Reciprociteti ndaj Serbisë, masë ndaj qëllimeve të errëta të Serbisë

Politika

Reciprociteti ndaj Serbisë, masë ndaj qëllimeve të errëta të Serbisë

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 16 prill 2021 Në ora: 19:05
Ilustrim "Bota sot"

Qeveria Kurti nuk ende datë për vënien e reciprocitetit ndaj Serbisë.

Albin Kurti e kishte vendosur njëherë reciprocitetin dhe pas rrëzimit të Qeverisë së tij, atë e kishin hequr.

E Kurti kishte deklaruar se pasi të vinte edhe një here në pushtet, reciprociteti me Serbinë do të jetë çështje ditësh apo javësh, e assesi çështje muajsh.

Këto deklarata Kurti i bëri në paraqitjen e fundit publike të tij në fushatën për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 14 shkurtit.

Tani Qeveria ka thënë se nuk ka ende datë se kur do të vendos masa reciprociteti me fqinjin verior.

“Nuk ka një datë të caktuar, mirëpo kjo është një çështje e cila vendoset mbi parime, e më pastaj ekzekutimi i saj është çështje e planifikimit të Qeverisë sonë”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Ai tha po ashtu se “askush nuk duhet të ndihet në siklet apo i kërcënuar nga vendosja e reciprocitetit, përfshirë këtu edhe shtetin e Serbisë”.

Qarri: Të vendoset sa më parë reciprociteti

Image
Analisti politik, Gani Qarri

Lidhur me këtë, analisti politik Gani Qarri, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se pretendimet territoriale nga serbët vazhdimisht shtohen, prandaj, Kosova duhet të vendosë reciprocitetin për ndalimin e qëllimeve të Serbisë, të cilave Thaçi ua hapi dyert për të mbrojtur vetën nga Gjykata Speciale.

“Pretendimet e hapura territoriale dhe ndërhyrjet e pareshtura të Serbisë shoviniste në punët e brendshme, e veçanërisht në Veri të vendit tonë, sa vijnë e shtohen, ndaj Kosova duhet të ndërmarrë urgjentisht të gjithë hapat e nevojshëm, duke filluar pikësëpari me vendosjen e reciprocitetit si masë paraprake për parandalimin e realizimit të qëllimeve të errëta të Serbisë për gllabërimin e së cilës do pjesë të shtrenjtë të vendit tonë, pretendime këto të cilave mjerisht, vet kuislingu Hashim Thaçi ua hapi të gjitha dyert, për të shpëtuar lëkurën e vet nga Gjykata Speciale, duke shkuar aq larg, sa pa fije turpi, ta quante edhe veriun e vendit tonë, tokë të Rankoviqit duke kërkuar publikisht edhe ndihmën e ndërkombëtarëve për ndarjen dhe copëtimin e Kosovës”, ka deklaruar Qarri.

Më tej ka theksuar se duke e pasur parasysh agresivitetin nga Serbia, duhet sa më shpejtë të ndodh reciprociteti, sepse edhe vet Kurti para zgjedhjeve ka paralajmëruar se do ta vendos sapo të vijë në Qeveri, madje këtë e ka deklaruar edhe zëdhënësi i Qeverisë, që një gjë e tillë gjithsesi se do të ndodhë.

“Ndaj duke pasur parasysh agresivitetin e pareshtur dhe gjithnjë në rritje të Serbisë okupatore, e cila edhe pas 21 vitesh vazhdon të udhëhiqet edhe më tej nga kriminelët e luftës e të gjenocidit të organizuar shtetëror të Serbisë, si ish ministri i informatave të Millosheviqit në vitet e okupimit klasik të Kosovës nga Serbia, i cili sot mbanë edhe pozitën e të parit të këtij shteti ish okupator, kryeministri Albin Kurti me plot të drejtë pati paralajmëruar qysh para zgjedhjeve, se do të rivendoste reciprocitetin ndaj Serbisë sapo të vijë në krye të Qeverisë, gjë që tani pritet me padurim nga votuesit dhe është e udhës edhe të ndodhë. Madje, këto ditë edhe vet zëdhënësi i Qeverisë ka deklaruar se megjithëse ende nuk është vendosur praktikisht, kjo gjithsesi do të ndodhë dhe është vetëm çështje e planifikimit të radhës nga Qeveria e re”, ka shtuar ai.

Qarri deklaroi tutje se zëdhënësi i Qeverisë, ka sqaruar se nga vendosja e reciprocitetit nuk duhet të ndjehet i kërcënuar askush. Prandaj, duke i parë pretendimet e serbëve ndaj shtetit tonë, reciprociteti duhet të vendoset sa më parë, kështu duke ia bërë të qartë edhe Vuçiçit që Kosova është shtet i lirë dhe i pavarur nga ta.

“Kështu që me këtë rast, ai edhe ka sqaruar, se njëjtë si më parë, nga vendosja e reciprocitetit, nuk duhet të ndjehet askush i kërcënuar, pasi që vet ky hap, është edhe parim themelor i marrëdhënieve ndërmjet shteteve të pavarura e sovrane. Ndaj, duke parë agresivitetin e pareshtur të diplomatëve serb, pretendimet e hapura territoriale si dhe ndërhyrjet e përhershme në çështjet e brendshme të Serbisë, në shtetin tonë dhe veçanërisht në Veri të Kosovës, me këtë shtet agresiv e të pandreqshëm okupator, sa më parë dhe pa asnjë vonesë të mëtejme, duhet të vendoset reciprociteti, për t`ia bërë njëherë e përgjithmonë të qartë Vuçiqit dhe Serbisë se Kosova i ka kufijtë e vet, është shtet i lirë e sovran dhe tërësisht i pavarur nga Serbia dhe se pretendimet e saj, pas arrestimit të kuislingut Thaçi nga Gjykata Speciale, janë dhe do të mbeten të vdekura, tash e përgjithmonë”, ka përfunduar Gani Qarri për “Bota sot”.

Burjani: Vendosja e reciprocitetit i dëmshëm për Kosovën në arenën ndërkombëtare

Image
Juristi, Blerim Burjani

Ndërsa juristi, Blerim Burjani, ka thënë se reciprociteti i konvenon Serbisë për të shtyrë dialogun, dhe se çdo vendosje e reciprocitetit është e dëmshme për Kosovën në arenën ndërkombëtare, madje mund të jetë problematike edhe arritja e fqinjësisë së mirë.

Sipas Burjanit, SHBA-të dhe BE-ja, duan marrëveshje përfundimtare, gjë që kjo marrëveshje duhet të arrihet, por nuk duhet të ketë pengesa në zhvillimin e dialogut.

“Reciprociteti i konvenon Serbisë për të shtyrë dialogun dhe për të izoluar Kosovën nga zhvillimet ndërkombëtare, dhe për ta fajësuar atë për angazhim për të punuar për një paqe të qëndrueshme. Nuk mund të vendoset reciprociteti dhe kushte për dialog, kjo është e qartë, çdo vendosje e këtij reciprociteti është i dëmshëm për Kosovën në arenën ndërkombëtare. Reciprociteti i mundëson Serbisë që më lehtë të hap kapitullin 35-të të BE-së , dhe se Kosova shumë lehtë mund të cilësohet si problematike në arritjen e fqinjësisë së mirë. Këto aventura dhe gjëra të kësaj natyre janë negative në zhvillimet ndërkombëtare, SHBA-të dhe BE-të e dëshirojnë një marrëveshje përfundimtare, çfarë do që është ajo. Një marrëveshje duhet të ndodhë dhe jo të ketë pengesa për zhvillim të dialogut dhe tensionim politik dhe konflikte ndërmjet palëve”, ka deklaruar Blerim Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat