Vazhdim i skandaleve, Lajçak assesi të shkëputet nga politika anti-Kosovë dhe shtetit të Sllovakisë

Politika

Vazhdim i skandaleve, Lajçak assesi të shkëputet nga politika anti-Kosovë dhe shtetit të Sllovakisë

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 20 prill 2021 Në ora: 08:22
Miroslav Lajçak

Kryeministri slloven Janez Jansha ka paraqitur një “non-paper” me planet e tij për riorganizimin e Ballkanit.

Ai në këtë dokument joformal ka përmendur ndarjen e territorit të Kosovës dhe ndryshimin e kufijve në Ballkan.

Ndër tjera thuhet: “Për pikën "a) Bashkimi i Kosovës dhe i Shqipërisë” në letër shkruhen katër rreshta. Për pikën "b) Bashkimi i pjesës më të madhe të Republikës Srpska me Serbinë" vetëm tre”.

Kundër këtij dokumenti kanë reaguar SHBA dhe Gjermania, e po ashtu dhe presidenti i Sllovenië derisa vet Jansha nuk e ka pohuar as mohuar dokumentin që thuhet se i ka dërguar disa zyrtarëve të BE-së.

Kjo e fundit mohoi të ketë parë dokument të tillë, ndërsa që për këtë nuk ka pasur asnjë reagim nga ndërmjetësuesi për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Dhe, kjo nuk është hera e parë që nuk ka reagim nga Lajçak, pasi edhe për disa skandale me harta që paraqiste Serbia Kosovën si pjesë territoriale të saj, ai nuk kishte reaguar, e po ashtu vet Lajçak ishte ai që kishte kërkuar ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës sa i përket formimit të Asociacionit, duke thënë se ajo nuk është Bibël që mos të ndërrohet. Madje Lajçak ishte paraqitur dhe vet me një hartë në zyrën e tij, që e paraqiste Kosovën pjesë të Serbisë, për çka ai kishte thënë se hartat ia kishte dhënë BE.

Qarri: Lajçak nuk po shkëputet nga politika e tij anti-Kosovë

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike Gani Qarri, në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se heshtja edhe pas shfaqjes së dokumentit "non-paper" është vazhdimësi e skandaleve të mëparshme të emisarit Lajcak, derisa më herët ai kishte futur hundët edhe në punët e brendshme të shtetit tonë dhe rregullimin shtetëror të Kosovës, duke kërkuar publikisht ndryshimin e Kushtetutës.

Image
Gani Qarri

“Qëndrimi i fundit i Mirosllav Lajçakut është edhe një dëshmi më tepër se përveç faktit që ai edhe si emisar i BE-së, nuk ka arritur të shkëputet asnjëherë nga politika e tij, anti-Kosovë dhe e shtetit të Sllovakisë si shtetas i saj, e cila është njëra nga 5 vendet që deri më tani, ende nuk e kanë njohur Kosovën si shtet, heshtja edhe pas shfaqjes së dokumentit "non-paper" është vazhdimësi e skandaleve të mëparshme të emisarit Lajcak, derisa më herët ai kishte futur hundët edhe në punët e brendshme të shtetit tonë dhe rregullimin shtetëror të Kosovës, duke kërkuar publikisht ndryshimin e Kushtetutës, përveç defilimit nga zyrat e BE-së, me hartën ku Kosova paraqitej si pjesë e Serbisë”, ka thënë Qarri.

Sipas tij, këto plane po vërtetojnë se virusi thaçist për ndarjen e Kosovës, po rrezikon të ringjallet por është kthyer në kancer të pashërueshëm për qytetarët e vendit tonë.

“Për aq më tepër, shfaqja më e re e planeve, për ndryshimin e kufijve në Ballkanin Perëndimor, përfundimisht, vërteton se virusi thaçist për ndarjen e Kosovës, jo vetëm që po rrezikon të ringjallet serish, por po dëshmon edhe një herë më tepër, se është kthyer në kancer të pashërueshëm dhe shumë më të rrezikshëm se vet Covid-19, për Republikën e Kosovës dhe popullin shumicë të saj, shqiptarët e shumëvuajtur, për mese një shekull nën okupimin e Serbisë, duke rrezikuar hapur edhe shtetësinë e fituar me aq shumë mund e gjak, nga disa gjenerata. Ndaj, problemi më i madh për Kosovën, nuk është më plani më i ri serbo-rus për ndarjen e Bosnjës dhe krijimin e Serbisë së madhe me grabitjen e territoreve si "Republika Srpska", por akti renegat i kuislingut Hashim Thaçi me kërkesën e tij publike të para gati tri vitesh, drejtuar ndërkombëtarëve për ndihmë për ndarjen e Kosovës në Alpbach të Austrisë, akt i cili qysh atëherë, automatikisht ka stopuar të gjitha njohjet ndërkombëtare për shtetin tonë, në gjithë rrafshin global dhe rritur deri në ekstrem mospajtimet për pavarësinë e Republikës së Kosovës edhe brenda vet Bashkimit Evropian”, është shprehur tutje Qarri.

Më tej, ai ka thënë se aventura kuislinge e Hashim Thaçit për ndarjen e Kosovës, sidomos tek 5 vendet mos-njohëse brenda BE-së, e veçanërisht tek Spanja dhe vendlindja e Lajçakut -Sllovakia, forcoi edhe më tepër bindjen se pavarësia e Kosovës është e përkohshme.

“Për aq më keq, kjo ide vrastare ndaj shtetësisë tonë të brishtë, për ndarjen e Kosovës jo vetëm që u inkorporua dhe rrënjosë thellë nga propaganda proserbe e individëve dhe mediave të instaluara nga vet renegati Thaçi edhe në Kosovë, sikur pavarësia e Kosovës, që në fillim, të ishte shpallur, nën kushtëzimin për ndarje të mëvonshme të saj, por me insistimin e Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiqit, kjo ide e trishtë makabre u fut edhe në tryezën e bisedimeve në Bruksel nën administrimin e neo-komunistes Federika Mogherini. Madje sikur mos të mjaftonin as të gjitha këto, duke parë se as pas shfaqjes publike të kësaj ideje tradhtare të shkallës më të lartë antishtetërore dhe antikombëtare për ndarjen e Kosovës, nuk reagoi as nuk protestoi askush në Kosovë, madje as vet populli i shumëvuajtur shqiptar nën robërinë dhe okupimin e gjatë të Serbisë, aventura kuislinge e Hashim Thaçit për ndarjen e Kosovës, sidomos tek 5 vendet mos-njohëse brenda BE-së, e veçanërisht tek Spanja dhe vendlindja e Lajçakut -Sllovakia, forcoi edhe më tepër bindjen se pavarësia e Kosovës është e përkohshme dhe as vet populli i Kosovës nuk beson më plotësisht në të”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, ri-aktualizimi i temës për ndarjen e Kosovës, me insistimin e renegatit Hashim Thaçi në bisedimet e mbajtura në Bruksel me Serbinë, nën udhëheqjen e neo-komunistes Federika Mogherini edhe emisari aktual i BE-së për dialogun.

“Ndaj përveç aktualizimit të temës për ndarjen e Kosovës, me insistimin e renegatit Hashim Thaçi në bisedimet e mbajtura në Bruksel me Serbinë, nën udhëheqjen e neo-komunistes Federika Mogherini edhe emisari aktual i BE-së për dialogun, përpos skandalit me hartën e Ballkanit Perëndimor, të shpërndarë nga vet kuislingu Thaçi, në BE, e vendet tjera evropiane dhe botërore, ku Kosova figuron si "krahinë" e Serbisë, Miroslav Lajçak edhe në postimin njoftues për bisedën me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, nuk e përmendi fare, jo vetëm si shtet, por as si emër Kosovën. Dhe siç shprehet edhe ish-kryetari i gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons, asnjë diplomat i lartë i BE-së, as sot nuk i referohet Kosovës me termin shteti i Kosovës apo "Republika e Kosovës", që dëshmon se kuislingu Thaçi u dha material të bollshëm jo vetëm 5 vendeve të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e shtetit tonë, por edhe vet BE që si tërësi, ndaj shtetit tonë, të mbajë qëndrim neutral dhe të mos deklarohet asnjëherë se e njeh Republikën e Kosovës”, ka deklaruar Gani Qarri për “Bota sot”.

Voca: Dyshoj se Lajçak mund të jap rezultate të kënaqshme si i deleguar i dialogut Kosovë-Serbi

Edhe Mirsad Voca, doktor shkence dhe ligjërues i gjeopolitikës në Paris, për gazetën “Bota sot” është shprehur se Miroslav Lajçak është dashur të dalë shkurt dhe prerë kundër këtyre ideve të rrezikshme, jo vetëm për Ballkanin por dhe për rajone tjera.

Image
Mirsad Voca

Sipas tij, Lajçakut i ka skaduar afati politik si ndërmjetësues në dialogun Kosovë-Serbi.

“Distancimi nga ide të tilla është i domosdoshëm, ndërsa fokusimi dhe elaborimi i tyre në opinion është humbje kohe dhe vetëm pasuron më tutje këto ide për ridefinim kufijsh në Ballkan. Lajcak, duhet patjetër të dalë shkurt dhe prerë kundër këtyre ideve të rrezikshme jo vetëm për Ballkanin por dhe për rajone tjera. E përsëris se Lajçak duke mos reaguar e forcon bindjen time se i ka skaduar afati politik si ndërmjetësues në dialogun Kosovë-Serbi. Duke u nisur nga qasja dhe qëndrimi i tij kontravers, dhe sidomos pas gafave të njëpasnjëshme, dyshoj se Lajçak mund të jap rezultate të kënaqshme si i deleguar për ndërmjetësim dhe lehtësim të dialogut”, është shprehur Voca.

Sipas tij, Lajçak, duke qëndruar neutral është shfaqur si i njëanshëm me apo pa qëllim të tij,

“Për më tepër, ky ndërmjetësues nuk mund të bëjë këtë punë me integritet dhe duke qëndruar neutral sepse është shfaqur si i njëanshëm me apo pa qëllim të tij. Pa marrë parasysh qëndrimin e BE-së apo edhe të shtetit nga vjen ai, ky ndërmjetësues duhet patjetër të niset nga premisa se janë dy shtete që do të dialogojnë dhe assesi ndryshe, ndërsa çdo perceptim tjetër nga ana e ndërmjetësuesit të dialogut, pa dyshim se konsiderohet si i njëanshëm, tendencioz, dhe nga i cili nuk do të ketë rezultate pozitive sepse misioni i tij do të jetë i pamundshëm”, ka deklaruar Mirsad Voca për gazetën “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat