Letra e Biden për Osmanin, SHBA-të e kanë ‘çelësin’ për zgjidhjen e dialogut me Serbinë

Politika

Letra e Biden për Osmanin, SHBA-të e kanë ‘çelësin’ për zgjidhjen e dialogut me Serbinë

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 22 prill 2021 Në ora: 10:56
Presidenti i Shteteve te Bashkuara ta Amerikës, Joe Biden

Shtetet e Bashkuar të Amerikës edhe njëherë kanë treguar se qëndrojnë prapa Kosovës.

Kjo u pa në letrën e presidentit të Shteteve te Bashkuara ta Amerikës, Joe Biden, të cilën i ka dërguar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit.

Më këtë letër, presidenti Joe Biden e ka uruar Osmanin për marrjen e pozitës së presidentes. Përveç, kësaj, Bideni ka folur edhe çështjen e dialogut me Serbinë. Ai ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është thelbësor që Kosova të jetë pjesë e BE-së.

“Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është thelbësor që Kosova të realizojë potencialin e saj dhe të integrohet plotësisht në institucionet euroatlantike. Unë e di që arritja e këtij qëllimi do të kërkojë fleksibilitet dhe kompromise të vështira gjatë rrugës, dhe Shtetet e Bashkuara do të jenë partneri juaj në çdo hap”, thuhet në letër.

Gjithashtu, në letrën e Biden-it përmendet edhe njohja reciproke me Serbinë, si dhe mbështetja e SHBA-ve ndaj Kosovës.

“ShBA-të do të vazhdojnë t`i mbështesin përpjekjet për sigurimin e paqes së qëndrueshme dhe dialogut produktiv ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe përfundimisht marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizim, e cila besojmë se do të duhej të përqendrohej në njohjen reciproke”, thuhet në letrën e Biden dërguar Presidentes Osmani.

Voca: Qasja e SHBA-së ka ndryshuar pas ardhjes së Biden-it

Image
Mirsad Voca, doktor shkence dhe ligjërues i gjeopolitikës në Paris

Lidhur me këtë, Mirsad Voca, doktor shkence dhe ligjërues i gjeopolitikës në Paris, ka thënë se qasja e SHBA-së ndaj dialogut ka ndryshuar pasi ardhjes në pushtet të Biden-it.

“Natyrisht që me Joe Biden President të ShBA-së, qasja ndaj dialogut ka ndryshuar sepse ai e thekson qartë se bisedimet Kosovë/Serbi do të përqendrohen në njohje reciproke. Nga ky këndvështrim i bisedimeve, Kosova do futej në dialog me një pozitë më të fuqishme duke u fokusuar kryesisht tek thelbi i marrëveshjes e që ajo është njohja e ndërsjellë”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Më tej, Voca është shprehur se tani kemi të bëjmë me një qasje shumë më serioze amerikane për të përmbyllur çështje të mbetura e të cilat duan zgjidhje afatgjate.

“ShBA-të do të vazhdojnë mbështetjen e tyre edhe më të thellë në Ballkan dhe dëshirojnë që ngërçet politike të përmbyllen në mënyrë që edhe kjo pjesë e mbetur e Ballkanit të futet në gjirin e aleancave dhe organizatave euroatlantike. Pra, tani kemi të bëjmë me një qasje shumë më serioze amerikane për të përmbyllur çështje të mbetura e të cilat duan zgjidhje afatgjate”, është shprehur profesori.

Gjithashtu, Voca ka theksuar se Administrata e Biden-it e kupton ndryshe çështjen e ngërçit politik Kosovë-Serbi.

“Besoj se ShBA-të do të orientohen më shumë ndaj shtetit serb, në mënyrë që ky i fundit të dakordohet lidhur me njohjen reciproke, kërkimfaljen dhe dëmshpërblimet, sepse nuk mund assesi të përmbyllet çështja Kosovë/Serbi pa u çliruar Serbia nga një e kaluar e saj e errët. Administrata e Joe Biden, e kupton ndryshe çështjen e ngërçit politik Kosovë/Serbi, dhe duke e ditur që çelësi i zgjidhjes gjendet në Serbi, ajo do të kërkojë nga Serbia njohjen e ndërsjellë”, ka potencuar ai.

Po ashtu, Voca ka treguar se çfarë duhet të ndërmerr shteti serb, si dhe çfarë akte duhet t`i kryejë ajo.

“Megjithatë, tani më është e qartë se shteti serb duhet të marrë vendime të mëdha siç është orientimi i tij politik e gjeostrategjik. Do t’i duhet të zgjedh në mes orientimit ruso/kinez ose euroatlantik. Këtu qëndron edhe boshti i zgjidhjes së ngërçeve politike në Ballkanin perëndimor. Pastaj, me qëllim të çlirimit nga e kaluara e saj agresive e gjenocidiale, Serbia duhet patjetër t’i kryen disa akte. Këto ndërlidhen me çështjen e kapitullit 35 dhe me parimin e fqinjësisë së mirë dhe afatgjate. Mbi këtë bazë, Serbia duhet të kryej aktet e kërkimfaljes, gjetjes së personave të zhdukur që nga viti 1999, dhe të dëmshpërblimit ndaj dëmeve të shkaktuara”, ka deklaruar Mirsad Voca për “Bota sot”.

Qarri tregon se çfarë duhet të bëjë Qeveria e Kuvendi për çështjen e dialogut

Image
Analisti politik Gani Qarri

Ndërkaq, analisti politik Gani Qarri, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka komentuar letrën e Biden-it dërguar Osmanit.

Ai ka shpjeguar përmbajtjen e kësaj letre, si dhe ka treguar se çfarë ka kërkuar Biden në lidhje me dialogun me Serbinë.

“Pas emërimit të zonjës Vjosa Osmani presidente e vendit, e dalë nga votat e lira të 14 shkurtit, këto ditë edhe presidenti amerikan Joe Biden i ka dërguar asaj një letër, me të cilën i ka uruar detyrën e re. Por ajo që bie në sy, nga përmbajtja e kësaj letre, është fakti se përveç urimit, z. Biden i kërkon Kosovës që të vazhdojë bisedimet thelbësore me Serbinë, ku fatkeqësisht përmenden edhe kompromiset e vështira që duhen bërë, nga të dy vendet, për njohjen reciproke”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Sipas Qarrit, deri te kjo ka ardhur si pasojë e vendimeve që janë marr nga udhëheqësit e shtetit të cilët kanë qenë të përshirë në dialogun Kosovë-Serbi, si ish kryeministri e ish presidenti, Hashim Thaçi, e ish kryeministri Isa Mustafa.

“Kjo fatkeqësisht, dëshmon edhe një herë më tepër, se aventura e kuislingut Thaçi me thirrjen drejtuar ndërkombëtarëve për ndarjen e Kosovës, më 25 korrik të vitit 2018 në Alpbach të Austrisë, si dhe nënshkrimi në Bruksel i marrëveshjes renegate për formimin e asociacionit kundër kushtetues një etnik serb në Veri, me 19 prill 2013 nga vet kuislingu Thaçi ndërsa me 25 gusht 2015 edhe nga jugokomunisti Isa Mustafa, jo vetëm që nuk kanë kaluar pa pasoja, por ato po ringjallen serish edhe më kërcënueshëm se më parë, si rrezik i ri i minimit të brendshëm kushtetues të vendit si dhe shkatërrimit të kufijve të jashtëm shtetëror të Republikës së Kosovës edhe mbi 21 vite pas çlirimit nga Serbia okupatore. Për aq më keq, po kjo marrëveshje kundër kushtetuese për formimin asociacionit, e nënshkruar nga kuislingu Thaçi, fatkeqësisht me insistimin e tij si kryeministër i atëhershëm është miratuar me Ligj të veçantë edhe në Kuvendin e Kosovës, me shumicën dërmuese të votave dhe mbi 2/3 e deputetëve, ndaj nga atëherë, mjerisht ajo cilësohet si marrëveshje ndërkombëtare, e vërtetuar me 25 gusht të vitit 2015 edhe nga Isa Mustafa me nënshkrimin e tij të vënë para ndërmjetësuesve të BE-së, në Bruksel”, ka potencuar.

Qarri ka treguar se çfarë duhet të bëjë Qeveria e Kosovës, në qoftë se duan mbrojtjen e vendit nga copëtimi.

“Ndaj nëse Qeveria e re, vërtetë dëshiron ta shpëtoj Kosovën nga bosnjëzimi dhe krijimi i një republike të re "Srpska" edhe në territorin e Republikës së Kosovës, si dhe ta mbrojë vendin nga ri copëtimi i mëtejmë, para se të shkojë në bisedime, duhet urgjentisht ta mbledhë Kuvendin dhe ti shpallë të pavlefshme të gjitha vendimet e dëmshme të kuislingut Hashim Thaçi dhe jugokomunistit Isa Mustafa, të cilat shkelin Kushtetutën e vendit, prishin rregullimin e brendshëm shtetërorë dhe rrezikojnë hapur edhe vazhdimësinë e shtetësisë së Kosovës”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Më tej, Qarri ka cekuar se çfarë ligje duhet të shpallin Kuvendi dhe Qeveria e re.

“Vet Kuvendi duhet ti çmontojë me ligj, një orë e më parë idetë e rrezikshme të kuislingut Hashim Thaçi dhe jugokomnistit Isa Mustafa, duke shpallë të pavlefshme asociacionin kundër kushtetues-një etnik serb në Veri të Vendit dhe shfuqizuar urgjentisht thirrjen e renegatit Thaçi, drejtuar ndërkombëtarëve për ndarjen e Kosovës me 25 korrik 2018 në Alpbach të Austrisë. Madje thirrjen e Thaçit drejtuar ndërkombëtarëve për ndarjen e Kosovës, Kuvendi dhe Qeveria e re, duhet shpallin me ligj, akt të ndaluar tradhtarë, si dhe kërcënim të rrezikut të lartë- antishtetëror dhe antikombëtar, ta miratojnë inicimin e menjëhershëm të hetimit nga prokuroria speciale e shtetit, të këtyre dy figurave të dyshimta dhe vendosë ata para drejtësisë, për shkeljen e Kushtetutës, kërcënimin territorial dhe rrezikimin e shtetit të Republikës së Kosovës”, ka vlerësuar ai për “Bota sot”.

Në fund, Qarri e ka mirëpritur letrën e Bidenit, si dhe qëndrimin e tij karshi dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka theksuar se të dyja vendet duhet të përqendrohen në njohjen reciproke, gjë që është edhe qëllimi përfundimtar i kësaj marrëveshje.

“Ndaj megjithëse gëzon shumë fakti që presidentit Biden, mban të njëjtin qëndrim të SHBA-ve, madje edhe më pozitiv për dialogun dhe ka cekur në letrën e tij, se të dy vendet, duhet të përqendrohen në njohjen reciproke, gjë që është edhe qëllimi përfundimtar i kësaj marrëveshje, duke pasur parasysh se, nuk ishte emisari Lajçak as shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borell, ata që kërkuan ndarjen, as asociacionin kundërkushtetues një-etnik serb, por përkundrazi si marrëveshja për asociacionin kundërkushtetues serb ashtu edhe thirrja publike drejtuar ndërkombëtarëve për ndarjen e Kosovës, mbajnë autorësinë e kuislingut Hashim Thaçi i cili bashkë me Veselin, menjëherë pas lufte, fillimisht e ndanë Mitrovicën, ndërsa në koordinim me Aleksandër Vuçiçin, Thaçi edhe në tryezën e bisedimeve me Serbinë, kontrabandoi idenë e ndarjes së shtetit të brishtë të Kosovës, frika nga pasojat që mund të sjellin këto veprime tradhtare të tij, do të mbretërojë tek të gjithë shqiptarët, deri në minutat e fundit, të nënshkrimit të marrëveshjes përfundimtare me Serbinë okupatore”, ka përfunduar Gani Qarri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat