"Hoti ndihmoi oligarkët e sponzorët e zgjedhjeve, gjithçka është bërë nën diktatin e Isa Mustafës"

Politika

"Hoti ndihmoi oligarkët e sponzorët e zgjedhjeve, gjithçka është bërë nën diktatin e Isa Mustafës"

Nga: H.O. Më: 28 prill 2021 Në ora: 09:23
Isa Mustafa, Avdullah Hoti

Profesori universitar dhe drejtori i Institutit për studime evropiane, Enver Bytyҫi, në një intervistë për gazetën “Bota sot” ndër të tjera ka folur edhe për keqpërdorimin e pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike gjatë pandemisë, në kohën e Qeverisë Hoti.

Bytyҫi thotë se ky është një skandal i vërtetë, pasi kjo qeveri ndihmoi oligarkët e sponzorët e zgjedhjeve. Sipas tij, kjo është bërë me udhëheqjen e Isa Mustafës.

“Në vend që të kujdesej për mjekët, infermierët, arsimtarët, për të gjithë ata që janë përballur e po përballen me pandeminë, Hoti ka shpërblyer të pasurit e Kosovës”, thotë Bytyҫi.

Sipas tij, ky veprim i Hotit ngjan me qeverisjen e Edi Ramës, për të cilin duhet të merret drejtësia dhe paratë e shtetit t’i kthehen buxhetit të Kosovës.

“Bota sot”: Lista e përfituesve nga Rimëkëmbja Ekonomike, a mund të quhet një skandal i Qeverisë Hoti?

Enver Bytyҫi: Përfituesit milionerë të qeverisë Hoti janë një skandal i vërtetë. Kjo dëshmon se ajo qeveri e zgjati jolegjitimitetin e saj deri te ndihma për oligarkët e sponsorët e zgjedhjeve. Dhe kam bindje se gjithçka është bërë nën diktatin e Isa Mustafës. E vetmja arsye pse Abdullah Hoti nuk duhej të ishte kryeministër ka të bëjë me faktin se ai ishte dhe mbetet i gatshëm t'u përulet deri te sholla e këpucës ripave të tillë si Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa. E kur një kryeministër ka një karakter të tillë, atëherë ai shndërrohet në vegël dhe jo mjet të shërimit të plagëve të vendit të tij. Si i tillë, zoti Hoti nuk ka pasur asnjë shans të vepronte ndryshe. Në vend që të kujdesej për mjekët, infermierët, arsimtarët, për të gjithë ata që janë përballur e po përballen me pandeminë, Hoti ka shpërblyer të pasurit e Kosovës. Në vend që t'u kërkonte atyre solidaritet për pjesën e dëmtuar nga kjo pandemi, biznesin e vogël e të punësuarit, u jep dhjetra milionë euro atyre që nuk kanë as nevojë, as të drejtë ta marrin këtë ndihmë. Është vërtet skandal i madh. Duhet që me këtë rast, i cili ngjan me qeverisjen e Edi Ramës, të merret drejtësia. Medoemos drejtësia. Madje duhet që me një vendim parlamenti paratë të kthehen në buxhetin e shtetit. Ai që nuk i kthen të përballet me sekuestrimin e pasurisë. Thjeshtë mund të tolerohet afati i kthimit, por kurrësesi moskthimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat