Të lihen anash inatet politike, pozitë e opozitë të bëhen bashkë për qytetarët

Politika

Të lihen anash inatet politike, pozitë e opozitë të bëhen bashkë për qytetarët

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 22 prill 2021 Në ora: 19:16
Pamje nga takimi i Arben Vitisë me Bekim Haxhiun

Që nga 22 marsi, vendi ynë po udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje, me kryeministër Albin Kurti.

Qeveria Kurti që nga fillimi i qeverisjes së saj është treguar shumë e prerë në synimet që ajo do të ketë.

Natyrisht që edhe korrektësia që qeveria tregoi në fillim u përfol mjaft shumë, më saktë ishte tema e dialogut ajo që sipas opozitës nuk u vë në rend të parë nga qeveria.

Mirëpo, pa u përgjigjur nuk mbeti qeveria, duke ia bërë me dije se gjendja pandemike është ajo e cila do të jetë në rend të parë e jo dialogu.

Ministria e Shëndetësisë përfaqësohet nga ministri Arben Vitia, i cili kishte menaxhuar edhe gjendjen pandemike para qeverisë Hoti.

Ministri Vitia që në fillim mori masat e reja për vendit, duke mbyllur për 12 ditë vendin në mënyrë që mundësia e përhapjes së virusit të jetë sa më e vogël.

Pas 12 ditëve ministri Vitia në koordinim me kryetarët e komunave, vendosën që të lirojnë masat, gjithmonë në përputhje me masat anticovid.

Por, përveç bashkëpunimit me kryetarët e komunave, ministri Vitia tregoi bashkëpunim edhe me opozitën, derisa u takua me deputetin e PDK-së, Bekim Haxhiu.

Ky takim sipas dy palëve ishte për arsye të sigurimit të vaksinave Pfizer.

Deputeti Haxhiu tregoi publikisht pse është takuar me ministrin Vitia, derisa njoftoi se edhe i ka dhënë disa numra të kontaktuesve me akterët që do të ndihmojnë në sigurimin e vaksinës Pfizer.

“Takimi kishte për qëllim shqyrtimin e ofertës dhe kontakteve me akterët që mund të na ndihmojnë në sigurimin e vaksinës Pfizer, të cilat kontakte ia kam dërguar ministrit me email para dy ditësh”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Por pavarësisht që ky hap i ministrit Vitia ishte bashkëpunim për interes të vendit, i njëjti u kritikua nga opozita duke u shprehur që opozita po arrin të përfundojë punën e pozitës.

Ministri Vitia gjithmonë ka treguar gatishmëri për bashkëpunim, kjo u vë në pah edhe me takimin që ai pati me opozitën, mirëpo është po e njëjta opozita e cila gjithmonë del të jetë e pakënaqur me pozitën, me apo pa arsye.

Opozita nuk lavdëroi takimin që bëri bashkë pozitë e opozitë, përkundrazi edhe në këtë mes arritën të merren me “inate politike”.

Njohësit e çështjeve politike për “Bota sot”, u shprehën të arsyeshëm për takimin që kishte bërë Vitia me Haxhiun, duke thënë se edhe njëherë pozita dëshmoi që po punon për të mirën e qytetarëve.

Mehmeti: PDK nuk bënë asgjë të mirë për vendin, ajo shikon interesat e saj

Image
Faton Mehmeti

Njohësi i çështjeve politike, Faton Mehmeti, në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh se opozita në këtë takim nuk ka ndihmuar Vitinë për qytetarët mirëpo vetëm është munduar ta diskretitikojë atë.

“Opozita, në veçanti PDK, çdo gjë e bën për ta luftuar qeverinë, respektivisht për ta paraqitur si shpëtimtare. Për PDK vlen ajo thënia “mos merr as dhuratë nga ata se e kanë më bisht”. Kamishi këtë veprim, takimin me ministrin Vitia nuk e ka bërë për ta ndihmuar, thjeshtë për të tentuar ta diskretitojë”, u shpreh Mehmeti.

Më tej, analisti shton se PDK së bashku me Kamishin, janë fajtorë që shëndetësia ka arritur në këtë pikë dhe se asnjë të mirë që ajo bën nuk e bën për vendin por për interesat e saj.

“Mos të harrojmë se Kamishi dhe PDK-ja janë fajtore që shëndetësia është e sëmur, në vend se të turpërohen, dalin se janë shpëtimtarë. Turpi s’ka fund për PDK-në. Mos mendoni se PDK bën diçka të mirë për vendin, ata çdo gjë e bëjnë për interesat e tyre”, ka deklaruar Faton Mehmeti për “Bota sot”.

Ahmeti: Takimi mes Ministrit Vitia dhe deputetit Haxhiu tregon një frymë bashkëpunimi

Image
Hidajet Ahmeti

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, Hidajet Ahmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, vlerëson se ky takim i realizuar nga pozita dhe opozita tregon që po arrihet një frymë bashkëpunimi, duke lënë anash inatet politike.

Ai uron që ky takim të sjell fryte dhe të vazhdohet ky bashkëpunim edhe në të ardhmen.

“Interesi i publik duhet të tejkaloj inatet politike pozitë-opozitë, pasi përfaqësuesit dhe zyrtarët politikë për atë janë të thirrur. Një takim i tillë në mes ministrit Vitia dhe deputetit Haxhiu është brenda frymës së bashkëpunimit dhe konstruktivitetit dhe duhet përshëndetur nga të gjitha partitë politike pozitë-opozitë. Duhet të lihet anash politika destruktive, pasi nuk ndihmon interesit publik, por as partive politike. Uroj që ky takim të sjellë fryte dhe të ndërtohet një standard i tillë i bashkëpunimit, i cili do të prodhonte një frymë të mirë edhe në të ardhmen”, ka potencuar Ahmeti.

Sipas tij, kritikat për qeverinë Kurti nuk duhet të mungojnë, mirëpo duhet gjithashtu edhe t’i jepet kohë për të punuar dhe se ato duhet të jenë të shëndetshme e jo për t’i hedhur hi në sy të qytetarëve.

“Qeveria Kurti mund të kritikohet, por duhet t’i jepet kohë dhe hapësirë për të punuar, pasi problemet janë akumuluar që nga paslufta. Kryeministri Kurti është mirë të kritikohet, pasi kritika është e shëndetshme për një qeverisje më të mirë dhe më me pak gabime gjatë qeverisjes. Por, nuk duhet të kritikohet në logjikën e kamuflimit për t’i hedhur hi në sy të qytetarëve, por të ketë kritika të bazuara dhe konstruktive”, ka theksuar Hidajet Ahmeti për “Bota sot”.

Kelmendi: Kritika për takimin Vitia-Haxhiu nuk ka

Image
Muhamet Kelmendi

Në anën tjetër, profesori Muhamet Kelmendi duke komentuar këtë çështje për “Bota sot”, është shprehur se në gjendjen që po kalon vendi me pandeminë, është njerëzore të bashkëpunojmë.

Sipas Kelmendit, është shumë mirë që Haxhiu e ndihmoi ministrin Vitia, pasi ajo vaksinë është për të mirë të qytetarëve.

“Në gjendjen që po kalon vendi me pandeminë e përfshirë në tërë vendin, është e udhës dhe obligim njerëzor të punohet dhe të gjenden lidhjet për vaksinim të masave kundër coronavirusit. Është e mirë kur nga Bakim Haxhiu iu dha lidhja Ministritë të Shëndetësisë për të blerë vaksinën Pfizer për qytetarët”, tha profesori.

Më tej, Kelmendi ka thënë se nga ky takim nuk ka asgjë të dëmshme as për opozitën, përkundrazi është një formë e punës që duhet të vazhdojë për ta luftuar virusin.

Vaksnimi sipas profesorit është jetik dhe një bashkëpunim i tillë nuk duhet kritikuar sepse dita ditës Kosova po kapë shifra të larta të infektimeve dhe vdekjeve, prandaj vaksinimi sa më parë është i duhuri.

“Këtu nuk ka gjë të dëmshme dhe kjo nuk e dëmton opozitën. Përkundrazi! Kjo formë e punës është për të ecur së bashku në luftimin Coronavirusit. Vaksinimi është tepër i rëndësishëm dhe jetikë për popullin. Natyrisht se së këndejmi për çdo subjekt politikë është e domosdoshme vaksinimi i masave. Kritika këtu nuk ka vend. Ata që kritikojnë duhet të shohim se si po kalon Kosova me pandemi! Sa veta po vdesin! Sa po infektohen! Ndërsa për dëme materiale as që diskutohen, sepse humbjet në vend janë të larta. Sa më parë që bëhet vaksinimi aq më pak kemi vdekje, infektime dhe dëme”, ka deklaruar Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat