Themeloi “Kabinetin Alternativ”, parashikohet se cili do të jetë qëllimi i LDK-së, vetëm kështu rikthehet partia e Abdixhikut

Politika

Themeloi “Kabinetin Alternativ”, parashikohet se cili do të jetë qëllimi i LDK-së, vetëm kështu rikthehet partia e Abdixhikut

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 21 prill 2021 Në ora: 18:38
Lumir Abdixhiku

Lidhja Demokratike e Kosovës, pas humbjes së madhe që përjetoi në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit, ka filluar fuqishëm reformat e brendshme, shkruan gazeta “Bota sot”.

Së fundi, në përputhje me Platformën për reforma dhe riorganizim, të paraqitur nga kryetari dhe të miratuar nga Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, Kryesia e re ka vendosur që të krijojë ekipet të cilat do ta bëjnë vlerësimin e gjendjes aktuale në Degët e LDK-së.

Madje, kjo parti në mbledhjen e fundit të Kryesisë, ka vendosur gjithashtu që të themelojë departamente të cilat do të përgatisin dhe hartojnë qëndrimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, si dhe alternativën opozitare ndaj pushtetit.

“Kryesia e Lidhjes Demokratike, aprovoi formimin e gjashtë Departamenteve si në vijim: Departamenti i Politikës së Jashtme; Departamenti i Rendit, Ligjit dhe Sigurisë; Departamenti i Ekonomisë dhe Biznesit; Departamenti i Arsimit, Kulturës dhe Sportit; Departamenti i Shëndetësisë; Departamenti i Rinisë; Departamenti i Avancimit Shoqëror. Këto departamente do të përgatisin dhe hartojnë qëndrimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, si dhe alternativën opozitare ndaj pushtetit”, thuhet në njoftimin e partisë.

Njohësit e çështjeve politike janë të mendimit se ndërmarrja e kësaj reforme nga ana e Lidhjes Demokratike të Kosovës, pavarësisht se është e vonuar, ajo është për t’u përshëndetur dhe mirëpritur, e cila do mund të ndikojë edhe në ngritjen e këtij subjekti.

Kurse, veprimtarët e LDK-së shprehen se formimi i departamenteve në kuadër të LDK-së, janë shenja pozitive për krijimin e një strategjie të re të ngritjes dhe gjetje e mënyrave të reja për afrim deri tek qytetarët.

Kapiti: Është mundësia e vetme për mbijetesë për LDK-në

Image
Skënder Kapiti

Opinionisti i njohur, Skënder Kapiti, në një prononcim dhënë për gazetën “Bota sot”, ka deklaruar se iniciativa e ndërmarrë nga ana e liderit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, është për t’u përshëndetur.

Sipas njohësit të çështjeve politike, kjo nismë është forma e vetme mbijetesës dhe e ringritjes.

“Më parë kam parashikuar faktin se LDK-në do ta priste pashmangshmërisht një humbje e thellë, gjë që e cila edhe ndodhi. Këto opinione të mia ua pata dërguar disa ish-zyrtarëve të lartë të LDK-së, por që as përgjigje minimalisht nuk mora prej tyre. Në përputhje me Platformën për reforma dhe riorganizim, të paraqitur nga kryetari dhe të miratuar nga Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, pra vendimi i Kryesisë së LDK-së për ngritjen e ekipeve për vlerësimin e gjendjes politiko-organizative të LDK-së pas dështimeve dhe rënies së saj sidomos në zgjedhjet e fundit me 14 Shkurt 2021 është për t’u përshëndetur dhe për t’u inkurajuar pasi është mundësia e vetme për mbijetesë dhe për ringritjen, reformimin apo edhe për rilindjen e saj”, ka thënë fillimisht Kapiti për gazetën “Bota sot”.

Mirëpo, ai shprehet se kjo parti para kësaj do të ishte mirë të paraqiste edhe një ekip intelektualësh të mirëfilltë, politikanë të mirëfilltë brenda LDK-së por edhe jashtë saj dhe njohës e studiues të politikës, të cilët do të hartonin paraprakisht një kornizë orientuese se si do të reformohet LDK-ja, të paraqisnin kushtet dhe tezat e një politike dhe të një vizioni politik të ri, të alternativës politike moderne të djathtë.

“Së dyti, në mënyrë që qysh në fillim të bëhet e besueshme alternativa reformuese e LDK-së duhet të bëhej një analizë kritike dhe të dilnin edhe përgjegjësitë se përse LDK-ja arriti deri këtu duke i kërkuar edhe falje publikisht anëtarësisë dhe publikut për atë se ish-lidershipi i LDK-së bëri një mbyllje hermetike LDK-së duke injoruar dhe mospërfillur si anëtarësinë e thjeshtë ashtu edhe elektoratin; duhet një kritikë apo më saktë një autokritikë paraprake dhe kërkim ndjesë të gjithë atyre të cilët u detyruan dhe u është imponuar që të largohen nga LDK-ja, sidomos deputetëve të listës “Guxo””, ka theksuar opinionisti.

Kapiti ka bërë thirrje që kjo parti duhet gjithashtu t’i tregojë opinionit se cilat janë vlerat dhe vizioni i ri i politikës moderne të LDK-së.

“Procesi i reformimit i cili synon të riorganizojë degët dhe t’i hapë ato ndaj individëve me kredibilitet dhe të rinjve që besojnë në vlerat tona të përbashkëta thuhet në këtë platformë. Dakord, por së pari duhet t’i tregohet opinionit se cilat janë vlerat dhe vizioni i ri i politikës moderne të LDK-së në mënyrë që këto ekipe t’i paraqesin dhe t’ua bëjnë të njohura strukturave dhe degëve të saj. Procesi i reformimit i cili synon të riorganizojë degët dhe t’i hapë ato ndaj individëve me kredibilitet dhe të rinjve që besojnë në vlerat tona të përbashkëta. Por, është mirë edhe ftesë që t’u bëhet këtyre individëve për angazhim dhe për anëtarësimin e tyre në radhët e LDK-së”, ka thënë me tej ai.

Opinionisti ka theksuar se pavarësisht se është e vonuar kjo reformë, ai shprehet se është për t’u përshëndetur dhe mirëpritur.

“Dhe them se ndërmarrja e kësaj reforme nga ana e LDK-së pavarësisht se është e vonuar ajo është për t’u përshëndetur dhe mirëpritur. Pra, unë mbështes dhe përkrah nismën reformatore të LDK-së, politikën e re demokratike kundër autokracive dhe trajtimit të anëtarësisë së partisë si numëror e material njerëzor; mbështes politikën e hapur dhe gjithëpërfshirëse dhe nëse LDK kërkon edhe ndihmë për hartimin e një platforme politike afatgjatë unë si studiues i politikës dhe me orientim e me bindje të djathtë jam gati të kontribuoj sado pak, pasi Kosovës i duhet një alternativë e mirëfilltë e politike, e djathtë”, ka deklaruar opinionisti Skënder Kapiti për “Bota sot”.

Latifi: LDK po përgatitet për një front të gjerë

Image
Haki Latifi

Ndërsa, veprimtari i hershëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, në diasporë, Haki Latifi, ka thënë se veprimet e fundit nga ana e Kryesisë së LDK-së janë shenja pozitive për krijimin e një strategjie për organizim të brendshëm.

“Formimi i sektorëve të organizimit ose siç po quhen ndryshe departamenteve, në kuadër të LDK-së janë shenja pozitive për krijimin e një strategjie për aktivitete dhe organizim të brendshëm. Mendoj se këto nisma të LDK-së si parti opozitare, janë hapat e mëtejshëm dhe të rëndësishëm, ndër të cilët është edhe gjetja e mënyrave të reja për afrim deri tek qytetarët. Pra, si opozitë LDK, po përgatitet për një front të gjerë të aktiviteteve me çka do të tërheq vëmendjen tek qytetarët për dobësitë dhe keqmenaxhimin e Qeverisë Kurti, që ka për qëllim, natyrisht duke dhënë alternativa për probleme të caktuara, siç janë: funksionimin e rendit juridik, politika e jashtme , luftimi i korrupsionit dhe rendin institucional në vend”, ka thënë veprimtari i LDK-së.

Tutje, veprimtari Latifi ka thënë se pret që këto iniciativa nga ana e krerëve të LDK-së të mos mbesin vetëm të shkruara, por që të fillojnë të aplikohen në mënyrë të këndelljes së këtij subjekti.

“Megjithatë, pres që me këto nisma të kryesisë së LDK-së dhe kryetarit të saj z. Lumir Abdixhiku, që mos të mbetën vetëm në letër, por të filloj këndellja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe duke krijuar front të fortë, që të fillojë adresimi i dobësive të pushtetit aktual, duke luajtur rolin e opozitës aktive dhe të informohen qytetarët për keqqeverisjen Kurti 2”, tha për “Bota sot”, Haki Latifi, veprimtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Krasniqi: Këto veprime janë të qëlluara

Image
Islam Krasniqi

Kurse, nga ana tjetër, analisti politik, Islam Krasniqi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se partia e Lumir Abdixhikut ka filluar të bëjë reforma rrënjësore.

“Lidhja Demokratike e Kosovës ka filluar ndërtimin strukturave të saj duke bërë ndryshime dhe reforma rrënjësore brenda partisë, duke formuar edhe komisione dhe departamente për t’i evituar dhe qasur problemeve të cilat i kanë përcjellë viteve të fundit”, ka thënë ai.

Madje, Krasniqi shprehet se këto vendimet të këtij subjekti politik janë të qëlluara, dhe që mund t’i shërbejë për t’u kthyer atje ku ishte më parë.

“Besojë së këto veprime janë të qëlluara pasi që Lidhja Demokratike e Kosovës ka pasur nevojë për reforma në terë strukturat e saj, duke filluar që nga qendra, gjithashtu edhe nëpër të gjitha degët e saj. Kjo do t’i shërbejë LDK-së për t’u kthyer atje ku ishte më parë, pasi që kësi reforma s’kemi pasur akoma në klasën politike duke ju dhënë apo besuar drejtimin e partisë klasës së re politike”, ka përfunduar njohësi i çështjeve politike, Islam Krasniqi, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat