“Non-Paperi” Ballkanik i publikuar nga Jansha godet ekzistimin dy shteteve, Kosovës dhe...

Politika

“Non-Paperi” Ballkanik i publikuar nga Jansha godet ekzistimin dy shteteve, Kosovës dhe...

Nga: N.Sh Më: 17 prill 2021 Në ora: 10:56
Kryeministri slloven, Janez Jansha

Kryeministri slloven Janez Jansha publikoi një draft dokument të ri për ndryshimin e kufijve në Ballkan.

Ky dokument i publikuar në mediat sllovene ngjalli reagim në rajon e më gjerë.

Kundër ndryshimit të kufijve janë deklaruar disa shtete evropiane si Gjermania.

Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë kundër një ndryshimi të tillë.

Gjithashtu për këtë draft dokument ka reaguar edhe presidenti slloven.

Ndërsa, politologu Mentor Tahiri thotë se, pavarësisht se sa ishte formale apo me peshë të vërtetë zyrtare harta e lancuar këto ditë, ajo shërbeu si një test provues për të rishikuar edhe njëherë qëndrimet lidhur me kufij të ri eventual në Ballkan.

Image
Politologu Mentor Tahiri

“‘Defilimi’ i hartave të reja në Ballkan është gjithmonë i rrezikshëm ngase e mban në opinion të gjallë idenë se gjoja shtete të caktuara nuk mund të mbijetojnë. Në këtë drejtim, goditet në substancë ekzistimi i dy shteteve, Kosovës dhe Bosnje-Hercegovinës. Nëse sot ka një qark politik të cilit i konvenon tregimi mbi pamundësinë e ekzistencës së këtyre dy shteteve, atëherë ky është nacionalizmi serb”, thotë Tahiri për gazetën “Bota sot”.

Tahiri shprehet se, pas disa humbjeve të mëdha që pësoi Serbia në dy dekadat e fundit, respektivisht pas pavarësive të Malit të zi dhe të Kosovës, si dhe pas përforcimit të brendshëm kushtetues të Bosnjë-Hercegovinës, është e qartë se në qarqe të caktuara politike do të ketë vazhdimisht një tendencë për të një Ballkan në kufij të tjerë.

“Pika të lëndueshme aktuale në Ballkan janë mospërmbyllja e njohjes së plotë të shtetësisë së Kosovës në kuadër të sistemit politik ndërkombëtar; pozicioni aktual elektoral i forcave pro-serbe në Mal të zi; si dhe mosanëtarësimi i Bosnje-Hercegovinës në NATO”, thekson ai.

Sipas tij, Prishtina dhe Tirana zyrtare duhet të jenë mjaftueshëm të kujdesshme që memoria mbi aspiratat historike, të mos i zë frymën konsolidimit të mëtutjeshëm të Shtetit të Kosovës, si të arriturës më të madhe shqiptare në historinë moderne.

“Me qëndrime konkrete duhet t'i bëhet me dije të gjithë akterëve në rajon dhe atyre ndërkombëtarë që kufijtë e Kosovës janë të panegociushëm. Çfarëdo shkëmbimi eventual territorial ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të vijë vetëm pas momentumit politik kur Serbia më nuk cenon shtetësinë e Kosovës, respektivisht kur të njeh ekzistimin e Shtetit të Kosovës si realitet të pamohueshëm”, përfundon politologu Mentor Tahiri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat