Emërimi i shefit të ri të AKI-së, sfidat dhe përgjegjësitë

Politika

Emërimi i shefit të ri të AKI-së, sfidat dhe përgjegjësitë

Arife Morina Nga Arife Morina Më 19 prill 2021 Në ora: 12:31
Albin Kurti, Petrit Ajeti dhe Vjosa Osmani

Në dhjetor të vitit të kaluar, ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti liroi Kreshnik Gashin nga pozita e shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Pas këtij shkarkimi, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë qëndroi për pesë muaj pa një udhëheqës zyrtar të saj, por vetëm me ushtrues detyre. Vonesat në emërimin e shefit të ri të AKI-së erdhën si pasojë e krizave politike dhe rrëzimit të qeverisë nga Gjykata Kushtetuese.

Mirëpo, me konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, erdhi edhe emërimi i drejtorit të ri të AKI-së.

Ditë më parë, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, emëruan Petrit Ajetin, drejtor të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Përmes një njoftimi për media, Presidenca ka thënë se ky emërim është bërë në përputhje me kompetencat kushtetuese të Presidentes dhe Kryeministrit të Kosovës, përcjell Bota sot.

Paralelisht me edukimin, Petrit Ajeti gjithashtu ka qenë aktiv në fushën e sigurisë. Mbi 15 vjet përvojë pune në institucionet publike dhe private në fushën e sigurisë.

Ndryshe, AKI-ja është agjenci për siguri dhe inteligjencë, e cila, sipas ueb-sajtit të agjencisë, “analizon dhe shpërndan produkte inteligjente në mënyrë të shpejtë, të ligjshme dhe të përgjegjshme te presidenti, kryeministri dhe institucionet tjera kompetente”. Drejtori i AKI-së, i cili emërohet për një mandat pesëvjeçar me mundësi vazhdimi, i përgjigjet drejtpërdrejt kryeministrit.

Miftaraj: Emërimi i shefit të ri, Petrit Ajeti forcon integritetin dhe besimin në AKI

Image
Ehat Miftaraj

Drejtori ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar emërimin e drejtorit të ri të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Petrit Ajeti.

Miftaraj tha se emërimi i drejtorit të ri të AKI-së është një lajm i mirë, kjo për faktin se është emëruar një person me integritet të pakontestuar dhe apartiak nga pushteti.

“Emërimi i Drejtorit të ri të AKI padyshim së është lajm i mirë, kur kësaj i shtohet fakti se është emëruar një person me integritet të pakontestuar dhe apartiak nga pushteti e forcon integritetin dhe besimin se AKI do të ushtrojë kompetencat në bazë të Kushtetutës dhe ligjit”, deklaroi drejtori ekzekutiv i IKD-së.

Për dallim nga drejtorët e kaluar të AKI-së, të cilët nuk arritën ta përfundojnë mandatin e tyre, Miftaraj u shpreh optimist se drejtori i ri, Petrit Ajeti do t’i shkojë deri në fund mandatit të tij.

“Përderisa drejtorët e mëhershëm nuk kanë mundur të përfundojnë mandatin e tyre më shumë për arsye të politikave ditore të partive në pushtet por edhe të emërimeve partiake, duhet të kemi besim se z. Ajeti do të jetë shërbëtor i Kushtetutës dhe ligjit, për të përfunduar mandatin e tij deri në fund”, theksoi Ehat Miftaraj për ”Bota sot”.

Kelmendi: Mandati i drejtorit të AKI-së, varet nga sukseset që tregon në punë

Image
Muhamet Kelmendi

Edhe njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi e mirëpriti emërimin e drejtorit të ri të AKI-së.

Kelmendi tha se duke parë rëndësinë e jashtëzakonshme të këtij institucioni për shtetin dhe të drejtën, ishte i domosdoshëm emërimi i sa më shpejtë i udhëheqësit të ri.

“AKI është një institucion jashtëzakonisht i rëndësishëm për shtetin dhe të drejtën. Nga ai dalin dhe shqyrtohen planet e ruajtjes së sovranitetit dhe nëpërmjet AKI-së, shteti i merr informacionet dhe ndërmerr edhe masa mbrojtëse ndaj armiqve të ndryshëm. Personalisht nuk e njoh drejtorin e ri të AKI-së, mirëpo mirë që është emëruar dhe assesi nuk lejohet të mbetet ky institucion pa përgjegjës dhe udhëheqës zyrtar”, deklaroi Kelmendi për gazetën “Bota sot”.

Tutje, njohësi i çështjeve kushtetuese përmendi rolin dhe punën e ndjeshme të AKI-së, duke theksuar se çdo lëshim që mund të bëhet nga ky institucion, mund të ndikojë drejtpërdrejt në sigurinë e shtetit.

“Natyrisht se puna e AKI-së është shumë e ndjeshme, aty caktohen njerëzit më të përgatitur dhe më të besuar të shtetit. Çdo lëshim që bëhet nga ky shërbim ndikon ashpër në vetë sigurinë shtetit të Kosovës. Mbështetur këtu është e kuptueshme se ndjeshmëria tërheqë edhe përgjegjësi të lartë. Ajo shkon nga largimi nga puna, por natyrisht se këtu ka edhe përgjegjësi të sekretit, prej nga kalon te përgjegjësia penale shumë e lartë”, nënvizoi ai.

Në fund, Kelmendi foli edhe për mandatin e drejtorit të ri Petrit Ajetit, ku sipas tij jetëgjatësia e mandatit varet nga suksesi që tregon ne punë.

“Mirë është se kontrollohet AKI dhe mirë është se ka përgjegjësi. Kështu, pra, askush nuk mund të thotë se sa do të zgjate mandati i drejtorit. Zakonisht ka mandat por ai varet nga sukseset që tregon në punë, drejtori i AKI-së”, potencoi profesor Kelmendi.

Burjani: Nevoja që shefi i AKI-së gjithmonë të vijë nga partia fituese

Image
Blerim Burjani

Kurse, njohësi i çështjeve juridike Blerim Burjani, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, e vlerësoi si gjë shumë pozitive për vendin, emërimin e shefit të ri të AKI-së.

Ai komentoi rolin e profesionit dhe përvojën e personit udhëheqës në këtë fushë (AKI).

“Kjo është pozitive, tash rreth përvojës është diçka tjetër, shkollimi është diçka tjetër, përvoja plotësisht diçka tjetër, kjo fushë nuk e ka shumë precize profesionin, pasi mund të jetë jurist, pjesëtar i sigurisë, ushtrisë, policisë. Pra ka disa profesione të përafërta, por tash varet më së shumti se sa ka përvojë në fushën e sigurimit shtetëror që është plotësisht domen tjetër më i thellë, më kompleks dhe shumë gjëra të tjera që duhet të posedojë”, deklaroi ai.

Juristi tha se për dallim nga personat e kaluar të cilët shpeshherë nuk kanë qenë adekuat për fusha të caktuara, Petrit Ajeti duket të jetë shumë më i afërt me sigurinë, kundrejt të tjerëve që ishin shokë apo miq të liderëve politik.

“Por Kosova gjithmonë vendos njerëz jo plotësisht adekuat apo larg të qenit adekuat për fusha të caktuara. Mendoj se ky drejtor është shumë më i afërt me sigurinë sesa të tjerët, që nuk kishin të bëjnë me këtë fushë, por ishin shok apo miq të liderëve politik”, theksoi Burjani.

Në fund, juristi tha se është e kuptueshme që drejtori i ri i AKI-së të jetë nga radhët e subjektit fituese, kjo për arsye të lidhshmërisë së tij me punën e qeverisë dhe besimit të saj.

“Sidoqoftë ndjehet nevoja që shefi i AKI-së gjithmonë të vijë nga partia fituese, për shkak të lidhshmërisë së tij me punën e qeverisë dhe besimit, edhe ky tani ka diçka të përbashkët tek e ka emëruar në këtë post. Përndryshe, Kosova ka disa persona në këtë fushë që kanë përvojë dhe që njihen në publik, por asnjëri prej tyre nuk është kontaktuar”, përfundoi juristi Blerim Burjani për gazetën "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat