“Përgjigja do të jetë alarm për Evropën”, zbardhen prapaskenat e ‘non-paperit’ që trazoi Ballkanin

Politika

“Përgjigja do të jetë alarm për Evropën”, zbardhen prapaskenat e ‘non-paperit’ që trazoi Ballkanin

Nga: P.R Më: 16 prill 2021 Në ora: 19:52
Kryeministri slloven, Janez Jansha

Nëpër mediat slllovene dhe ato te Ballkanit, është publikuar një dokument për të cilin pretendon se është ‘non-paperi’ i Janez Janshës, në të cilin si zgjidhje për problemet në Ballkan, mes tjerash propozohet bashkimi i Kosovës me Shqipërinë dhe bashkimi Republika Sërpska me Serbinë.

Kryeministri slloven, Janez Jansha ia ka lënë fajin oponentëve të tij politikë, duke thënë se po nxjerrin lajme të rreme.

Në një postim në Twitter, Jansa ka thënë se të gjitha këto veprime po bëhen për luftë të brendshme politike.

“Ne jemi të gjithë të shokuar që partia ALDE dhe presidenti i saj Hans van Baalen janë duke shpërndarë lajme të rreme, të krijuara në Slloveni nga miqtë e tij slloven për luftë të brendshme politike. E turpshme”, ka shkruar kryeministri slloven, Janez Jansha.

E lidhur me ‘non-paperin’ e Janez Janshës, për gazetën “Bota sot” ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

Ai thotë se harta që ka qarkulluar, është pikërisht ajo që kishte kërkuar dikur kasapi i Ballkanit, Sllobodan Millosheviç.

“Mediat e ndryshme, sidomos ato rajonale, po qarkullojnë në publik një hartë të re të Ballkanit Perëndimor. Në atë hartë Republika Srpska e BH i bashkohet Serbisë, po ashtu veriu i Kosovës dhe sanxhaku i Malit të Zi. Hiq më pak as më shumë sesa kërkonte Milosheviçi, i cili për të krijuar një Serbi kaq të madhe shkaktoi mbi 200 mijë viktima të pafajshme në Ballkan. Për ta joshur Shqipërinë harta i bashkëngjit asaj edhe Maqedoninë Perëndimore dhe Preshevën e Bujanovcin, por jo edhe Luginën e Moravës midis Preshevës dhe Medvegjës. Por shumë territore në Maqedoni mbeten jashtë shtetit shqiptar të fantazuar. Me këtë hartë ka shqiptarë që janë "entuziazmuar". Një prej tyre ishte Kreshnik Spahiu. Se çfarë leverdie ka "nacionalisti" Spahiu t'ia japë veriun e Kosovës Serbisë këtë nuk e do ta kuptoj kurrë!”, thotë Bytyçi për “Bota sot”.

Ai shton se kjo hartë e ka burimin te një projekt që i adresohet kryeministrit slloven, Janez Jansha.

“Por presidenti slloven, Pahor, thoshte se "Nuk kam dijeni për një projekt të tillë"! Po ashtu ministri slloven i Punëve të Jashtme deklaronte se nuk "ekziston një hartë e një propozim i tillë i kryeministrit" dhe se "qëndrimet e Sllovenisë për rajonin nuk kanë ndryshuar"! Por ka një shqetësim të përgjithshëm rajonal. Ka reaguar një nga anëtarët e presidencës së BH. Po ashtu presidenti i Maqedonisë. Vetëm Shqipëria e Kosova nuk kanë reaguar. Për Kosovën shpresoj të reagojë sa më shpejt. Në Shqipëri janë të zënë me karrigen për pushtet”, nënvizon profesor Bytyçi për “Bota sot”.

“Burime të sigurta diplomatike në Bruksel kanë bërë me dije se kryeministri slloven, Janez Jansha, i ka dërguar një projekt pak a shumë të tillë presidentit të Këshillit të Evropës, dike e paraqit edhe si prioritet të tij në presidencën sllovene të gjashtëmujorit të dytë të këtij viti. Në Bruksel nuk e mohojnë një gjë të tillë. Ndërsa burime tjera thonë se Jansha e ka hartuar këtë projekt në kontakt me kryeministrin hungarez, Viktor Orhan. Madje ka parashikuar edhe riatdhesimin e ish-kryeministrit maqedonas, Gruevski. Ndërkaq këto ditë u zhvillua një takim i përbashkët i ministrave të jashtëm të Serbisë, Greqisë dhe Qipros. Duket se Serbia kërkon prej këtyre vendeve mbështetje për projektin në fjalë. Vuçiç e ka elaboruar këtë projekt te presidenti i Francës, Emmanuel Macron”, shpjegon më tej Bytyçi.

Sipas profesor Bytyçit, Serbia po intervenon kësisoj te forcat ekstremiste të Bashkimit Evropian.

“I bën presion Macron, sepse Fronti Kombëtar i Le Pen e mbështet fuqishëm propozimin serb. Jansha është bërë interpret i kësaj iniciative, sepse edhe ai aplikon metodat e Orhan në qeverisje. Orhan po ashtu shpreson të përfitojë ndonjë pjesë territori në Vojvodinë. Secili luan për veten e tij, vetëm Edi Rama luan për të tjerët. Në Prishtinë ende nuk ka reagim, por jam i sigurt se përgjigja do të jetë alarm për Evropën. Fatmirësisht SHBA-të, Gjermania dhe Britania e Madhe nuk do të bien dakord për këtë projekt, sepse ata e dinë se kjo është një kurth rus dhe nuk mund ta pranojnë atë. Por nuk jam i sigurt nëse Sebastian Kurz do të jetë përkrah Berlinit dhe ruajtjes së paqes e stabilitetit në Ballkan, sepse politika e tij është diku midis asaj të Orhan dhe të Merkel. Pra as si e Orhanit, as si e Merkelit”, shprehet Bytyçi.

Për fund, Bytyçi deklaron se ky projekt serbo-rus nuk ka gjasa të realizohet.

“Një ide e tillë sigurisht që rikthen atë që nisën Thaçi e Rama nën dirgjimin e Aleksandër Vuçiç për ndarjen e Kosovës. Por e përsëris, nëse në Prishtinë nuk gjendet dikush ta nënshkruajë dhe në Maqedoni gjithashtu nuk përkrahet, kjo nuk mund të arrihet në asnjë rrethanë. Nuk besoj se do të gjejë mbështetje as në BE dhe SHBA. Thjesht do të shërbejë si një projekt provokues”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat