Ministrja Gërvalla tregoi se pazaret për territorin e Kosovës kanë marrë fund

Politika

Ministrja Gërvalla tregoi se pazaret për territorin e Kosovës kanë marrë fund

Nga: D.RR Më: 14 prill 2021 Në ora: 19:19
Donika Gërvalla

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, dje në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ka bërë një veprim të madh kur nuk ka lejuar që ajo të shfaqet në takimin virtual pa flamurin e Kosovës prapa saj, pasi ashtu kërkoi Rusia. 

Veprimi i ministres Gërvalla u mirëprit edhe nga politika në Prishtinë si dhe nga opinioni i gjerë, përfshirë edhe qytetarët. 

Njohësi i çështjve politike, Gani Qarri në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se veprimi i djeshëm i Gërvalla shpalosi edhe njëherë vendimin e drejtë të qytetarëve më 14 shkurt. Ai thotë se ministrja Gërvalla shkëlqeu dje në KS të OKB-së. 

“Se populli fatlum i Kosovës më 14 shkurt, përfundimisht goditi në cak dhe realizoi synimin e tij me sukses të plotë, duke përcaktuar fituesit e zgjedhjeve dhe dërguar në pensionim të merituar partitë e inkriminuara, e dëshmoi më së miri dje, vet përfaqësuesja e sapo zgjedhur e Kosovës, për përfaqësim në planin ndërkombëtar, Ministra e Punëve të Jashtme, të shtetit tonë, Donika Gërvalla, e cila shkëlqeu 100 % edhe në KS të OKB-së. Me këtë rast duhet kujtuar faktin se, mjerisht që nga vendosja e fusnotës së famshme nga kuislingu Hashim Thaçi mbi statusin e shtetit tonë të ri, dhe fillimi i bisedimeve me Serbinë, para mese 10 vitesh, duke kthyer nga Thaçi me shokë, Kosovën nën hijen e statusit "neutral" ,kundërshtimi i simboleve shtetërore të Kosovës, ka filluar të ashpërsohet gjithnjë e më tepër, sidomos nga Serbia e Rusia dhe shtetet tjera mos njohëse të pavarësisë së vendit tonë. Për aq më tepër, siç u pa edhe në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për disa nga vendet kundërshtare, simbolet shtetërore të Kosovës, vazhdojnë edhe sot të jenë, jo vetëm çështje e diskutimeve por të përdoren edhe si shkas për ta penguar paraqitjen e Kosovës si shtet i pavarur, duke kërkuar largimin e flamurit tonë shtetëror”, ka thënë Qarri. 

Ai ka kritikuar kasën e vjetër politike, për të cilët thotë se e quanin vetën çlirimtar, por që në anën tjetër shisnin tokat e vendit, duke bërë pazare me Serbinë. 

“Megjithatë, për fat të mirë, pas debaklit të partive të inkriminuara dhe dërgimit të tyre, nga votuesi i vetëdijesuar i Kosovës, në depononi të tepricave politike, në Kosovë nuk flet më rrahagjokësia e dikurshme oportuniste, e atyre që në njërën anë veten e quanin çlirimtar, ndërsa në anën tjetër, shitnin tokat tona gjithandej dhe në emër të luftës, bënin pazare edhe me Serbinë për ndarjen e Kosovës. Por, siç u pa edhe dje, pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, nga kryeqyteti i vendit-Prishtina e deri në sallat e OKB-së në Nju Jork,tashmë fatbardhësisht, dominon fjala e vendosur atdhetare e të bijës së heroit Jusuf Gërvalla- Donikës, ministres së jashtme të Republikës së Kosovës, e cila edhe në përballje me Rusinë dhe Serbinë, në Këshillin e Sigurimit të OKB, doli fitimtare, duke mbrojtur me sukses, të drejtën e paraqitjes së Kosovës edhe në këtë kremium të lartë mbarëbotëror, si shtet sovran e të pavarur dhe të barabartë, në përfaqësimin diplomatik, me të gjitha shtetet anëtare të OKB-së”, u shpreh Qarri. 

Ai tutje ka thënë se paraqitja e ministres Gërvalla u mirëprit edhe nga vendet me qëndrime neutrale, teksa jep një kritikë të ashpër për kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën. 

“Ishte paraqitja e ministres Gërvalla, sublime diplomatike që përveç vendeve mike, u mirëprit edhe nga ato me qëndrime neutrale, apo edhe negative, për të mos thënë edhe armiqësore, që u mor seriozisht në konsideratë dhe trajtua me shumë respekt, duke pranuar edhe flamurin shtetëror të Republikës së Kosovës, ta shoqëroi gjatë gjithë kohës shkëlqesinë saj, Diplomaten tonë të jashtme zonjën Donika Gërvalla, që është merita më e madhe e deritanishme e një ministre të jashtme të vendit, qysh nga shpallja e pavarësisë së shtetit tonë të lirë e sovran. Për aq më tepër, sidomos pas triumfit të djeshëm në KS të OKB-së, medoemos duhet të rikujtohen rastet, kur me paraardhësit e Donikës, jo vetëm në vendet tjera por edhe në Shqipëri, u hoq flamuri i Kosovës nga tryeza e bisedimeve, vetëm për të plotësuar teket e Serbisë. Madje ishte vet kryeministri Edvin Rama, i cili publikonte harta të minijugosllavisë- "minishengenit" me Kosovën brenda hartës së Serbisë, ndërsa Donika i mundi që të dyja, Serbinë dhe Rusinë,pa harru këtu të përmendim edhe Kinën e Spanjën të cilat gati çdo herë përpiqen deri në ekstrem, ta mënjanojnë paraqitjen dhe përfaqësimin e Kosovës me flamur, qoftë edhe në takimet sportive ndërkombëtare”, theksoi Qarri për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat