Kosovës i duhet Elez Blakaj, Kurti premtoi kthimin e tij

Politika

Kosovës i duhet Elez Blakaj, Kurti premtoi kthimin e tij

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 16 prill 2021 Në ora: 10:35
Elez Blakaj

Më 14 shkurt qytetarët kanë votuar për ndryshim duke i dhënë përkrahje të madhe qeverisë së re, të udhëhequr nga Albin Kurti. Tashmë me zgjedhjen e saj, qytetarët po presin ndryshime të mëdha në të gjitha fushat.

Ndryshimet më të mëdha janë kërkuar në fushën e drejtësisë, që politika të mos ‘fus’ duart në këto institucione. Njëra ndër çështjet për të cilën pritet të ketë ndryshime, është ajo e veteranëve të rrejshëm.

Kryeministri Albin Kurti gjatë fushatës zgjedhore ka thënë se do ta kthejë në Kosovë edhe Elez Blakajn, i cili akuzoi kryeprokurorin e shtetit, Aleksandër Lumezi për ndërhyrje dhe përpjekje për frikësim, ndërsa vë në pah se është kërcënuar gjatë trajtimit të keqpërdorimeve me hartimin e listave të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kurti kishte premtuar se do ta bënte edhe kryeprokuror kur Blakaj të kthehet në Kosovë.

Por, a mund të ndodhë kjo dhe të hetohen veteranët e rrejshëm?

Tërnava: Tani është e kuptueshme se Kurti do i luftoj të gjitha të këqijat në këtë vend

Eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava duke komentuar këtë ҫështje, ka thënë se tani kur qeveria Kurti 2 është duke e qeverisur vendin, me që i fitoi votat në mënyrë absolute dhe i duhet që premtimet e dhëna elektoratit t’iu përmbahet dhe t’i jetësojë ato premtimet.

Image
Hajrullah Tërnava

“Elektorati për hir të dëshpërimit tek të gjitha partitë që deri më tani e kanë qeverisur këtë vend ishin të zhgënjyera në ta dhe u përcaktua t’ia jap këtë shumicë, votat LVV dhe Listës Vjosa, prandaj edhe duhet ta mbajnë fjalën dhe sikur që edhe ka filluar në praktikë veprimet e luftimit të gjitha të këqijave që iu kanë bërë vendit, tani është e kuptueshme se ai do t’i luftojë të gjitha të këqijat në këtë vend, por ne qytetarët duhet ta kemi durimin sepse për një luftim të krimit në përgjithësi duhet kohë e konsiderueshme, jo e shkurtër, që llogaritet me vite”, ka theksuar Tërnava.

Sipas tij, luftimi i të gjitha të këqijave nënkupton për të gjitha ato veprime që iu kanë bërë shtetit të Kosovës, e që janë në kundërshtim me ligjet e saj, e që në këtë rast edhe ҫështja e hetimeve dhe verifikimit të veteranëve të rrejshëm të luftës duhet të pastrohet njëherë e përgjithmonë.

“Tani ҫështja e njerëzve kompetent si ekspert të lëmive të njerëzve të profileve të ndryshme e sidomos të prokurorëve, gjithnjë është e nevojshme që të jenë në Kosovë, sikur që është edhe rasti i ish prokurorit Elez Blakaj, i cili tani gjendet jashtë Kosovës, e sipas mjeteve të informimit është thënë se ai jeton në Amerikë dhe ai i pari ka punuar në verifikimin e atyre personave që edhe e ka shpallë listën e veteranëve të rrejshëm, prandaj Kosova ka nevojë për njerëz eminent të profileve të ndryshme e sidomos për prokuror sikur që është Elez Blakaj”, është shprehur eksperti Tërnava.

Por sipas tij, sa i përket çështjes se a dëshiron të kthehet sërish Blakaj është zgjedhje e tij, mirëpo një prokuror si ai i duhet Kosovës.

“Por tani është ҫështje e Elez Blakajt se a do ai të kthehet dhe si qëndron ai me dokumentacionin e nevojshëm në atë shtet ku ai është duke jetuar, sepse shpeshherë del si pengesë edhe dokumentacioni me të cilin e posedon në atë shtet, sepse çdo njeri person që ka migruar në shtete tjera edhe po t’i jepet rasti të kthehet, nuk ka dëshirë që t’i humb ato të drejta të dokumenteve që i posedon, por një prokuror si Elez Blakaj është i nevojshëm Kosovës, në këto kohëra kur kërkohet një punë permanente për luftimin e të gjitha të këqijave që janë bërë që pas çlirimit e deri më tani, e më së shumti do t’i shërbente vet Kryeministrit Kurti si ndihmës për zbardhjen në detaje të veteranëve të vërtetë dhe atyre të rrejshëm, sepse edhe kjo pjesë e asaj që duhet të sqarohet dhe të zbardhet, sepse jemi i vetmi shtet me shumë të këqija që iu kanë bërë këtij shteti, prandaj jemi shteti më i izoluar në BE dhe nuk kemi as liberalizim të vizave e mos të flasim për lëvizje drejt BE-së”, ka deklaruar Hajrullah Tërnava për gazetën ‘Bota sot’.

Burjani: Veteranët i shkaktuan shumë dëme buxhetore Kosovës

Ndërsa, njohësi i ҫështjeve juridike, Blerim Burjani, për gazetën “Bota sot” ka thënë se çështja e veteranëve i takon sistemit të drejtësisë, pasi buxhetit të Kosovës i janë shkaktuar shumë dëme buxhetore.

Image
Blerim Burjani

“Këto tema duhet të trajtohen nga sistemi i drejtësisë, të gjitha këto ҫështje duhet të trajtohen nga gjykata kur dihet e sa dëme buxhetore i janë bërë Kosovës”, është shprehur ai.

Ndërsa sa i përket kthimit të Elez Blakaj, sipas Burjanit, Kosova ka prokurorë e gjyqtarë të mjaftueshëm, por duhet vetëm vullneti për luftimin e krimit dhe korrupsionit.

“Kosova ka shumë prokurorë e gjyqtarë të mjaftueshëm, veç a ka vullnet ta luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin”, ka deklaruar Blerim Burjani për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat