Dokumente/ Ish-bashkëluftëtari i Sali Çekajt publikon faktet për FARK-un – këta ishin komandantët e parë

Politika

Dokumente/ Ish-bashkëluftëtari i Sali Çekajt publikon faktet për FARK-un – këta ishin komandantët e parë

Nga: P.R Më: 14 prill 2021 Në ora: 21:23
Kolonel Ahmet Krasniqi dhe Kolonel, Tahir Zemaj

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Faton Klinaku, në njërën nga emisionet në Kosovë, ka thënë se FARK-u nuk ka ekzistuar.

“Edhe ata që thonë se kanë qenë në FARK gënjejnë, se ska pas FARK fare. FARK-un mund ta ketë pasur në zemër por në emblemë, në uniformë kanë qenë me emblemë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nëse dikush mendon tash pas luftës me dalë njësi të tjera është çështje e interesave e politikave ditore”, ka deklaruar Faton Klinaku.

E në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Faton Klinakut i është kundërpërgjigjur me fakte Saim Tahiraj, veprimtar i hershëm i LDK-së në diasporë dhe e ish-bashkëluftëtari i Sali Çekajt. Ai thotë se Klinaku po e vazhdon urrejtjen patologjike, urrejtje kjo e ndërtuar nga LPK-ja.

Image
Saim Tahiraj

“Për të u deklaruar se a ka pasur FARK apo jo, së pari duhet kuptuar dhe zbërthyer këtë emërtim. Ky dallkauk jo vetëm që nuk e kupton por urrejtja që ka ndaj këtij institucioni ushtarak, më të lartit shtetërorë dhe drejtueseve të tij e detyron të jap deklarata të tilla të ulëta. Kjo urrejtje patologjike është vazhdimësi e kursit që ndërtoi LPK që nga vitet e 90-ta, i cili futi përçarjen më të madhe në historinë më të re të Kosovës. Historia më tragjike që qoj në vrasjet politike, të cilat edhe sot e tutje rënkojnë mbi supet e kombit me plagët e rënda që nuk po kanë shërim!”, thotë Tahiraj për “Bota sot”.

Sipas tij, për të folur për FARK-un, së paku duhet ditur fillet e para të formimit dhe rrugëtimin e këtij institucioni të lartë shtetëror.

“Me 31.10.1991 u themelua Qeveria e Republikës së Kosovës me tetë ministri. Dy nga to ishin Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria Brendshme. Që nga themelimi i këtyre ministrive filloi organizimi dhe ndërtimi i sistemit të mbrojtjes në Kosovë, fillimisht organizimi i Mbrojtjes Territoriale dhe krahas sajë edhe sektorët tjerë të mbrojtjes dhe sigurisë”, tregon Tahiraj.

Ai thotë se pikërisht në Tetor filloi organizimi dhe dërgimi i grupeve të para në ushtrime ushtarake në Shqipëri.

“Nga këto dy grupe u themeluan edhe njësitet e para guerile nën drejtimin komandantëve të parë; Sali Çekaj-Dukagjin, Adem Jashari-Drenicë, Zahir Pajaziti-Llap. Ahmet Hoxha-Ferizaj. Këto ishin katër qendrat kryesore fillimisht, koordinatori i tyre me qendrën ishte Salih Çeku që ishte lidhur direkt me prof. Fehmi Aganin”, thekson ish-bashkëluftëtari i Sali Çekajt, Saim Tahiraj.

Më tej, Tahiraj ka deklaruar se kjo strukturë organizative vazhdoi duke u rritur dhe kryente aksione guerile kundër policisë serbe deri me fillimin e luftës.

“Gjatë tërë veprimtarisë së këtyre grupeve nuk ka pasur emërtim UÇK. Emërtimi UÇK për herë të parë dëgjohet diku ka viti 1994 dhe këtë emërtim e pagëzuan krerët e LPK-së në bashkëpunim krerët e PS në Shqipëri. Qëllimi kryesorë i këtij emërtimi ishte që të marrin nën kontroll veprime ushtarake të gueriles kosovare. Derisa njësitet guerile vepronin nën ilegalitet të thellë në Kosovë, krerët e LPK-së e shfrytëzuan këtë dhe filluan me lëshimin e komunikatave nga "banhofët" e Zvicrës!”, nënvizon Tahiraj.

Ai ka thënë se Ahmet Krasniqi në kuadër të FARK-ut ka futur 4 njësi.

“Kjo situatë vazhdoi deri me fillimin e luftës ku drejtues i luftës u emërua Ministër i Mbrojtje, kolonel Ahmet Krasniqi. Ministri Krasniqi bëri ristrukturimin e sistemit të mbrojtjes dhe themeloi FARK-un me shtabin suprem, komandant i të cilit ishte vet kolonel Krasniqi. Duke parë polarizime e mëdha që kishte krijuar LPK, kolonel Krasniqi në kudër të FARK-ut futi fillimisht katër njësi; UÇK,MT, AL, PU. Duke shiquar shpjegimin që bënë në revistën ushtarake, kolonel Krasniqi i sqaron jashtëzakonisht mirë këtë strukturim të FARK-ut”, thekson Saim Tahiraj.

Tahiraj hedh kritika të rënda ndaj Faton Klinakut, i cili tha se FARK-u nuk ka ekzistuar.

“Pra këtij far dallkauku duhet treguar se edhe UÇK ishte pjesë e FARK-ut, madje burimin e kishte nga marrëveshja e Osllos. Shefat e këtij e dinë shumë mirë këtë, por urrejtja patologjike që kanë ndaj organizimit institucional dhe drejtuesve të tyre nuk i lejon të pajtohen me këtë realitet. Gjithashtu edhe gjaku i të gjithë atyre institucionalistëve që u vranë me urdhër të bandave të LPK-së, nuk i lënë të qetë dhe reagojnë kështu pa fije kontrolle. Nuk do ishte keq që edhe ky far alamet "ushtaraku" të ju bashkëngjitet shokëve të tij sepse pastaj ndryshe do të deklarohet. Një përgjegjësi të madhe e kanë edhe disa drejtues te ish Qeverisë së Kosovës të cilët tani e 22 vite heshtin dhe nuk i bëjnë publike të gjithë dokumentacionin përkatës, që nga viti 1991 e gjer me përfundimin e Luftës”, thotë Tahiraj.

Për fund, Saim Tahiraj, veprimtar i hershëm i LDK-së në diasporë dhe e ish-bashkëluftëtari i Sali Çekajt hedh kritika edhe ndaj LDK-së.

“Gjithashtu edhe drejtues të LDK-së kanë heshtur dhe janë pajtuar me bandat e LPK-së si pronarë të rezistencës së armatosur, që nga viti 1991, andaj flasin lirshëm, pa fije frike fyejnë të gjithë ata heronj dhe dëshmorë që luftuan në kuadër të FARK-ut. Që nga 17.02.2021 është hapur ekspozita për heronj Salih Çekaj, komandanti i parë i njësiteve guerile, njëra ndër figurat kryesore të organizimit të luftës në Kosovë dhe ish drejtues dhe drejtues të LDK-së nuk e vizitojnë. Papërgjegjësi dhe pafytyrësi e madhe”, përfundon Saim Tahiraj.

Image
Image
Image
Image
Image
Image
Image
Image

 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat