Kurti e Vuçiq në Bruksel, çfarë pritet nga takimet e tyre të ndara?

Politika

Kurti e Vuçiq në Bruksel, çfarë pritet nga takimet e tyre të ndara?

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 24 prill 2021 Në ora: 12:21
Albin Kurti

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, javën e ardhshme pritet të udhëtojë për një vizitë zyrtare në Bruksel.

Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

Kurti do të ketë takim me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, presidenten e Komisionit Evropian Ursula von Der Leyn, Përfaqësuesin e lartë Josep Borrell si dhe Komisionerin për fqinjësi dhe zgjerim, Oliver Verhelyi.

Në të njëjtën javë, edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq pritet të qëndrojë në Bruksel, i cili do të ketë takime me zyrtarët më të lartë të institucioneve të Bashkimit Evropian.

Kështu, edhe shkuarja e Vuçiqit në Bruksel, ka bërë që të ketë spekulime se do të mund të ketë takim Kurti-Vuçiq. Por, Vuçiq pritet që më 26 dhe 27 prill t’i zhvillojë takimet në Bruksel, ndërkaq, Kurti një ditë më pas.

Madje edhe nga BE-ja thonë se “nuk janë në dijeni për një mundësi të tillë”.

Edhe sipas Kryeziut, në këtë vizitë Kurti do të takohet me zyrtarët e Bashkimit Evropian (BE), por jo edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Ndërsa, për një takim Kurti-Vuçiq është përmendur muaji maj.

Por, çfarë pritet nga këto takime që do të mbahen në Bruksel? Lidhur me këtë kanë folur njohës të çështjeve politike.

“Qëllim i takimeve janë qëndrimet e palëve për formimin e asociacionit një etnik serb”

Analisti politik, Gani Qarri, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se bazuar në atë se Kurti dhe Vuçiç do të udhëtojnë për në Bruksel, ata nuk do të takohen bashkë, por do të kenë takime me zyrtarët e BE-së, por jo takim në mes tyre, kështu që nuk mund të pritet asgjë.

Qarri thotë se takimet e përbashkëta të tyre do të jenë në maj, në dialogut dypalësh dhe me ndërmjetësimin e BE-së.

Image
Gani Qarri

“Siç jemi tanimë në dijeni nga informatat më të reja, në kuadër të parapërgatitjes për rifillimin e dialogut, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ftesë të emisarit të BE-së dhe ndërmjetësuesit të bisedimeve Mirosllav Lajçak, si dhe shefit për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borell, javën e ardhshme kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti do të udhëtojë për në Bruksel, ku do të zhvilloj takime me zyrtarë të lartë të BE-së. Në Bruksel pritet të udhëtojë edhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq, i cili po ashtu ka paralajmëruar takime me zyrtar të lartë evropian, por kësaj radhe takimet me liderin e Kosovës dhe atë të Serbisë, do të zhvillohen ndaras dhe fillimisht, ata nuk do të takohen bashkë. Ndaj nga ky udhëtim i liderëve të të dyja vendeve momentalisht nuk mund të presim shumë, pasi që Kurti dhe Vuçiq, shumë shpejtë pritet të rikthehen sërish në kryeqytetin e BE-së në Bruksel dhe në kontekst të dialogut dypalësh,që pritet të fillojë në muajin maj, do të kenë takime të përbashkëta, me ndërmjetësimin e BE-së”, ka deklaruar Qarri.

Qarri këtë e ka lidhur edhe me deklaratën e Kurtit, që prioritet parësor nuk do jetë dialogu. Ai thotë se po kërkohet edhe nga BE-ja formimi i asociacionit etnik serb në Kosovë dhe sipas tij, qëllimi i takimeve të ndara është pikërisht kjo temë, për të parë qëndrimet e tyre.

“Me këtë rast duhet cekur faktin se sidomos pas ardhjes së Qeverisë së re dhe deklaratave të Kurtit se dialogu nuk është prioritet parësor i Kosovës, para se të rishikohen marrëveshjet e arritura me Serbinë, shumica prej të cilave nuk janë zbatuar asnjëherë nga Serbia, kohët e fundi, me insistimin e Serbisë, edhe nga përfaqësuesit dhe zëdhënësit e BE-së, gjithnjë e më shpesh kërkohet formimi i asociacionit një etnik serb, në Kosovë. Ndaj në Bruksel, paraprakisht do të zhvillohen takime të ndara, me liderin e Kosovës Albin Kurti dhe atë të Serbisë Vuçiq, për të parë qëndrimet e palëve, rreth kësaj teme të nxehtë dhe gatishmërinë për rifillimin e bisedimeve dypalëshe, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka theksuar ai.

Tutje, ai ka vlerësuar se marrëveshja e miratuar në Kuvendin e Kosovës dhe e nënshkruar nga Thaçi lidhur me asociacionin një etnik serb, do të ndikojë që çdo fillim i bisedimeve të jetë nismë e vështirë, sidomos për Qeverinë Kurti.

“Por, duke pasur parasysh faktin e trishtë se nga 19 prilli i vitit 2013, kemi në fuqi një marrëveshje të rrezikshme kundër kushtetuese, si ajo për asociacionin një etnik serbë, e cila jo vetëm që është nënshkruar nga kuislingu Hashim Thaçi, por me insistimin e tij, ajo është miratuar me Ligj të veçantë edhe në Kuvendin e Kosovës dhe nga atëherë, konsiderohet si marrëveshje ndërkombëtare, pa shfuqizimin e saj, çdo rifillim i bisedimeve, në momentet kur edhe BE-këmbëngul që të formohet ky i ashtuquajtur asociacion kundër kushtetues, do të jetë nismë tepër e vështirë, për cilën çdo Qeveri e sidomos për Qeverinë Kurti dhe delegacionin e Kosovës për bisedime”, ka shtuar Qarri.

Ai ka shtuar se marrëveshjet kundër kushtetuese duhet të hiqen, sepse përndryshe do të jetë e pamundur marrëveshja me Serbinë. Madje, Qarri thekson se Qeveria duhet sa më shpejtë t’i shpallë të pavlefshme marrëveshjet e dëmshme të Thaçit dhe të Mustafës, sepse do të rrezikojnë shtetin e Kosovës.

“Ndaj para se të shkohet serish në bisedime, një marrëveshje e tillë e rrezikshme dhe kundër kushtetuese, duhet të hiqet qafe njëherë e përgjithmonë, e cila jo vetëm që do t’i vështirësojë jashtëzakonisht bisedimet, por do ta pamundësojë arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë dhe bosnjëzojë edhe Kosovën, gjë që jo vetëm se nuk mund ta pranojnë për asnjë çmim shqiptarët, por një Bosnjë e dytë në Ballkan nuk do ti duhej as vet BE-së. Kështu që Qeveria e re e Kosovës në vend se të lejojë krijimin edhe të një republike "srpska" në territorin e vendit tonë dhe bëjë bosnjëzimin e Republikës së Kosovës, kërkohet që urgjentisht ta mbledhë Kuvendin dhe t’i shpallë të pavlefshme të gjitha marrëveshjet e dëmshme të kuislingut Hashim Thaçi dhe jugokomunistit Isa Mustafa, të cilat përveç se shkelin Kushtetutën e vendit, shkatërrojnë edhe rregullimin e brendshëm shtetërorë, si dhe rrezikojnë publikisht vazhdimësinë e shtetësisë të Republikës së Kosovës, gjë që në asnjë mënyrë, nuk guxon të lejohet të ndodhë, qoftë edhe duke mos pranuar fillimin e bisedimeve fare me Serbinë okupatore”, është shprehur Gani Qarri për “Bota sot”.

“Qëllimi i takimeve, rifillim i dialogut”

Ndërsa, juristi Blerim Burjani, ka deklaruar për “Bota sot”, se qëllimi i shkuarjes së tyre në Bruksel, është përgatitje për rifillimin e dialogut, meqë rast, palët duhet të jenë serioze dhe mos penguese ndaj dialogut.

Sipas Burjanit, në këto takimet do të diskutohet edhe lidhur me pandeminë dhe ligjin, pra nuk mund të jetë diçka tjetër.

Image
Blerim Burjani

“Mendoj se po fillon faza përgatitore për rifillimin e dialogut, palëve iu bëhet e ditur obligimet, iu tregohet po ashtu se çfarë do të bëjnë gjatë negociatave, pra takimet janë të kamufluara, diçka tjetër flitet apo për disa tema dhe nuk bëhen të ditur detajet e shumta në këto takime. Palët duhet të jenë konstruktive për një zgjidhje, kooperuese, serioze dhe kreative dhe mos penguese të dialogut. Pra, janë disa tema që mund të shtjellohen pashmangshëm, në suaza të tilla do te flitet edhe për pandeminë vaksina, rendin dhe ligjin, nuk kam ndonjë pritshmëri nga ky takim, pra janë takime njoftuese dhe nuk sjellin diçka tjetër”, ka thënë ai.

Ai, Kurtin e sheh fillestarë në dialog, me shumë të panjohura që do t’i dëgjojë dhe sipas tij Kosova duhet të ketë pushtet serioz për tu marrë me këtë temë.

Burjani ka theksuar se Serbia, Kosovën do ta bëjë përgjegjëse për dështimet, kështu duke kërkuar edhe hapjen e negociatave për anëtarësim.

“Meqenëse Kurti është fillestar në këtë dialogut, do ta ketë sfidë jetësore me shumë probleme dhe shumë të panjohura, shumëçka e padijshme që do e dëgjojë. Është për të ardhur keq se Kosova nuk ka pushtet serioz për tu marrë me një temë të tillë, Kosova do të jetë edhe më larg normalizimit të marrëdhënieve. Tentativa serbe, që prej tash ta lë fajtorë dhe përgjegjëse Kosovën për dështime, duke kërkuar nga BE-ja hapjen e negociatave për anëtarësim, duke thënë se Kosova nuk është ekostrkutive dhe serioze për gjetjen e zgjidhjeve dhe se ata si Serbi nuk mund të presin ndonjë pushtet tjetër të vijë me vite për të negociuar me partnerë të dijshëm dhe serioz”, ka deklaruar Blerim Burjani për "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat