Dialogu/ Letra e Joe Biden ka këtë qëllim për Kosovën – mbylljen e kapitullit me Serbinë!

Politika

Dialogu/ Letra e Joe Biden ka këtë qëllim për Kosovën – mbylljen e kapitullit me Serbinë!

Nga: A.M. Më: 21 prill 2021 Në ora: 23:48
Joe Biden

Presidenti amerikan Joe Biden i ka dërguar një letër presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, ku e ka uruar për detyrën e re.

Përveç kësaj, Biden i kërkon Kosovës që të vazhdojë bisedimet thelbësore me Serbinë.

“Normalizimi i raporteve me Serbinë është thelbësore për Kosovën për të realizuar në plotni potencialin e saj dhe për integrimin e plotë në institucionet euro-atlantike. E di që gjatë rrugës për arritjen e këtij qëllimi, kërkohet fleksibilitet dhe kompromise të vështira, dhe Shtetet e Bashkuara do të jenë partner i juaji në çdo hap”, ka thuhet në letrën e Biden-it drejtuar Vjosa Osmanit.

Prof. dr. Nijazi Halili, në një prononcim për “Bota sot”, ka komentuar letrën e Bidenit, të cilën i ka dërguar Osmanit.

Ai ka thënë se mbyllja e këtij kapitulli do të ishte që sa më parë të kemi marrëveshje me njohje reciproke.

“Kur flasim për dialogun Kosovë-Serbi dhe kërkesën e Presidentit  Joe Biden drejtuar të parës së shtetit Dr. Vjosa Osmani të cilën e kishte uruar për detyrën e re, dhe ka kërkuar rifillimin i dialogut,  mendoj se rruga e vetme për normalizim e marrëdhënieve dhe mbyllja e këtij kapitulli do të ishte që sa më parë të kemi  marrëveshje me njohje reciproke dhe ecja me hapa të përshpejtuar drejt  familjes evropiane”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, Halili ka shtuar se politika amerikane ngelet e njëjtë karshi shtetit të Kosovës

“Sa i përket qëndrimit amerikan ndaj shtetit të Kosovës asnjëherë nuk dyshoj e mbetëm i pathyer se politika amerikane ngelet e njëjtë karshi shtetit të Kosovës, e cila ka investuar shumë në projektin e saj, për shtetin e Kosovës në mes të Evropës”, ka potencuar ai për “Bota sot”.

Po ashtu, profesori ka theksuar se SHBA mbetet aleati dhe miku më i ngushtë gjeostrategjik i Kosovës.

“Cilido që mendon se politika dhe gjeostrategjia amerikane ka  ndryshuar qëndrimin e saj, ndaj politikës së Kosovës mbetët i paditur dhe naiv në njohjen e proceseve dhe politikës afatgjate e saj  ndaj vendit tonë, pasi është aleati dhe miku më i ngushtë gjeostrategjik”, ka përfunduar Halili për “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat