të cilët populli i sheh më tepër si mafioz e plaçkitës, është një lloj momentumi i përkohshëm, që nuk zgjat shumë dhe ka efekt të kundërt, nga ai, që ata mendojnë, sepse siç u pa në mbledhjen e fundit të Qeverisë, së shpejti edhe në Kosovë, përfundimisht, do të fillojnë të flasin ligjet dhe sistemi i reformuar i drejtësisë, e jo më të bëjnë propagandë kryeministri as qeveritarët e korruptuar”, ka potencuar analisti Qarri.

Sipas tij, pas më shumë se 21 vite kaosi në vend, qeveria e re është duke punuar për shtetin dhe jo për të vjedhur e plaçkitur gjatë netëve, siç veprohej tash e sa vite.

“Dhe për herë të parë, pas më tepër se 21 viteve kaosi, Qeveria e re, kryeministri dhe ministrat janë këtu për të punuar dhe jo për të shitur "pallavra" gjatë gjithë ditës, ndërsa për të vjedhur e plaçkitur gjatë netëve të errëta, siç veprohej në vitet e zymta të vjedhjeve të paligjshme, që nuk zgjatën hiq më pak, se rrafsh mbi dy dekada”, ka theksuar ai.

Tutje, Qarri tha se kryeministri Kurti i befasoi të gjithë me njoftimin e tij, se ai së bashku me ministrat e tij punuan intensivisht për të përgatitur planin e qeverisë, duke ia hedhur poshtë të gjitha hipotezat e kundërshtarëve politik.

“Për aq më tepër kryeministri Albin Kurti befasoi edhe me njoftimin e tij të ri, se ai me ministrat gjatë vikendit të kaluar kanë punuar intensivisht për planin qeverisës, duke i hedhur poshtë hipotezat e kundërshtarëve se kinse, ka anashkaluar punët e Kosovës, shkaku i Shqipërisë, gjë që u vërtetua më së miri këtë të marte, me procedimin e Ligjit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, si ligji i parë pas dy dekadave, në këtë drejtim”, u shpreh ai.

Me procedimin e ligjit të konfiskimit të pasurisë së paligjshme, Qarri deklaroi se shumë ish-udhëheqës do t’i kapë sëmundja e zemrës, shkaku i përfshirjes së tyre në korrupsion e krim të organizuar.

“Ligj, nga i cili do t’i kapë sëmundja e zemrës, shumë ish qeveritar dhe ministra të involvuar në korrupsion e krim të organizuar, përmes të cilave kanë grumbulluar miliona gjatë 21 viteve të sallamadisë së qeverisjes së tyre të kriminalizuar.

Madje, është shumë e pakuptueshme se si këta njerëz ende nuk duan ta shohin, se ishte populli i këtij vendi, ai i cili u lodhë me shpirt nga kriminaliteti i tyre dhe nuk i deshi më në pushtet, ndaj dhe i dënoi në atë masë dhe mënyrë të merituar, sa nuk ka ku të shkojë më përpiktë”, ka nënvizuar analisti.

Në fund, analisti Qarri paralajmëroi se pas kësaj heshtje të kryeministrit Kurti, pritet të dalë një plan i fuqishëm, i cili do t’i ç‘rrënjosë korrupsionin dhe krimin e organizuar, në mënyrë që të krijohet një stabilitet dhe mirëqenie për qytetarët e Kosovës.

“Kështu që pas kësaj heshtje të përkohshme, siç u dëshmua edhe në mbledhjen e sotme të Qeverisë së re, kryeministri pritet të dal me një plan të fuqishëm, i cili fillimisht do ti çrrënjosë rrënjët e korrupsionit dhe të krimit të organizuar, për të mundësuar ecjen e vendit përpara dhe nisjen nga shtangimi i gjatë i ish qeverive të inkriminuara, drejt zhvillimit të mirëfilltë politik dhe pas 21 vitesh kaosi, për të krijuar stabilitet dhe mirëqenie, jo më vetëm për qeveritarët dhe familjet e tyre, por për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka përfunduar Gani Qarri për “Bota sot”.

Bytyçi: Kryeministri Kurti nuk ka kohë të merret me opozitën, këto janë qëllimet e tij

Image
Adem Bytyçi

Kurse, analisti tjetër politik, Adem Bytyçi në një prononcim për “Bota sot” u shpreh se kryeministri Albin Kurti nuk ka kohë të merret me kritika e opozitës, pasi ka punë për të bërë.

Sipas tij, qeveria nuk e sheh të arsyeshme të humbas energji me akuzat e kundërshtarëve të saj politik, pasi duhet të punojë për t’i mbajtur premtimet të cilat ua ka dhënë qytetarëve të vendit

“Kryeministri Kurti, nuk ka kohë të merret me kritikat e atyre që humben zgjedhjet e fundit, ndonëse ka shumë punë për të bërë. Qeveria Kurti, e vlerëson irracionale për të humbur energji, duke u marrë me kritikat e kundërshtarëve të tij politik, ngase energjinë Qeveria Kurti duhet ta shpenzoj në përmbushjen e premtimeve të cilat ua ka dhënë qytetarëve të Kosovës në zgjedhjet e fundit të parakohshme”, është shprehur analisti.

Ndërsa, Bytyçi vizitën e Kurtit në Shqipëri e ka parë si të arsyeshme, duke u bazuar në arsyetimin e kryeministrit në lidhje me këtë vizitë. Kurse, për opozitën tha se ajo edhe kur nuk ka çka të thotë, lëshon akuza ndaj pozitës.

“Sa i përket vizitës së tij dhe bashkëpunëtorëve të tij në Shqipëri, z.Kurti, është arsyetuar se kjo vizitë ka pasur tërësisht karakter pune në ndërtimin dhe përsosjen e programit qeverisës në të mirën e zhvillimit të vendit. Madje sa i përket opozitës, opozita e ka obligim për ta kritikuar pozitën edhe atëherë kur nuk ka çka të thotë”, ka theksuar ai.

Analisti përmendi të arriturën më të madhe politike të vendit tonë, e cila është vetëdija e qytetarëve për ta luajtur rolin e opozitës, në momentin kur qeveria e tyre nuk i përmbushë premtimet e saj.

“Tani e arritura më e madhe në politikën tonë në Kosovë është vetëdija e qytetarëve për ta luajtur rolin e opozitës kundër qeverisë, kur konstaton se qeveria, nuk i përmbush premtimet dhe fillon të kap shtetin si në të kaluarën, asaj qeverie nuk i shkon gjatë dhe detyrohet t'iu lëshoj rendin forcave tjera politike për ta qeverisur vendin”, ka potencuar Bytyçi.

Në fund, analisti Bytyçi konsideroi së është ende herët të jepen mendime dhe hipoteza në lidhje me arritjet apo dështimet e Qeverisë Kurti, pasi është shumë e vështirë të largohet ngufatja të cilën ia kanë shkaktuar vendit, qeveritë e kaluara. Ai tha se vetëm pas 100 ditëshit të parë të qeverisë së re, mund të gjykohet puna e saj.

“Për Qeverinë Kurti, vërtetë është herët për të dhënë një mendim të saktë se a do të jetë në gjendje t'i luftojë të gjitha ato të këqija, të cilat e kanë ngulfatur zhvillimin ekonomik të vendit dhe mirëqenien e qytetarëve. Sipas gjykimit tim heshtja e z. Kryeministrit Kurti , ndaj kritikave të partive opozitare thotë shumë, këtë heshtje të Kryeministrit Kurti, qytetarët do ta kuptojnë pas 100 ditëshit të qeverisjes së vendit nga Qeveria Kurti”, ka përfunduar Adem Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat