“Vrasja në Elbasan do të duhej konsideruar si kambanë alarmi”

Politika

“Vrasja në Elbasan do të duhej konsideruar si kambanë alarmi”

Nga: N.Sh Më: 22 prill 2021 Në ora: 20:31
Pjerin Xhuvani

E diela e kësaj jave shënon ditën e zgjedhjeve në Shqipëri.

Për këtë ditë, dr. Sadri Ramabaja në një shkrim të gjatë, thotë se, ppozita e mbledhur nën siglën e PD ndjen veten se është pikërisht ajo forca politike që garanton rendin e demokracisë liberale perëndimore, përderisa e gjykon se Partia Socialiste e sidomos kreu i saj Edi Rama, tashmë është profiluar qartë si forca politike që koketën me lindjen, merr model autoritaristët e tipit të Lukashenkos, Erdoganit etj. “Në këtë rast, rotacioni formal mund të jetë i pamundshëm, gjykon pala e tretë”.

Ramabaja shkruan se, nuk është e rastësishme se në anketat e publikuara vetëm dy nga njëqind qytetarët shqiptarë deklarohen të kënaqur me gjendjen dhe optimist për të ardhmen.

“A paraqesin rotacionin real emrat që opozita i ka shpallur si bartës të listës së saj: Sali, Tritan, Lulëzim, Fatmir Mehdi, Bujar, Nardi, Dash, Petrit Vasil, Spaho, Palokë…

Vështirë!

Fitorja e Partisë Socialiste edhe më 25 prill, për mandatin e tretë të saj me radhë, i jep fund broçkullave të të ashtuquajturës “e djathtë shqiptare”. Ajo duhet të ribëhet nga fillimi. Ky fakt ndoshta do të paraqesë fitoren e vetme të këtyre zgjedhjeve”, shkruan ai.

Ai thotë se, thirrjet e Partisë Demokratike të shtrira gjithandej e gjithnjë më zëshëm, që qytetarët nuk do të duhej t’ i votonin partitë e vogla, meqë kështu i japin mandatin e tretë Edi Ramës, tregon se në rrafshin strategjik beteja politike që tani mund të cilësohet e humbur.

“Në Shqipërinë politike në këtë pranverë të vonuar të vitit 2021 pyetja nuk duhet të shtrohet nëse fiton Edi Rama, por përse Partia Socialiste mbetet tutje alternativa politike më e besuar për shumicën e qytetarëve shqiptarë. Ndërkaq pyetja e dytë kruciale do të ishte: përse humbja e radhës e të ashtuquajturës së djathtë të strukur nën sqetullat e doktorit, po e vënë në pikëpyetje funksionimin e sistemit politik?!”, thotë Ramabaja.

Ai tutje shprehet se, studiuesi i shkencave politike Daniel Ziblatt (që nga viti 2018 Profesor në Universitetin e Harvard-it), përndryshe bashkëautor i librit bestseller “Si vdesin demokracitë”, në një intervistë dhënë të përditshmes së njohur gjermane “Frankfurter Rundschau” (11.01.2021), qe shprehur përse realisht kishin dhënë alarmin me atë libër pikërisht në vitin që priteshin zgjedhjet në SHBA.

“E dini, ne e kemi shkruar librin Si vdesin demokracitë sepse ishim të shqetësuar për gjendjen e demokracisë amerikane. Disa na thanë se ishim shumë alarmues. Në retrospektivë, duhet të them se ne nuk kemi qenë mjaft alarmues.”

“Shoqëria shqiptare në tërësi, intelegjencia e mediat në veçanti, do të duhej të ishin më alarmuese për këtë gjendje ku e kanë sjellë Republikën PS/PD e LSI për më se tri dekada me radhë. Vrasja në Elbasan do të duhej konsideruar si kambanë alarmi për ndërgjegjen tonë politike në rrafsh kolektiv. Zgjedhjet si proces politik janë thelbësore në një demokraci. Ndërkaq procedurat e drejtpërdrejta demokratike të njohura si fushata zgjedhore dhe votimi janë një element “opsional” i kushtetutës. Kërkohen forca politike që prezantojnë frymën e kohës që vjen, që ky element “opsional” të shndërrohet në frymëzim për zgjedhësit”, shton ai.

Sipas tij, shkenca politike, sipas konstitucionalistit Uëe Volkmann, u përshkruan katër funksione thelbësore zgjedhjeve:

“Funksioni i ligjshmërisë: zgjedhjet janë thelbësore për një demokraci dhe rikthejnë sundimin politik në vullnetin e atyre që janë subjekt i qeverisjes.

Funksioni i krijimit: Organet drejtuese politike dalin nga zgjedhjet, në një demokraci parlamentare, pra një organ përfaqësues që funksionon.

Funksioni përfaqësues: Zgjedhjet duhet të sigurojnë që interesat, pikëpamjet dhe vlerat e ndryshme të popullsisë të pasqyrohen në organin përfaqësues që ata kanë zgjedhur.

Funksioni i integrimit: Popullata është gjithashtu e integruar në sistemin politik përmes zgjedhjeve; për këtë qëllim, akti zgjedhor si i tillë krijon një bazë të përbashkët politike midis qytetarëve”.

“A i përmbushin zgjedhjet e 25 prillit këto katër funksione dhe a e bëjnë Shqipërinë politike Republikë të banueshme për qytetarin shqiptar?

A sigurojnë këto zgjedhje interesat, pikëpamjet dhe vlerat e ndryshme të qytetarëve shqiptarë, që do të përfaqësohen në organin përfaqësues që ata do të zgjedhin?

Pse funksioni i tretë – ai i përfaqësues, tutje do të lë shumë për të dëshiruar në rast se qytetarët tutje përqendrojnë votën tek dyshja P/PD?”, shkruan tutje ai.

Ramabaja potencon se, koha për alternativë të re ishte dje, më 25 prill është paksa e vonuar, ndërkaq për zgjedhjet pasuese sipas afatit kushtetues, do të jetë tepër e vonuar.

“A mund të jenë dy forcat në embrion: “Lëvizja Vetëvendosje” me tre kandidatët e saj, si embrioni i së majtës progresive dhe “Lëvizja për Ndryshim” e ish kryeparlamentares Jozefina Topalli, si ngjizja e shumëpritur e së djathtës reale në ardhje?

Politika është në krizë. Demokracia është poashtu në krizë. Prandaj struktura politike duhet të ndryshojë; madje tani.

Shqipërisë politike, pas kaq vitesh të tranzicionit të tejzgjatur, nuk i mungon liria, por i mungojnë njerëzit e lirë, do të thoshte Don Lush Gergji. Duke u bazuar në frymën aristoteliane, ai pledon për mundjen e frikës dhe për të marrë në përgjegjësi.“Kush e mund frikën, vërtet është i lirë””, thekson ai.

Sipas tij, zgjedhjet e 25 prillit prandaj do të jenë ngjarja politike që do të dëshmojë hapësirën e kufizuar të përzgjedhjes, mungesën opsionale të strukturuar e të shtrirë në gjithë Shqipërinë dhe për rrjedhojë edhe lirinë pa përmbajtje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat