Akuza të rënda nga Gjykata Speciale

Politika

Akuza të rënda nga Gjykata Speciale

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 17 prill 2021 Në ora: 19:04
Gjykata Speciale

Gjykata Speciale po vazhdon më punën e saj për të cilën është themeluar nga Kuvendi i Kosovës.

Personi i fundit që është transferuar në Hagë është Pjetër Shala, i njohur në luftë me nofkën “Komandant Ujku”, pasi ishte arrestuar gjatë muajit mars në Belgjikë.

Arrestimi ka ndodhur pasi Gjykatësi i Procedurave Paraprake, Nikola Giju e ka konfirmuar aktakuzën kundër Shalës më 12 qershor 2020.

Sipas njoftimit të Gjykatës Speciale, Shala akuzohet për krime të luftës të ndodhura midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 në fabrikën e metalit në Kukës.

“Në aktakuzën e konfirmuar z. Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt. Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në njoftimin për media të Gjykatës Speciale.

Sipas ekspertëve, këto ngjarje që pretendohet se kanë ndodhur në Kukës të Shqipërisë, nuk ka qenë ligjore, pasi që lufta është zhvilluar jashtë këtij territori, pra në Kosovë.

Sipas tyre, nëse vërtetohen këto raste të krimeve të luftës, për të cilat të akuzuarit ngarkohen nga Gjykata Speciale, ata mund të dënohen.

Miftari: Në Shqipëri nuk kishte luftë, mund të ketë dënime për krimet e bëra

Image
Naim Miftari

Ish eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Naim Miftari, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se mbajtja e njerëzve të burgosur është akt jo ligjor.

Gjithashtu, ai i ka komentuar edhe akuzat ndaj Shalës, ku ka thënë se nëse ato vërtetohen, ai mund të dënohet më burg.

“Çfarëdo mbajtja e njerëzve të burgosur në Shqipëri gjegjësisht Kukës nga disa elemente të UÇK është akt jo ligjor, pasi të drejtën me mbajt arrest në territorin shqiptar e kishte vetëm shteti shqiptar policia, gjyqësia, prokuroria edhe SHISH. Akuzat më të reja nga Gjykata Speciale ndaj pjesëtarit të UÇK z.Shala se kanë mbajtur e maltretuar njerëz civil shqiptarë të Kosovës është akuzë e rëndë dhe nëse vërtetohen e pret dënimi. Por sa i përket kësaj të mbajtjeve, arrestimeve dhe mobilizimeve me dhunë, sigurt do të ketë arrestime të tjera lidhur me kësi lloj veprimesh dhe dënime të merituara nëse vërtetohen me fakte pretendimet e akuzës”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Po ashtu, Miftari ka shtuar se është dashur që pas luftës t`i kërkohet falje personave të cilët nuk kanë qenë dorë e zgjatur e shërbimeve sekrete serbe.

“Në Shqipëri nuk kishte luftë as në ato qendra nuk mbaheshin "diverzant" të kapur rob të ushtrisë apo policisë serbe, por mbaheshin civil shqiptarë të Kosovës që mendonin ndryshe politikisht dhe ushtarakisht karshi shtabit të Rognerit, shtabit të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Xhavit Halitit, Azem Sylës e Adem Grabovcit... nëse personat e mbajtur e maltretuar nuk kanë qenë dorë e zgjatur e shërbimeve sekrete serbe, shtabi i përgjithshëm është dashur pas luftës të kërkohet falje publike dhe të dëmshpërblehen moralisht dhe materialisht për dëmin që ju kanë bërë, pa dije edhe pse dihet mirë se këto gjëra të dëmshme të shëmtuara nuk janë bërë aspak rastësisht”, ka deklaruar Miftari për “Bota sot”.

Nëse ka pasur vrasje në Kukës, Tërnava: Tejkalim i kompetencave

Image
Hajrullah Tërnava

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Hajrullah Tërnava, në një bashkëbisedim për “Bota sot” ka shpjeguar se gjatë kohës së luftës në Kosovë ka pasur grupacione, si LPK, LPKQJ e FARK-u.

“Në vitin 1998-1999 me trimërinë e popullit shqiptar që sakrifikuan jetët e tyre në lufta të ashpra që u zhvilluan në territoret e Kosovës, dhe në kufijtë për rreth Kosovës me Shqipërinë. Me ndihmën e Amerikës dhe aleatëve të saj sikur që është NATO, Kosova u çlirua ne vitin 1999. Meqë në ato kohëra nuk ishte mundësia të organizoheshim mirë ushtarakisht, lufta u zhvillonin në mënyrë guerile, dhe kishte grupacione që u dallonin njëra nga tjetra, njëra ishte krah i LPK, LPKQJ nuk iu nënshtronin komandave dhe urdhrave të FARK-ut sepse ky formacion ishte si produkt i institucioneve të Kosovës e që në krye të institucionit më të lartë ishte Kryetari i Kosovës, kurse në kundërshtim më të ishte LPK, LPKQJ etje që në disa situata pati edhe mosmarrëveshje mes veti dhe vrasje të përfaqësuesve nga krahët e këtyre formacioneve”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Me tej, Tërnava tregon se ka pasur raste të vrasjeve që janë thirrur “ushtarë të UÇK” të cilët kanë ndërmarrë veprime të palejueshme.

Ai ka shtuar se gjatë kësaj kohe janë shndërruar nga fabrika të komunizmit në kazerma apo burgje ku ka pasur njerëz të burgosur.

“Në periudhën para përfundimit të luftës ka pasur raste të vrasjeve që janë bërë nga disa përfaqësues të thirrur “ushtarë të UÇK”, të cilët kanë ndërmarrë veprime të palejueshme nëpër ato vende e sidomos në Shqipëri, ku numri i madh i popullatës ishin me dhunë të shpërngulur nga Serbia në Shqipëri deri në 800,000 njerëz, ku në ato kohëra janë shndërruar nga fabrika të komunizmit në kazerma apo burgje të asaj kohe, tani gjate luftës sa ka zgjatur ajo, edhe në Kukës ku ka qenë e strehuar popullata e Kosovës nga fabrika të hekurit janë shndërruar në kazermë ushtarake dhe disa nga lokalitetet janë shndërruar në burgje, përndryshe që në ato burgje ka pasur njerëz të burgosur, ku një pjesë nëpër ato burgje edhe janë maltretuar, alivanosur, dhe ka pasur të vrarë, krejt për shkaqe individuale me pretekst se “dikush ka qenë i shitur apo bashkëpunëtor i Serbisë” që në baza të këtyre pretendimeve ata që i kanë mbikëqyrur ato burgje, kanë bërë veprime të tilla që edhe ndaj dikujt kanë përdorur edhe dhunën apo armët duke i shkrepur ndaj atyre individëve që janë burgosur”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, ai ka folur edhe për punën e Gjykatës Speciale deri tek arrestimi i ish komandantit të UÇK-së, Pjetër Shalës.

“Meqë në vitin 2015 u krijua Gjyqi Special i miratuar nga Parlamenti i Kosovës me seli në Hagë dhe ky gjyq e ka për detyrë zbardhjen e vrasjeve në përgjithësi të periudhës 1998-2000 si gjatë luftës dhe pas saj, e sikur që dihet tani ka filluar burgosja e të dyshuarve të krimeve që janë bërë gjatë asaj periudhe sikur e shpjegova dhe tani në Hagë gjinden disa nga udhëheqësit më të mëdhenj të Kosovës, që janë si të dyshuar për ato krime që supozohen të kryera në ato kohëra, por tani lista e të dyshuarve po zgjerohet dhe po burgosen njerëz të cilët janë të dyshuar për vrasje të atyre kohërave, prandaj Gjykata Speciale ka dërguar në Hagë ish ushtarin e UÇK-së, Pjetër Shala”, ka potencuar ai për “Bota sot”.

Image

 

Sipas Tërnavës në rastin e Shalës, Gjykata e ka për detyrë t`i verifikojë dyshimet rreth atyre vrasjeve që janë bërë në atë burg në Kukës dhe tjera vende.

“Sipas njoftimit nga Gjykata Speciale, krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Tani kjo gjykatë e ka për detyrë t`i verifikojë dyshimet rreth atyre vrasjeve që janë bërë në atë burg në Kukës dhe tjera vende nëse ka pasur vrasje tjera dhe nëse dihen autoret e atyre vrasjeve. Nëse i burgosuri pavarësisht cilit komb i takon është privuar nga liria dhe është burgosur, ai duhet të nënshtrohet procedurës gjyqësore të asaj kohe, dhe gjyqi i luftës nëse ka ekzistuar e bjen vendimin për dënimin e tij, nëse nuk ka ekzistuar gjyqi askush nuk e ka të drejtën ta ekzekutojë personin e burgosur në burg, përkundrazi ai duhet ta gëzojë statusin e të burgosurit pavarësisht a është i burgosur gjatë luftës si kundërshtar i luftës, apo si i dyshimtë për të këqijat që ia ka bërë vendit të tij dhe pavarësisht kombit që i takon”, ka theksuar ai për “Bota sot”.

Po ashtu, Tërnava ka shtuar se nëse dikush është i vrarë në Kukës, vetvetiu kuptohet se aty ka pasur tejkalim të kompetencave sepse lufta nuk është zhvilluar atje.

“Por në këtë raste nëse dikush është ekzekutuar gjatë burgosjes që kanë qenë shqiptarë, për ato kohëra të vështira që i kemi përjetuar nga okupatori serb, kjo vepër është shumë më e rëndë sepse ai nëse ka pasur gabimet e tij, është dashur gjithsesi të vendos gjyqi për ato të këqija të bëra nga ai. Dhe nga vet fakti se nëse dikush është i vrarë në Kukës, vetvetiu kuptohet se aty ka pasur tejkalim të kompetencave, sepse lufta nuk është zhvilluar në Kukës dhe Kukësi ka qenë për popullin e Kosovës një nga vendstrehimet e Shqipërisë dhe dihet që aty nuk ka pasur serb, se dihet serbët kanë qenë rreth kufirit Kosovës dhe Shqipërisë, edhe sikur të është burgosur ndonjë serb në atë kufi ku janë bërë luftërat rreth Koshares dhe nëse kanë mundur të burgoset ndonjë serb ushtar në vijë të frontit dhe është transportuar në atë burg të Kukësit, prapë se prapë nuk është dashur që ai të ekzekutohet. Tani Gjyqi Special i ka ato kompetenca që qartë do t'i shoshit këto çështje dhe do e zbulojë të vërtetën dhe ata që kanë bërë të këqija jashtë ligjore, gjithsesi duhen të përgjigjen”, ka përfunduar Hajrullah Tërnava për “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat