“Blerim Shala mbështet ndarjen e Kosovës, e Veton Surroi i lidhur me...”, kjo është thirrja për Albin Kurtin

Politika

“Blerim Shala mbështet ndarjen e Kosovës, e Veton Surroi i lidhur me...”, kjo është thirrja për Albin Kurtin

Nga: P.R Më: 25 prill 2021 Në ora: 20:04
Veton Surroi, Albin Kurti dhe Blerim Shala

Në mediat e ndryshme në Kosovë, është raportuar se kryeministri Kosovës, Albin Kurti ka ftuar që të jenë pjesë e dialogut Kosovë-Serbi publicistin Veton Surroi, si dhe ish-koordinatorin politik në bisedimet me Beogradin në Bruksel, Blerim Shalën.

Ish zëvendëskryeministri i Kosovës dhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosjes në legjislaturën aktuale, Haki Abazi, menjëherë doli kundër një ideje të tillë.

“Roli i Blerim Shales në dialogun e udhëhequr nga Hashim Thaçi, ka qenë joproduktiv dhe në përkrahje të degradimit të subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës. Procesi i deritanishëm i dialogut ka prodhuar dëme vështirë të riparueshme, e ka dobësuar pozitën negociuese të Kosovës, dhe ka krijuar rrethana të favorshme për Serbinë. Në asnjë mënyrë nuk duhet të aplikohet mendësia e vjetër e aq me pak të sigurohet pjesemarrje pa legjitimitet qytetarë në nje proces kaq jetik të individëve që kanë kontribuar në rezultatet negative të shtetndërtimit në dekadën e kaluar”, ka shkruar deputeti i Vetëvendosjes, Haki Abazi.

E lidhur me ftesën e mundshme nga Albin Kurti për Veton Surroin dhe Blerim Shalën, për gazetën “Bota sot”, ka folur profesor, doktor, Enver Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

“Thirrja nga ana e kryeministrit Albin Kurti te publicistit Veton Surroi dhe ish-koordinatorit te dialogut, Blerim Shala ishte diçka që nuk pritej. Ishte e ditur se zoti Kurti do të rikonfiguronte ekipin e tij në dialog me Serbinë. Ai e nisi këtë me dy figurat e lartpërmendura dhe unë nuk prisja që të ndodhte kjo, sidomos nuk prisja që të thirrej Blerim Shala”, thotë Bytyçi.

Sipas tij, Blerim Shala ka qenë pro ndarjes së Kosovës, ide kjo e ish presidentit, Hashim Thaçi.

“Zoti Shala do të duhet të më mirëkuptojë, sepse asgjë personale nuk kam me të. Por ai duhet ta dijë se është jo vetëm i paragjykuar. Është edhe i gjykuar në publik si përkrahës i Hashim Thaçit. Madje i gjykuar edhe për procesin e ndryshimit të kufijve dhe shkëmbimit të territoreve. Zoti Shala ishte koordinator i Grupit Negociator të zotit Thaçi, ashtu siç ishte dhe në Grupin Negociator të zotit Rugova e zotit Sejdiu. Fakti që Blerim Shala është përshtatur me të gjitha opsionet që kanë patur shefat e tij në dialog dëshmon se ai është një person konformist. Nuk besoj se zoti Kurti e ka marrë atë në ekipin e tij për shkak të përshtatjes dhe konformizmit të tij. Por unë mendoj se derisa zoti Shala është shfaqur pro idesë dhe opsionit të Hashim Thaçit për ndarjen e Kosovës, ai nuk mund dhe nuk duhej të bëhej pjesë e këtij grupi negociator”, thekson Bytyçi për “Bota sot”.

Më tej, Bytyçi shprehet se nëse qytetarët e Kosovës kanë votuar ndryshimin në Kosovë, ndryshimi duhet të ndodhë edhe në atë që quhet Grupi Negociator me Serbinë.

“Nëse kryeministri është nisur nga përvoja e Blerim Shalës, edhe kjo ka diskutim, sepse tashmë në Kosovë ka një përvojë të pasur në këtë dialog edhe nga ata që nuk kanë qenë pjesëmarrës të tij. Sa i përket zotit Surroi, për të ka kundërthënie të shumta. Përmenden qëndrimet e tij herë pro e herë kundër të këtij apo atij lideri politik në Kosovë. Përmendet lojaliteti i tij edhe me Serbinë. Por unë e di se ai ka qenë një ndër figurat kryesore të delegacionit të Kosovës në bisedimet me Koshtunicën për statusin e saj. Di se në këtë delegacion ai ka mbajtur një qëndrim atdhetar, ka këmbëngulur në pavarësinë e Kosovës dhe për ketë opsion ka dhënë një kontribut të spikatur”, deklaron Bytyçi.

Ai shton se dihet që Veton Surroi është i lidhur me fondacionin Soros.

“U tha se Sorosi ishte mbështetës i flaktë i nismës së Beogradit të mbështetur nga Thaçi, Rama dhe Batoni për ndarjen e Kosovës. E vërteta është se djali i Soros, Aleksi, ishte gjithnjë i pranishëm në Beograd, Tiranë dhe Prishtinë gjatë asaj kohe, sidomos në rastet kur takoheshin Rama dhe Vuçiq. Megjithatë Veton Surroin nuk e kam dëgjuar asnjëherë të deklarohet në mbështetje të ndryshimit të kufijve. Ai ishte racional në qëndrimet e tij ndaj kësaj çështje, ndryshe nga lojaliteti I Blerim Shalës”, thekosn Bytyçi.

“Nisur nga këto dy argumente, si dhe nga fakti se kur Veton Surroi niset nga e mira e Kosovës ndihmon më shumë se kushdo tjetër realizimin e qëllimit pozitiv për shkak të njohurive dhe dijeve të tij, unë do ta mbështesja pjesëmarrjen e tij në ekipin e dialogut. Unë besoj dhe shpresoj se ai do të dijë të jetë kontribuues i madh në dialog në funksion të qëllimit të njohjes së shtetësisë nga ana e Serbisë dhe anasjelltas të Serbisë nga ana e Kosovës. Kjo nuk është e pamundur. Mbaj mend në vitin 2006 kur Mali i Zi shpalli pavarësinë në Beograd u bënë gati për luftë kundër këtij vendi. Por brenda 48 orësh ndryshoi atmosfera në kryeqytetin serb dhe Koshtunica shkoi menjëherë për vizitë në Podgoricë. Dua të them se në politikën dhe diplomacinë serbe mund të ndodhë edhe kjo me Kosovën. Ndoshta këtë mendësi e njeh më mirë se tjerët Veton Surroi”, shpjegon më tej për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

Më tej, profesor Bytyçi ka drejtuar një thirrje drejt kryeministrit, Albin Kurti.

“Dhe së fundi, do të doja të thoja se zyrtarisht koordinator i Grupit Negociator është ende Skënder Hyseni. I bëj thirrje kryeministrit ta nisë me karrocë dore drejt portës dalëse të këtij grupi, sepse çdo ditë e më shumë që ai shpërblehet për punët e pista të tij në krah të Hashim Thaçit, është ditë e shëmtuar. Duhet një koordinator i aftë, i besueshëm, i vëmendshëm në detaje, jo megaloman dhe mendjemadh. Kanë rëndësi edhe cilësitë personale të atij që do të vihet të koordinojë punën e ekipit të ri. Ky nuk mund të jetë më Blerim Shala. Nëse e mban Blerimin le të mbajë valixhet e shefave, e të shpjegojë ndonjë rast analogjik në diskutimet që bëhen”, shprehet Bytyçi.

“Përfundimisht, duhet të them se zotit Kurti i duhet të mos marrë vendime, të cilat opinion publik nuk I mirëpret, sepse ato japin mesazhin e mos ndryshimit. Kjo vlen edhe sa i përket procesit të dialogut me Serbinë. Sepse si të jetë përbërja e delegacionit, ashtu duhet besuar se do të jetë edhe qasja ndaj këtij dialogu”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat