Skandali i Qeverisë Hoti me listat e kompanive përfituese, kërkohet hetim nga prokuroria

Politika

Skandali i Qeverisë Hoti me listat e kompanive përfituese, kërkohet hetim nga prokuroria

Arife Morina Nga Arife Morina Më 26 prill 2021 Në ora: 20:13
Avdullah Hoti

Për disa ditë me radhë, Qeveria Kurti ishte objekt i kritikave, shkaku i vendimit që mori për shtesat e pensionistëve.

Subjektet opozitare vërshuan me akuza të llojeve të ndryshme, ani pse vendimi për shtesat e pensionistëve ishte i vlefshëm vetëm për tre muaj.

Mirëpo, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, nuk qëndroi I heshtur përballë këtyre akuzave, me të cilat sulmohej Qeveria Kurti.

Pasi, ministri Murati bëri publike listën e bizneseve të cilat kanë fituar më së shumti nga pakoja prej 60 milionë eurove. Ai tha se publikimin e kësaj listë e kishte bërë me qëllim të transparencës.

“Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, në frymën e transparencës, po ashtu edhe në zbatim të marrëveshjes financiare ndërkombëtare me Bashkimin Evropian të nënshkruar dhe ratifikuar në Kuvend”, ka shkruar ai në Facebook.

Bazuar në listën e publikua, u vërejt qartë se përfituesit më të mëdhenj të Pakos Ekonomike ishin kompani dhe biznese të afërta me politikanë dhe bashkëpunëtorë të tyre.

Përfitues të kësaj liste ishin biznese që kanë punuar vazhdimisht gjatë pandemisë, që i bie se nuk janë prekur nga pandemia dhe kanë vazhduar punën normalisht, duke pasur dhe fitim, por që janë të njëjtat që Qeveria Hoti i ka shpërblyer dhe me para nga Pako e Rimëkëmbjes.

Në anën tjetër, nga Qeveria në kohë pandemie përfituan shumë pak apo fare qytetarët e Kosovës apo ata që humbën punën për shkak të kësaj gjendje.

Njohës të çështjeve ekonomike dhe politike, për gazetën “Bota sot” e komentuan publikimin e kësaj liste dhe dhanë mendimet e tyre për mënyrën e shpërndarjes së mjeteve në kohë pandemie.

Kadriaj: Shqetësim, a kanë shkuar në llogari të punëtorëve mjetet e ndara nga Qeveria!?

Njohësi i çështjeve ekonomike, Mustafë Kadriaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka folur për publikimin e listës së bizneseve të cilat kanë përfituar nga pakoja e rimëkëmbjes ekonomike, gjatë qeverisjes nga ish-kryeministri Avdullah Hoti.

Kadriaj e vlerësoi publikimin e kësaj liste nga ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, mirëpo ai kërkoi që Qeveria Kurti të veprojë në interesa të qytetarëve të vendit.

Image
Mustafë Kadriaj

“Në parim publikimi i listës është i mirëseardhur për publikun, por një gjë duhet ta ketë të qartë qeveria aktuale, që qytetari ia ka dhënë besimin për të qeverisur dhe për një mirëqenie më të mirë. Por, siç duket qeveria aktuale po e mbulon mos punën e saj me këso shfaqje mediale derisa asnjë veprim i Qeverisë Kurti deri më tani nuk ka qenë në interes të qytetarit duke i kujtuar masat anti-Covid pa asnjë efekt”, ka deklaruar ai.

Tutje, ekonomisti u shpreh se gjatë shpërndarjes së pakos ekonomike, qeveria e kaluar është dashur të bëjë dallimin në mes kompanive të cilat kanë punuar në vazhdimësi dhe atyre të cilat kanë ndërprerë punën.

Gjithashtu, Kadriaj shprehu shqetësim edhe për një çështje tjetër, duke ngritur dyshime se nëse mjetet e ndara financiare kanë shkuar në llogari të punëtorëve nga pronarët e bizneseve.

“Në shikim të parë ashtu duket por duhet te kemi parasysh që për 20 vite këto biznese kanë qenë kontribuuesit më të mëdhenj në arkën e shtetit, njëherësh duhet të bëjmë dallimin që si qendra tregtare nuk e kanë ndalur punën, ku në këtë rast nuk do të duhej të kompensoheshin kompanitë në fjalë por këto biznese kanë edhe linja të prodhimit që prodhimi në muajt mars-prill të vitit të kaluar nuk kanë punuar që parimisht do duheshin të paguheshin. Shqetësim është që mjetet a janë shkuar në llogari të punëtorëve nga pronarët e bizneseve, mirëpo për këtë, Banka Qendrore e Kosovës mund ta thotë fjalën përfundimtare”, theksoi ai.

Ndërsa, në fund Kadriaj preku edhe çështjen e pagesave ndaj qytetarëve, të paraparë sipas ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike. Ai nënvizoi se në këtë rast, përgjegjësia për mos pagesë bie edhe në qeverinë e kaluar, por edhe në qeverinë e tashme.

“Ndërsa, përgjegjësia për mos pagesë ndaj qytetarëve bie si në Qeverinë Kurti 1, Qeverinë Hoti dhe prapë në Qeverinë Kurti 2. Kjo për faktin se ligji për rimëkëmbje është në fuqi dhe Qeveria Kurti 2 ka mandat për t’i proceduar pagesat, pra tani e tutje kryeministri duhet ta ketë të qartë se qytetari nuk ka nevojë për ligjërime, por për veprim në interes të lehtësimit të jetës së qytetarit”, ka përfunduar Mustafë Kadriaj për “Bota sot”.

Krasniqi: Skandali me listat e kompanive përfitueseve, të aktivizohet prokuroria

Kurse, njohësi i çështjeve politike, Islam Krasniqi listën e kompanive përfituese nga Pako e Rimëkëmbjes Ekonomike e cilësoi si skandal të madh të Qeverisë Hoti.

Ai gjatë prononcimit për gazetën “Bota sot”, ka përmendur faktin se ishin pikërisht kompanitë të cilat gjatë pandemisë i shumëfishuan çmimet e produkteve, ato qe u shpërblyen nga Qeveria e kaluar.

Image
Islam Krasniqi

“Publikimi i përfituesve të Pakos për Rimëkëmbje Ekonomike të përzgjedhur nga Qeveria Hoti tregon skandal të pa precedent, ku përfitues janë kompanitë e mëdha të cilat kanë vazhduar punën pa problem duke i rritur çmimet dhe duke i zbrazur raftet nga shitjet e mëdha dhe në fund në vend që të ndëshkohen për rritje çmimi në kohë pandemie, ato shpërblehen”, është shprehur Krasniqi.

Në vazhdim, analisti tha gastronomia është dashur të jetë prioritet i qeverisë së kaluar, dhe jo kompanitë si Viva Fresh, Elkos,etj.

“Qeveria Hoti është dashur t'i ketë prioritet gastronomët të cilët janë të vetmit që kanë pasur humbje duke rrezikuar edhe bizneset e tyre apo shuarjen krejt, e ti shpërblejë Viva Freshin, Elkosin, kolegjet, kompanitë e sigurimeve, kompanitë e derivateve, kur të dëmtuar kanë qenë vetëm gastronomët dhe qytetarët”, ka theksuar ai.

Në fund, analisti Krasniqi bëri apel që në këtë skandal të mënyrës së shpërndarjes së mjeteve të Pakos Emergjente, të përfshihet Prokuroria e shtetit dhe t’i fillojë hetimet e saj.

“Si nuk është skandal kur kjo qeveri i ka larguar qytetarët nga lista e përfituesve nga Pako Emergjente Fiskale sipas masës 15 se një anëtar i familjes gëzon një pension të pleqërisë 90 euro, apo një pension me aftësi të kufizuara gjersa miliona ju ndanë milionerëve. Këtu është dashur prokuroria të aktivizohet dhe të hetoj këtë skandal për t’i ndëshkuar ata që u morën me këto lista!”, përfundoi Islam Krasniqi, transmeton “Bota sot”.

Duhanaj kërkon të dhëna se në bazë të cilave kritereve u ndihmuan bizneset

Ndërsa, analisti tjetër politik, Leon Duhanaj tha se mënyra e ndarjes së mjeteve ndihmëse për kompanitë, gjatë kohës së pandemisë është dashur të mbështet në disa kritere të caktuara.

Ai u shpreh se duke parë listën e bizneseve të publikuara, vërehet se janë biznese me mirëqenie të lartë.

Image
Leon Duhanaj

“Kur kemi të bëjmë me ndarjen, apo mbështetjen financiare tek bizneset në kohë të COVID-19, atëherë si parim për mbështetje duhet të jenë kriteret e paracaktuara. Tani, tek kjo lista e bizneseve të publikuara si pranuese të ndihmave financiare në shikim të parë, duket të jenë biznese me mirëqenie të lartë”, ka deklaruar analisti.

Tutje, Duhanaj theksoi se për ta analizuar objektivisht listën e bizneseve që përfituan nga Pakoja Emergjente, duhet të kemi njohur mbi kriteret të cilat i ka përdorur Qeveria Hoti, gjatë marrjes së vendimit

“Megjithatë, për ta analizuar objektivisht dhe saktësisht lehtë, mendoj që duhet njohur me kriteret që janë përdorur për vendime të tilla. Me që për mua kriteret janë të panjohura, po besoj që ka mundur të jetë numri i të punësuarve, përkatësisht niveli i taksave të paguara ndaj shtetit”, potencoi ai.

Në fund, analisti Duhanaj përmendi një shembull se si qeveria gjermane, gjatë pandemisë i ka ndarë ndihmat për bizneset e caktuara. Ai ceku edhe kriterin e numrit të të punësuarve apo nivelit të taksave.

“Një shembull, nga vendi ku jetoj, në Stuttgart të Gjermanisë, qyteti i ka ndarë rreth një miliard euro si mbështetje ndaj bizneseve. Rreth 7000 milionë nga to u janë ndarë Daimler AG, përkatësisht fabrikës se Mercedesit. Përderisa të gjitha kompanive të tjera së bashku, u janë ndarë rreth 200 milionë euro. Pra në këtë rast, në shikim të parë, duket se mund të kenë qenë kriter numrat e të punësuarve, apo niveli i taksave të paguara. Duhet të analizohet dhe hetohet”, ka përfunduar ai për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat