Paralajmëroi protestë kundër Qeverisë, analisti i ashpër me PDK-në: Nuk mund ta amnistoni të kaluarën kriminale

Politika

Paralajmëroi protestë kundër Qeverisë, analisti i ashpër me PDK-në: Nuk mund ta amnistoni të kaluarën kriminale

Nga: A.Z Më: 19 prill 2021 Në ora: 15:44
PDK

Partia Demokratike e Kosovës ka deklaruar se do të përdorë të gjitha mjetet demokratike, përfshirë edhe protestat, për të kundërshtuar Qeverinë Kurti. Këtë e ka bërë të ditur, zyrtari i saj, Betim Gjoshi.

“Janë mjete demokratike, por asnjëherë duke e dëmtuar shtetin e Kosovës. Të gjitha mjetet që janë të lejueshme, përfshirë edhe protesta, është pjesë e jetës qytetare dhe reagimit qytetar. Si e tillë do të përdorim të gjitha mjetet për ta mbrojtur interesin qytetar. Sidomos kur cenohet sovraniteti, funksionimi i shtetit, demokracia dhe integriteti qytetarë ne do të jemi në ballë të mbrojtjes së tyre”, ka deklaruar Gjoshi.

Lidhur me këtë, analisti Hidajet Ahmeti, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se veprimet e PDK-së ndaj LVV-së nuk mund ta ndryshojnë bindjen e qytetarëve, madje, sipas Ahmetit deklaratat nga PDK-ja më shumë janë politike ditore se sa reale.

“Çfarëdo veprimi që mund të bëjë PDK-ja si opozitë nuk mund të ndryshojë bindjen qytetare apo amnistojë të kaluarën e saj kriminale në qeverisje. Edhe zyrtarët e PDK-së janë të vetëdijshëm për perceptimin qytetarë për partinë e tyre politike, por deklaratat e tyre më shumë janë si politikë ditore e jo realisht që mendojnë ashtu apo mund të veprojnë ashtu në një të ardhme të afërt”, ka theksuar ai.

Ahmeti vlerëson se qytetarët nuk e harrojnë qeverisjen e keqe të PDK-së, prandaj duhet që të jenë konstruktiv si opozitë, derisa shton se secila alternativë është e mirë për qytetarët, por jo nga njerëz që kanë instaluar krimin në institucionet publike.

“PDK-ja duhet të jetë konstruktive si opozitë e jo të veprojë me politikën e inateve e spekulacioneve, pasi qytetarët nuk mund të harrojnë aq lehtë qeverisjen e keqe të PDK-së. Për të ndryshuar bindjen qytetare duhet kohë, por me politika konstruktive dhe afatgjate, por jo me njerëz të njëjtë që kanë keqpërdorur pushtetin për një kohë të gjatë. Çdo alternativë e re në politikë është e mirë për qytetarët, por jo nga njerëz që kanë instaluar krimin në institucionet publike dhe kanë vrarë shpresën e rinisë në këtë vend”, ka deklaruar Hidajet Ahmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat