Paralajmërohet Kurti para takimit me Vuçiqin: Serbia është dredhake – këto janë sfidat e kryeministrit të Kosovës

Politika

Paralajmërohet Kurti para takimit me Vuçiqin: Serbia është dredhake – këto janë sfidat e kryeministrit të Kosovës

Nga: N. H Më: 27 prill 2021 Në ora: 22:26
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, presindetja Vjosa Osmani, dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë pritet të vazhdojë më 11 maj në Bruksel, ka thënë Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe atë të Sigurisë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Ai e bëri njoftimin gjatë një konference për media me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili po qëndron në Bruksel.

Në lidhje me takimin e paralajmëruar, gazeta “Bota sot”, ka kontaktuar opinionistin Dedë Preqi.

Preqi në një prononcim dhënë për gazetën “Bota sot”, ka deklaruar se dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë, duhet të jetë i pashmangshëm nëse duhet të normalizohen marrëdhëniet në mes këtyre dy vendeve.

Ai gjithashtu ka paralajmëruar shefin e Qeverisë së Kosovës se Serbia është dredhake dhe e pa sinqertë, andaj në dialog duhet të ndërmjetësojë përveç BE-së, edhe SHBA-të.

Image
Dedë Preqi

“Na mbetët pyetja pa përgjigje; çfarë lloj marrëveshje dhe dialogu do të ketë koha, të cilën e kemi përpara, nuk është fjala vetëm të zbrazemi në dialog dhe t’ia tregojë njëri-tjetrit të palarat, por të flitet për përmbajtjen dhe formën e qëndrueshme të saj e njerëzore, sepse Serbia, është dredhake dhe e pa sinqertë, andaj në dialog duhej të ndërmjetësojë përveç BE-së, edhe SHBA-të. Është e qartë se Bashkimi Evropian, synon të arrijë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, në të cilën do shqyrtohen të gjitha çështjet e mundshme të të dyja palëve për një zgjidhje sa më të favorshme për të dyja palët, por sikur po harrohet se, cili është agresori dhe cili është viktima, ku para së gjithash me rëndësi është vendosja e disa pikave në tavolinë të palës nga Kosova, për të larguar mjegullën e palës serbe, e cila i mohon krimet dhe masakrat e saj ndaj shqiptarëve dhe bëhet sikur nuk ka ndodhur asgjë”, ka thënë fillimisht Preqi.

Tutje, ai ka potencuar se BE-ja duhet t’ia bëjë të qartë Serbisë se rruga e saj në integrimet evropiane, fillimisht duhet të ndodhë normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën.

“Për elementin dialog në mes Kosovës dhe Serbisë, është më rëndësi edhe një tërësi normash që duhet ti parashtrojë në këtë rast BE-ja, të dyja palëve, por në rend të parë duhet Serbisë, të ia tregojë qartë rrugën e saj në integrimet evropiane, që do të thotë në veçanti normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, dhe në një mënyrë ka nevojë të domosdoshme të disiplinohet, nëse organizimi i këtij projekti shoqëror Evropian, konsiderohet edhe si një garancë e një uniteti dhe bashkëjetese të pa trazuar në mes popujve. Edhe përfaqësuesi i lartë i BE-së, për politikë të jashtme z. Josep Borrel, thotë se dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë, duhet të jetë prioritet i mundshëm, por Kosova po ballafaqohet me një prioritet tjetër dhe të domosdoshëm siç është Covidi 19-të, i cili është i pamëshirshëm për secilin, e në veçanti për popullin e Kosovës, që për dallim nga të tjerët, është i vetmi në rajon që i mungojnë vaksinat e nevojshme, ndoshta një gjë të tillë e ka në dijeni edhe Borreli”, tha me tej ai.

Në fund, opinionisti Preqi ka theksuar se kryeministri Kurti nuk e ka aspak të lehët në këto bisedime përball Vuçiqit.

“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk e ka lehtë në këto bisedime me Vuçiqin, sepse jo që është filestar i kësaj iniciative mjaftë të rëndësishme, dhe do të ishte shumë serioz dhe i gatuar mirë rreth një çështje të tillë, por kryeministrit në fjalë i mungojnë shumë informime dhe konsulta të mëhershme dhe të detajuara, të cilat i kanë zhvilluar kryeministrat e vendit me palën serbe. Do të ishte mirë që motori i Vuçiqit, në këtë rast në Bruksel, mos të eskaloj me gaz të shfrenuar, por t’i shtohet pak vaj, në mënyrë që të zbutët dhe të mos nxehet apo të eksplodoj, sepse tani me kryeministrin Albin Kurti, do të përballet si me asnjë tjetër, i cili përmes fakteve dhe gjërave të prekshme e konkrete do të shpalos formulën e këtij dialogu”, ka deklaruar njohësi i cështjeve politike, Dedë Preqi, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat