Rreziku i ‘non-paperit’!

Politika

Rreziku i ‘non-paperit’!

Nga: A.Z Më: 27 prill 2021 Në ora: 23:41
Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj e ka paralajmëruar kryeministrin Albin Kurti se do të përballet me trazira e protesta nëse e nënshkruan formimin e “Distriktit Autonom të Kosovës Veriore” si një “non-paper” për rifillimin e dialogut dhe përmbylljen e tij me marrëveshje finale me Serbinë.
 
Ai ka thënë se nuk beson që Albin Kurti do ta nënshkruajë një marrëveshje të tillë, por në rast se ndodh një gjë e tillë do të dal vet në rrugë dhe do të protestojë kundër marrëveshjeve të dëmshme për Kosovën.

Lidhur me këtë, analisti Islam Krasniqi, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se kjo deklaratë është e drejtë, sepse do e shndërronte Kosovën në Bosnje të dytë. 

Ai thotë se nëse i'u jepet serbëve ndonjë autonomi apo të nënshkruhet një “non-paper”, më nuk do jetë funksionale asgjë.

“Deklarata e kreut të AAK-së besoj se është e drejt pasi që çdo status special për pjesën veriore do të shndërronte republikën e Kosovës në një Bosnje të dytë, duke e bërë shtet jo funksional. Ne po e shohim sa probleme po na krijon minoriteti serb me këto të drejta që i ka dhënë pako e Ahtisarit, po sikur të ju shtohen të drejtat apo t’i jepet ndonjë autonomi apo nënshkruajnë formimin e “Distriktit Autonom të Kosovës Veriore” si një “non-paper, marrëveshje të përgatitur nga Shteti Gjerman dhe ai Franceze atëherë asgjë nuk do të jetë funksionale në këtë vend”, theksoi ai.

Krasniqi shtoi se nëse ndodh një gjë e tillë, atëherë do t’i bashkohemi protestës, edhe pse, sipas tij, Kurti asnjëherë nuk do të nënshkruante këtë marrëveshje.

“Çdo marrëveshje që e copëton sovranitetin e republikës së Kosovës duhet të ndalohet sepse edhe ne do t’i bashkohemi deklaratës së liderit të AAK-së për protesta për të ruajtur sovranitetin e shtetit, edhe pse kryeministri Kurti asnjë herë nuk do të nënshkruaj një marrëveshje të dëmshme për vendin”, deklaroi Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat