Kurrë nuk është vonë për padi ndaj Serbisë për gjenocid – kjo është thirrja për krerët e shtetit

Politika

Kurrë nuk është vonë për padi ndaj Serbisë për gjenocid – kjo është thirrja për krerët e shtetit

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 19 prill 2021 Në ora: 10:14
Glauk Konjufca dhe Vjosa Osmani, në Çikatovë

E para e shtetit të Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me kryetarin e Parlamentit, Glauk Konjufca të shtunën kanë bërë homazhe në Çikatovë, me rastin e 22 vjetorit të masakrës që u bë në këtë vend.

Nga Çikatova, krerët më të lartë të shtetit janë shprehur se asnjëherë nuk ka pasur drejtësi në këtë vend, dhe se kriminelët që morën pjesë në këtë masakër enden të lirë në Serbi por që, ekziston mundësia që ndonjëri prej tyre të endet lirshëm edhe në Kosovë.

Osmani dhe Konjufca janë deklaruar njëzëri se kjo ishte prej akteve më barbare që ka kryer Serbia në Kosovë, duke mos kursyer as fëmijët e pleqtë.

Udhëheqësja e shtetit, Vjosa Osmani ka bërë me dije se kjo është një prej masakrave më të tmerrshme të luftës së fundit në Kosovë, e cila e dëshmon qartë qëllimin shfarosës të Serbisë. Njëjtë sikurse Osmani, ngjashëm edhe Konjufca kanë kërkuar drejtësi për të rënët.

Por, a është vonuar Kosova për të bërë aktpadi për krimet e bëra nga shteti serb.

Lidhur me këtë çështje, profesori i së drejtës është i mendimit se Kosova nuk duhet të kursej në luftimin e angazhimin e profesionistëve nga vendet mike për të vepruar në llogari të vërtetimit të gjenocidit të kryer nga Serbia.

Ndërsa, nga ana tjetër, njohësi i çështjeve politike konsideron se brezat nuk do ta besojnë këtë indiferencë dhe këtë neglizhencë kriminale të politikanëve të lartë shqiptarë, të institucioneve të Kosovës dhe të Shqipërisë të cilët duhej ta vendosnin si parakusht për fillimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Kelmendi: Serbia ka bërë gjenocid ndaj shqiptarëve, aktpadia është shumë e rëndësishme

Image
Muhamet Kelmendi

Për profesorin e së drejtës Muhamet Kelmendin, ish anëtar i komisionit për hartimin e Kushtetutës së republikës së Kosovës, për gazetën “Bota sot”, ka thënë se është shumë e rëndësishme dhe e domosdoshme ngritja e aktpadisë ndaj shtetit kriminal serb.

“Tashme është e qartë se shteti serb ka bërë gjenocid ndaj popullit shqiptar dhe së atë duhet paditur. Disa janë bazat kryesore: a. Vrasjet dhe masakrimet intensive të mbi 13 mijë vetave për një vjet e gjysme. b. Djegiet dhe shkatërrimet masovike të qytetarëve e fshatrave me infrastrukturë për të jetuar. Masakrimet e 150 fëmijëve c. Përdhunimet e mbi 20 mijë femrave shqiptare dhe d. Ndjekjet në mënyrë barbare të mbi 1 milionë shqiptarëve jashtë vendit. Këto janë faktet. Dhe se këndejmi ngritja e aktpadisë kundër shtetit kriminal serb për gjenocid të kryer ndaj shqiptarëve në vitet 1998/99 është një çështje shumë e rëndësishme dhe natyrisht se është e domosdoshme të bëhet kjo”, shprehet fillimisht Kelmendi, për gazetën “Bota sot”.

Njohësi i çështjeve juridike shprehet se me akuzën për gjenocide hapet mundësia që edhe njëherë të shqyrtohet faktet e dhunës dhe të territorit, vrasjet dhe mbytjet masovike, përdhunimet e kryera nga Serbia.

“Shkaqet pse ka rëndësi kjo janë të nduarduarshme. Megjithatë në analizat e bëra dalin disa rëndësi historike për të vërtetuar gjenocidin serbomadh në Kosovë. 1. Me akuzën për gjenocide hapet mundësia që edhe njëherë të shqyrtohet faktet e dhunës dhe të territorit, vrasjet dhe mbytjet masovike, përdhunimet etj., në mënyrë që shteti serb nga faktorët vendose në botë, si BE-ja, Parlamenti i Evropës, Këshilli i Evropës dhe shtetet, deri në OKB të vlerësojnë Serbinë si shtet gjenocidiale. 2. Me këtë akuzë fiton e drejta kundër të padrejtës dhe këtu edhe fillon përgjegjësia penale ndaj të akuzuarve serbë dhe shtetit për gjenocide. 3. Me vlerësimin si shtet gjenocidal shteti serb e humb çdo mundësi që të këtë pretendime ndaj shtetit të Kosovës. Dhe 4. me atë fillon përgjegjësia reale penale e shtetit dhe e kriminelëve serbë të bërë ndaj shqiptarëve në Kosovë”, ka thënë ai.

Profesori i së drejtës deklaron se faktet e theksuara për gjenocidin serb kanë rëndësi të madhe dhe të dyfishtë për shqiptarët dhe Kosovën.

“Ndaj shqiptarëve fiton drejtësia për gjenocidin serb. Ndërsa, Republika Kosovës e fiton peshën e vetë reale. Kuptohet se këtu mund të thuhet dhe ndoshta qëndron se Kosova nuk është anëtare e OKB-së, dhe rrjedhimisht nuk ka të drejtë te paraqes akuze për gjenocide pranë Gjykatës Ndërkombëtare. Kjo ndoshta ka mundësi të ndodhi kur dihen forcat dhe shtetet anti-pavarësisë së Kosovës në Këshillin e Sigurisë të OKB-së, siç është Rusia dhe Kina. Mirëpo edhe kjo ka zgjidhje. Padinë ka të drejtë të bënë një shtet anëtar i OKB-së. E këtu vjen në shprehje Shqipëria si anëtare e OKB-së. Por, çështja kryesore është të dokumentohet gjenocidi. Për atë i takon Kuvendit, Qeverisë, Prokurorisë Speciale dhe çdo agjencie vepruese në Kosovë të mbledhin dëshmi dhe fakte lidhur me dhunën, terrorin, përdhunimet, vrasjet dhe dëbimet masovike”, tha profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi.

Ai ka shtuar gjithashtu se Kosova nuk duhet të kursejë asgjë në luftimin e angazhimin e profesionistëve për ta vërtetuar gjenocidin e bërë në vend.

“Tëra këto duhet të tubohen nën një mekanizëm profesional juridik, dhe të përgatitet e të ngritët padia. Natyrisht se shteti nuk duhet të kursejë në luftimin e angazhimin e profesionistëve nga vendet mike për të vepruar në llogari të vërtetimit të gjenocidit. Edhe ne vetë në Gjykatën kompetente ndërkombëtare kërkohen profesionist me renome botërore për të mbrojtur aktpadinë për gjenocid”, tha Kelmendi.

Kapiti: Kurrë nuk është vonë

Image
Skënder Kapiti

Ndërsa, nga ana tjetër, njohësi i çështjeve politike, Skënder Kapiti, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, padia për gjenocidin serb mbi shqiptarët nuk është kurrë e vonuar.

Ai është i mendimit se pa u dënuar dhe ndëshkuar Serbia për krimet e luftës në Kosovë, nuk do të ketë asnjëherë pajtim dhe normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Deklarimi nga ana e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës për padi kundër Serbisë për krimet dhe gjenocidin serb mbi shqiptarët nuk është kurrë e vonuar, pasi kurrë nuk do të ketë pajtim dhe normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi pa u dënuar dhe ndëshkuar Serbia për krimet e luftës dhe për gjenocidin që ajo ka ushtruar kundër shqiptarëve të Kosovës, dhe aq më tepër kur akoma janë të freskëta në kujtesën e brezit të gjallë të njerëzve që kanë pësuar prej krimeve dhe gjenocidit serb”, ka thënë Kapiti për “Bota sot”.

Njohësi i çështjeve politike e konsideron të habitshme që edhe pse kanë kaluar mbi 20 vite nga lufta e fundit, krerët e Kosovës dhe as ata nga Shqipëria nuk e ngritën dhe as nuk e kërkuan që Serbia të ndëshkohet për krimet.

“Kanë kaluar mbi njëzet vite që kur Kosova ka fituar lirinë dhe shtetësinë e saj, por është për t’u habitur se si është e mundur që politika, politikanët dhe shtetarët e lartë të shtetit të Kosovës dhe as ata nga Shqipëria nuk e ngritën dhe as nuk e kërkuan që Serbia të ndëshkohet për krimet dhe gjenocidin serb, si dhe as t’i kërkohet asaj dëmshpërblim për dëmet materiale shkaktuar Kosovës dhe qytetarëve të saj”, ka theksuar njohësi i çështjeve politike.

Madje, ai është i mendimit se këtë neglizhencë të institucioneve si të Kosovës ashtu edhe të Shqipërisë, brezat në të ardhmen nuk do ta besojnë.

“Brezat nuk do ta besojnë këtë indiferencë dhe këtë neglizhencë që mund ta quajmë edhe neglizhencë kriminale të politikanëve të lartë shqiptarë, të institucioneve të Kosovës dhe të Shqipërisë të cilët duhej ta vendosnin si parakusht për fillimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve shqiptaro-serbe faktin se: Serbia duhej ta pranonte gjenocidin dhe të pranonte minimalisht falje për padrejtësitë, vrasjet, krimet, përdhunimet, djegiet dhe shkatërrimet e rrënimet e pasurive të shqiptarëve, për pastrimin etnik dhe për dëbimin e mbi një milion shqiptarëve nga troje e tyre, nga atdheu i tyre, nga Kosova dardane”, ka potencuar ai.

Krejt në fund, analisti Kapiti nënvizon se kjo neglizhencë bëri që më 14 shkurt në Kosovë të ndëshkohet politika e vjetër.

“Pikërisht ky indiferentizëm antikombëtar dhe kriminal është edhe një prej arsyeve kryesore që më 14 shkurt 2021 u ndëshkua politika e vjetër që e sundoi këto 20 vite Kosovën, ku elitës politike tashmë të dështuar i ka interesuar politika, interesi partiak, e sidomos ai privat e personal mbi atë kombëtar, dhe se për pushtet ata jo vetëm se nuk u shqetësuan për dënimin e gjenocidit serb por pranuan edhe tradhti me pasoja shumë të rënda që ishin kërcënim për integritetin dhe sovranitetin e shtetit të Kosovë, të cilat tashmë dihet nga publiku shqiptar por edhe nga opinioni e diplomacia ndërkombëtare”, ka përfunduar njohësi i çështjeve politike, Skënder Kapiti, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat