Çfarë fshihet pas projektit slloven për ndryshim kufijsh dhe si duhet të veprojë Kosova?

Politika

Çfarë fshihet pas projektit slloven për ndryshim kufijsh dhe si duhet të veprojë Kosova?

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 19 prill 2021 Në ora: 22:44
Kryeministri slloven Janez Jansha, foto ilustrim “Bota sot”

Ditë më parë mediat sllovene kanë publikuar një dokument që ka të bëjë me ndryshimin e kufijve të Ballkanit dhe me shpërbërjen e Bosnjës e Hecegovinës, për ankesimin e Republikës Serbe nga Serbia si dhe për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Përkatësisht nga kryeministri slloven Janez Jansha, që flet për kufij të rinj në hapësirën e Ish-Jugosllavisë.

Ky dokument ‘non pajper’ që bëri bujë të madhe u tha se u ishte dërguar disa zyrtarëve të BE-së.

Ky dokument ngriti të gjithë rajonin në këmbë, pasi parashikon rishikimin e kufijve të gjashtë vendeve të Ballkanit, ndarjen e Bosnjës dhe krijimin e një “Shqipërie të Madhe” dhe po ashtu një “Serbie të Madhe”.

Në Bosnjë dyshojnë se Sllovenia qëndron pas kësaj “patateje të nxehtë”, derisa në Lubjanë pretendojnë se ata nuk janë adresa e duhur për këto pretendime, ndërkohë që kroatët spekulojnë se Serbia dhe Hungaria qëndrojnë pas gjithçkaje.

Lidhur me këtë çështje, ka reaguar në Twitter disa herë vet kryeministri slloven, por që ai nuk i ma pohuar apo mohuar, ato që thuhet se shkruhen në atë dokument joformal.

Për këtë ka reaguar edhe shteti gjerman, që pretendon se rivizatimi i kufijve të Ballkanit Perëndimor është një rrugë e rrezikshme.

Kështu ka deklaruar Michael Roth, Ministri për Çështje Evropiane i Qeverisë Federale të Gjermanisë së kancelares Merkel.

"Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një ardhme vetëm si shoqëri multietnike dhe multireligjioze. Pajtimi dhe bashkëpunimi rajonal është çelësi drejt paqes, demokracisë dhe proposirtetit. Vizatimi i kufijve të rinj është rrugë e rrezikshme”, ka shkruar Roth.

Kundër ka qenë edhe SHBA, ku Ambasada e SHBA-së në Slloveni duke u deklaruar rreth këtij dokumenti, ka thënë se Shtetet e Bashkuara vlerësojnë shumë partneritetin afatgjatë me Bosnjë e Hercegovinën dhe se e mbështesin sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, i cili është i pranuar në Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit.

“Ne mbetemi të përkushtuar ndaj qëllimit të përbashkët të një Bosnje dhe Hercegovinës demokratike, gjithëpërfshirëse dhe të prosperuar në rrugën drejt integrimit Euro-Atlantik”. thuhet në përgjigjen e Ambasadës.

Por, pse u riaktualizua sërish çështja e ndryshimit të kufijve, derisa kjo ishte shuar. Një ide e përmendur kohë më parë nga ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb, Aleksandër Vuçiç, ishte kundërshtuar fuqishëm dhe si e tillë kishte mbetur vetëm si ide, duke mos pasur mundësi për zbatim.

Lidhur me këtë çështje, për gazetën “Bota sot” kanë folur njohës të çështjeve politike.

Voca: Qëllimi i saj, ridefinim i ri kufijsh, nga e cila do realizohej ideologjia serbe

Kështu, Mirsad Voca, doktor shkence dhe ligjërues i gjeopolitikës në Paris, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se Serbia nuk ndalon së kërkuari kanale për ndryshimin e kufijve sepse përmes kësaj synon promovimin nga qarqet anti-evropiane për realizimin e Serbisë së madhe.

Image
Mirsad Voca

“Shteti serb nuk ndalet së kërkuari kanale tjera përmes së cilëve vazhdon të lobojë për ndryshim kufijsh në Ballkan. Sepse kjo shkon në favor të një politike serbe, të cilës pasi që iu ndal turri pas luftërave të viteve të 90-ta, tani përpiqet që të promovojë nga qarqe anti-evorpiane, ide që shpijnë në realizimin e asaj që e quanin vet serbët si Serbi e madhe, duke pretenduar territore të vendeve fqinje. Nuk do mend që një shpërfaqje e një harte të tillë, pa u fokusuar nga rrjedhë ajo, ka si intencë vënien në dyshim të kufijve aktual për një ridefinim të ri kufijsh, përmes të cilit do të realizohej ideologjia ekspansioniste serbe”, ka theksuar ai.

Tutje, ai ka shtuar se Kosova nuk duhet të merret me këtë temë, Voca e sheh vetëm humbje kohe. Sipas tij, BE-ja duhet ta bëjë sa më parë liberalizimin e vizave sepse përndryshe do të krijohen rrethana të reja mosbesimi.

“Kosova as që duhet t’i jap hapësirë minimale debatit lidhur me këtë çështje sepse fokusimi i saj në ridefinim kufijsh është humbje kohe dhe nuk duhet të merremi fare me këtë temë. Ndërsa, BE-ja duhet sa më parë të bëjë liberalizimin e vizave për Kosovën, sepse kështu do t’i mundësohet edhe qytetarëve të lëvizin lirshëm sikurse popujve tjerë të Ballkanit. Çdo kushtëzim nga BE-ja ndaj Kosovës lidhur me këtë çështje, do të krijojë rrethana të reja mosbesimi, çinteresim nga vendet e Ballkanit perëndimor për integrim brenda BE-së”, është shprehur Voca.

Ndërsa, lidhur me dialogun, ka thënë se Kosova duhet të ua bëjë të qartë se temat nuk duhet të jenë lidhur me kufij, madje nuk do të futet as në dialog me tema të tilla dhe në bazë të kësaj Kosova do të pasurohet për ideologji paqësore, kështu duke qenë e gatshme të bashkëpunojë vetë me të interesuarit.

“Kurse lidhur me dialogun, Kosova do të duhet të jap prapë sinjale të reja dhe të palëkundura se nuk është e interesuar për çfarëdo teme që ndërlidhet me rikrijim hartash e kufijsh dhe nuk do të futet në një dialog ku përfshihen tema të tilla, i cili do të krijojë destabilizim përmes apetitesh territoriale dhe hapësirë për situata të reja, dhe për rrjedhojë konflikte apo luftëra tjera. Besoj se Kosova, përball këtyre tendencave dhe duke mos u fokusuar fort në këto lloj temash, do të duhej të pasurohet vazhdimisht duke dhënë kontribut në promovimin e një ideologjie paqësore, për një fqinjësi të mirë, për një frymë demokratike heterogjene, për stabilitet rajonal dhe gjithnjë të mbetet e gatshme të shtrij dorën e pajtimit vetëm me të interesuarit që kanë po ashtu vetëm këtë qëllim. Çdo gjë tjetër është dhe do të duhej të mbetet irelevante për Kosovën”, ka deklaruar Mirsad Voca për “Bota sot”.

Krasniqi: Qëllimi është reagimi i Kurtit ndaj idesë së shkëmbimit të territoreve

Ndërsa, analisti politik, Islam Krasniqi, ka deklaruar se kjo është për të matur pulsin ndaj reagimeve, duke e pasur parasysh se një gjë e tillë është folur edhe më parë.

Ai thotë se përkundë shtetit gjerman që ka qenë kundër kësaj ideje, për ne mund të jetë bashkim i Kosovës dhe Maqedonisë me Shqipërinë.

Image
Islam Krasniqi

“Publikimi i draftit nga kryeministri Slloven lidhur me lëvizjen e kufijve është një matëse e pulsit duke i shikuar edhe reagimet e të tjerëve, duke menduar se a ka ndryshuar lidhur më këtë ide që edhe me parë është përfolur shumë. Shteti gjerman gjithmonë ka qenë kundër idesë së lëvizjes së kufijve, duke e bërë të vdekur këtë ide, pasi që kjo ide mund të jetë shumë e rrezikshme edhe pse për ne mund të jetë e mirë, ku Republika e Kosovës dhe një pjesë e Maqedonisë Veriore mund t'i bashkohen Shqipërisë”, ka theksuar ai.

Sipas Krasniqit, heshtja e BE-së është për arsye të disa shteteve që kanë interes të drejtpërdrejt, por që fundi i kësaj mund të jetë edhe një konflikt i ri në Ballkan, madje çështja e kufijve, mund të bëhet edhe për arsye lidhur me atë se si po reagon Kurti për shkëmbimin e territoreve.

“BE-ja po hesht lidhur me publikimin draftit për lëvizjen e kufijve në Ballkanin Perëndimor, pasi që një pjesë e shteteve kanë interes të drejtpërdrejt, mirëpo SHBA-ja dhe Gjermania gjithmonë i kanë kundërshtuar këto ishe të cilat mund ta hapin pakon e Pandorës, e nuk i dihet ku i vjen fundi, që mund të vijë deri te një konflikt i ri në Ballkan edhe pse tani një pjesë e tyre janë anëtarë të NATO-s. Ka mundësi që përfaqësuesi i BE-së për dialog ta mat pulsin e z.Kurti lidhur me idenë e shkëmbimit të territorit, duke e vënë në tryezë edhe këtë ide, që ishte ide e Presidentit të kaluar dhe tani vetëm i pret se si po reagojnë apo si po e pranojnë liderët e Kosovës këtë ide. Por, mos të harrojmë së për ne do të jetë ndoshta e domosdoshme bashkimi me Shqipërinë, nëse BE-ja nuk na trajton të barabartë me të tjerët, pasi që tani jemi të diskriminuar në çdo aspekt”, ka deklaruar Islam Krasniqi për “Bota sot”.

Burjani: Tentativa e spekulimeve të tilla, përpjekje për të nxitur dialog në Ballkan

Kurse, njohësi i çështjeve juridike dhe politike, Blerim Burjani, duke folur për këtë temë, ka thënë se kjo i konvenon Serbisë, por që një gjë e tillë nuk do të ndodhë dhe me dokumente të tilla tentohet të nxitet dialog në Ballkan.

Image
Blerim Burjani

“Kjo çështje mbetet në nivel spekulimi, reagimet janë normale ndaj ndonjë dokumenti të tillë, të cilin dokument BE-ja nuk e ka pranuar zyrtarisht edhe pse politikat e BE-së kundërshtojnë çfarëdo ndryshimi të kufijve shtetëror. Kjo është politikë zyrtare e BE-së, pra tentativa e spekulimeve të kësaj natyre i konvenon shumë Serbisë, por kjo nuk do të ndodhë në këto rrethana çfarë është Evropa që nga Lufta e Dytë Botërore. Pra, tentativa për të krijuar dokumente artificiale janë vetëm përpjekje për të nxitur dialog në Ballkan e që është i panevojshëm”, ka deklaruar Blerim Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat