Paralajmërohen Osmani, Kurti e Gërvalla, ky do të jetë qëllimi i opozitës dhe shpifjet e trillimet që do të sajohen

Politika

Paralajmërohen Osmani, Kurti e Gërvalla, ky do të jetë qëllimi i opozitës dhe shpifjet e trillimet që do të sajohen

Nga: N. H Më: 17 prill 2021 Në ora: 17:08
Vjosa Osmani, Albin Kurti dhe Donika Gërvalla

Assesi nuk ka të ndalur. Edhe me tej është duke vazhduar një “luftë” e ashpër ndaj të parës së shtetit të Kosovës, shkruan gazeta “Bota sot”.

Kur dihet se një pjesë e opozitës nuk i dha mbështetje në ditën kur Vjosa Osmani u zgjodh presidente e vendit, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), po vazhdojnë të drejtojnë akuza të rënda ndaj të parës së shtetit.

E, njohësi i zhvillimeve politike gjithë këtë është duke e parë si një tentativë nga krahu i vjetër politik, edhe pse në rënie e sipër, ku përmes skenarëve e intrigave të denigrojë edhe më shumë figurën e të parës së shtetit.

Opinionisti Skënder Kapiti, në një prononcim dhënë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se ardhja e Vjosa Osmanit në krye të shtetit të Kosovës ishte domosdoshmëri dhe duhuri që duhej dhe që edhe kërkohej nga populli.

Kapiti është i mendimit se ky ndryshim në krye të vendit erdhi edhe për faktin se gjërat kishin dështuar dhe precipituar rëndë në institucionet e Kosovës, sidomos institucioni i Presidentit të Republikës.

Image
Skënder Kapiti

“Vjosa Osmani nuk erdhi rastësisht në postin e kryetares së shtetit të Kosovës, por erdhi si një domosdoshmëri dhe duhuri që duhej dhe që edhe kërkohej nga populli i Kosovës, pasi gjërat kishin dështuar dhe precipituar rëndë në institucionet e Kosovës, sidomos institucioni i Presidentit të Republikës. Gjithmonë realiteti kërkon të duhurën, më të mirën dhe përmirësimin, dhe demokracia moderne zgjedh e seleksionon më të mirën dhe përmirësimin”, ka thënë opinionisti Kapiti.

Tutje, Kapiti shprehet se presidentja e re e Kosovës përfaqëson të renë, politikanen e pastër dhe të pakorruptuar.

“Vjosa Osmani përfaqëson të renë, politikanen e pastër dhe të pakorruptuar e cila mishëron patriotizmin real dhe demokracinë e lirinë, meritokracinë dhe guximin për të thënë, vepruar, mbrojtur e promovuat të vërtetën dhe të drejtën”, shprehet ai.

Mes të tjerave, opinionisti i njohur konsideron se qëllimi i opozitës është që intrigojë e të sajojë intriga e deri edhe shpifje e trillime kundër Osmanit, Kurtit dhe Gërvallës.

“Mirëpo e reja, e vërteta dhe e drejta ka armik të vjetrën nihiliste, egoiste si dhe korrupsionin, hajninë dhe krimin të cilat dhe për të cilat populli i Kosovës ndëshkoi politikën e vjetër, e cila do të mundohet, por në dëshpërim, e vjetra do të intrigojë e të sajojë intriga e deri edhe shpifje e trillime kundër Vjosa Osmanit, ashtu edhe kundër Qeverisë Kurti, por edhe kundër kryediplomates Donika Gërvallla”, tha Kapiti, për gazetën “Bota sot”

Në fund, Kapiti ka theksuar se presidentja Osmani duke mos qenë kurrë palë me asgjë dhe me asnjë nga të këqijat politike e demokratike tregon se ajo është edhe personalitet mbi palët partiake sepse ajo të parën ka Kosovën.

“Osmani faktikisht duke mos qenë kurrë palë me asgjë dhe me asnjë nga të këqijat politike e demokratike të spektrit të vjetër politik si dhe duke qenë opozitare kundër të këqijave si dhe e pa kompromis në luftën dhe demaskimin e krimit, korrupsionit, hajdutërisë, papërgjegjshmërisë dhe kundër tradhtive publike e kombëtare si dhe besnike ndaj vetvetes, interesave publike e kombëtare, kjo tregon se ajo është edhe personalitet mbi palët partiake sepse ajo të parën ka Kosovën”, ka deklaruar opinionisti Skënder Kapiti, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat