Dialogu/ “Biden ua bëri të qartë Osmanit dhe Vuçiqit” – Mësojeni çmimin e madh që serbët e rusët i kishin premtuar Thaçit

Politika

Dialogu/ “Biden ua bëri të qartë Osmanit dhe Vuçiqit” – Mësojeni çmimin e madh që serbët e rusët i kishin premtuar Thaçit

Nga: N.Sh Më: 23 prill 2021 Në ora: 14:25
Hashim Thaçi

Të hënën që vjen presidenti serb, Aleksandër Vuçiq do të jetë në Bruksel.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do ta vizitojë kryeqendrën e BE-së menjëherë pas presidentit të Serbisë.

Profesor dr. Enver Bytyçi, në lidhje me këto takime të liderëve, shprehet se që të dy do të kenë të njëjtën agjendë, të njëjtat takime dhe të njëjtën temë diskutimi, dialogun midis të dy vendeve.

Sipas tij, më pas, diku nga mesi i muajit maj, pritet një takim midis të dy protagonistëve kryesorë të dialogut Kosovë-Serbi.

“Sigurisht që Kurti dhe Vuçiq do të takohen. Por takimet e tyre nuk do të jenë si ato Thaçi-Vuçiq, të cilat na kujtojnë kohën më të errët të injorimit të autoritetit shtetëror të Kosovës. Tashmë këto takime do të jenë me diskutime, me debate, me dosje, me argumente, me të vërteta, edhe nga ato të hidhurat për Serbinë e presidentin e saj. Nuk do të ketë më "Hajde ta kryejmë, punë e madhe se nuk vendoset në vend e drejta"!”, thotë Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

Megjithatë, sipas tij, nuk i duket se të dy palët kanë ndonjë nguti në dialog.

Image
Profesor dr. Enver Bytyçi

“Vuçiq pas një viti do të ballafaqohet me zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare. Do të donte që ta shtynte nënshkrimin e një marrëveshjeje pas këtyre zgjedhjeve. Ai është nën presion të madh nga bashkësia ndërkombëtare perëndimore. Megjithatë përpiqet të gjejë të çara dhe te futë pyka midis aktorëve dhe faktorëve në fjalë. Por ka një pengesë serioze e të pakapërcyeshme, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe presidentin Biden”, thotë profesori.

Ai shton se, me Biden nuk e ka aq të lehtë sa me Trump, sepse presidenti aktual amerikan e njeh rajonin po aq sa edhe Vuçiq e liderët e tjerë lokalë.

“Presidenti serb nuk e ka të lehtë, sepse në Kosovë tashmë gjendet në drejtimin e shtetit një gjeneratë e re politike e pa kompleksuar dhe e pakapur prej tij. Po ashtu të dielën edhe në Shqipëri me shumë gjasë do të vijë e njëjta gjeneratë. Beogradi e sheh veten inferior para politikanëve të rinj në Kosovë e në Shqipëri. Ndaj ndjehet i rrethuar”, thekson Bytyçi.

Ai pohon se, Albin Kurti gjithashtu nuk duket se nxiton, siç bënte Thaçi në kohën e tij.

“Për Thaçin një marrëveshje me Serbinë me shkëmbim territoresh ishte sukses. Dhe e donte me çdo kusht këtë. Serbët e rusët i kishin premtuar çmimin Nobel. Dhe disa shqiptarë për lavdi e pasuri djegin shtëpinë e vet. Për Albin Kurtin është ndryshe. Ai e di se edhe po ta nënshkruajnë nesër një marrëveshje me Serbinë, Kosovës i duhet kohë të integrohet në BE. Duhen plotësuar dhe kushte të tjera. Ai ka vendosur të punojë për plotësimin e kushteve të tjera dhe pas kësaj të merret me dialogun dhe ta heqë atë pengesë”, potencon ai.

Profesori beson se, takimet do të jenë thjesht formale ose informale, por pa ndonjë produkt të posaçëm.

“Ndërkaq të dy palët po ballafaqohen me një presion në rritje të SHBA-ve për t'i dhënë fund kësaj gjendjeje të statukuosë. Duket se Uashingtoni dëshiron të lirohet nga kjo krizë e stërzgjatur midis Kosovës dhe Serbisë. Presidenti Biden ia bëri këtë të qartë edhe zonjës Osmani edhe zotit Vuçiq. Kërkon marrëveshje me njohje të ndërsjellët, madje këmbëngulë që sa më shpejt të jetë e mundur. Kjo do të thotë se të dy palët janë nën presion”, thotë ai.

Bytyçi pohon se, Kurti ka frikë se do t'i duhet të bëjë ndonjë lëshim në marrëveshje.

“Lëshimi më i vogël do të keqpërdoret nga opozita dekonstruktive si shuplakë e madhe për atë Kurtin që ka djeg parlamentin në mbrojtje të Kosovës. Do të reagojë ashpër në këtë rast edhe AAK, edhe PDK. Por të dyja me motive të ndryshme. PDK do të reagonte për çdo lëshim të Albin Kurtit në shenjë hakmarrje pse ai ka reaguar kundër Thaçit më protesta ekstreme. Pra në opozitën e PDK-së nuk ka e nuk do të ketë asgjë parimore”, vlerëson ai.

Sipas tij, ata ishin të implikuar në ndarjen e Kosovës dhe tani në opozitë do të përpiqen për t'u hakmarrë të bëjnë "patriotin"!

“Pikërisht kjo situatë konfliktuale do t'i shkonte për shtat Beogradit dhe Serbisë. Kosova mund të kthehej në shesh beteje e luftës politike ndër veti. Prandaj mendoj se Albin Kurti dhe Vjosa Osmani bëjnë mirë që nuk nxitojnë, por i hedhin hapat me guxim e një nga një edhe në çështjet e dialogut”, përfundon profesor dr. Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat