Vizita e Donika Gërvallës në Greqi hap një kapitull të ri

Politika

Vizita e Donika Gërvallës në Greqi hap një kapitull të ri

Nga: A.Z Më: 21 prill 2021 Në ora: 21:33
Donika Gërvalla

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla është ftuar për një vizitë në Greqi, ndonëse ky shtet deri tash ka mbajtur qëndrimin të pandryshuar për mos njohjen e Kosovës.

Ftesën për vizitën e shefes së diplomacisë së Kosovës në Greqi e ka konfirmuar shefja e Zyrës ndërlidhëse të Greqisë në Kosovë, Chryssoula Aliferi.

“Kur bëhet fjalë për vizitën e Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla në Athinë, një ftesë tashmë është dorëzuar dhe data e vizitës do të caktohet në kohën e duhur”, thuhet në përgjigjen e Chryssoula Aliferi.

Lidhur me këtë, analisti Islam Krasniqi, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se kjo vizitë jep sinjal se Athina mund ta njohë Kosovën, pra sipas Krasniqit është mundësi e mirë për Kosovën.

“Është një mundësi e mirë për republikën e Kosovës ftesa e Ministres së Punëve të Jashtme znj. Gërvalla në republikën e Greqisë, vizit e cila jep një sinjal se Athina zyrtare mund ta njohë republikën e Kosovës në një kohë të afërm. Shteti Grek është një ndër pesë shtetet që nuk e kanë njohur akoma shtetin tonë, por që kanë marrëdhënie të mira, gjithashtu kanë takime të rregullta me zyrën ndërlidhëse që ka shteti Grek në Prishtinë”, deklaroi ai.

Tutje ka shtuar se Greqia e ka ndihmuar Kosovë në organizata ndërkombëtare, ndërsa ftesa që i është bërë Gërvallës, e përafron Kosovën më shumë deri tek njohja.

“Edhe pse shteti Grek nuk na ka njohur, ai na ka përkrahur në rrugëtimin gjatë aplikimit në Organizata ndërkombëtare, gjithashtu lidhur me liberalizimin e vizave, por që njohjen e ka bllokuar përshkak të problemeve që ka me Qipron dhe ka deklaruar së njohja varet nga zhvillimet e dialogut. Andaj ftesa për znj. Gërvalla hapë një kapitull të ri cili na përafron drejt një njohje që për ne do të jetë e një rëndësie të madhe”, përfundoi Islam Krasniqi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat