Hoti favorizoi bizneset e lidhura me Isa Mustafën dhe PDK-në, të hetohet nga prokuroria

Politika

Hoti favorizoi bizneset e lidhura me Isa Mustafën dhe PDK-në, të hetohet nga prokuroria

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 29 prill 2021 Në ora: 08:32
Ish-kryeministri i vendit, Avdullah Hoti

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati para pak ditësh ka bërë publike listën e përfituesve nga Pakoja e Rimëkëmbjes gjatë pandemisë, në kohën kur Avdullah Hoti ishte kryeministër.

Përfituesit me të mëdhenj ishin pronarë biznesesh që njihen si milionerë në Kosovë. Ndër përfituesit më të mëdhenj ishte VivaFresh, duke pasur me Ramiz Kelmendin, pronar i Kompanisë Elkos, të cilin Hoti e financoi me mbi gjysmë milionë euro apo 675 mijë e 845 euro. Po ashtu përfitues i kësaj pakoje ishte edhe Besnik Berisha, ish këshilltari i Isa Mustafës. Kompania e sigurisë ‘Balkan International SHPK’ që për drejtor dhe pronar ka Besnik Berishën ka përfituar mbi 100 mijë euro nga Qeveria Hoti.

Pas kësaj ka pasur reagime të shumta, duke e quajtur këtë një skandal të madh të Qeverisë Hoti dhe duke kërkuar nga Prokuroria që të merret me këtë çështje, pasi buxheti i Kosovës është dëmtuar shumë për të financuar ‘pasanikët’ e Kosovës, në kohën kur vendi ishte në një krizë të thellë.

Vlen të theksohet se këto kompani që kanë marrë ndihmat më të mëdha nga shteti, nuk e kanë ndalur punën në kohë pandemie.

Lidhur me këtë temë, gazeta “Bota sot” ka dërguar pyetje për Prokurorinë e Shtetit nëse kanë filluar hetime për këtë rast, mirëpo nuk kanë kthyer përgjigje.

Bytyҫi: Qeveria Hoti ndihmoi oligarkët e sponsorët e zgjedhjeve

Ndërsa, profesori universitar dhe drejtori i Institutit për studime evropiane, Enver Bytyҫi, në intervistë dhënë për “Bota sot”, ka thënë se ky është një skandal i vërtetë, pasi Qeveria Hoti ndihmoi oligarkët e sponsorët e zgjedhjeve. Sipas tij, kjo është bërë me udhëheqjen e Isa Mustafës.

Image
Profesori universitar dhe drejtori i Institutit për studime evropiane, Enver Bytyҫi

Për këtë, ai kërkon që të merret drejtësia me hetimin e këtij skandali.

“Përfituesit milionerë të qeverisë Hoti janë një skandal i vërtetë. Kjo dëshmon se ajo qeveri e zgjati jolegjitimitetin e saj deri te ndihma për oligarkët e sponsorët e zgjedhjeve. Dhe kam bindje se gjithçka është bërë nën diktatin e Isa Mustafës. E vetmja arsye pse Avdullah Hoti nuk duhej të ishte kryeministër ka të bëjë me faktin se ai ishte dhe mbetet i gatshëm t'u përulet deri te sholla e këpucës ripave të tillë si Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa. E kur një kryeministër ka një karakter të tillë, atëherë ai shndërrohet në vegël dhe jo mjet të shërimit të plagëve të vendit të tij. Si i tillë, zoti Hoti nuk ka pasur asnjë shans të vepronte ndryshe. Në vend që të kujdesej për mjekët, infermierët, arsimtarët, për të gjithë ata që janë përballur e po përballen me pandeminë, Hoti ka shpërblyer të pasurit e Kosovës. Në vend që t'u kërkonte atyre solidaritet për pjesën e dëmtuar nga kjo pandemi, biznesin e vogël e të punësuarit, u jep dhjetëra milionë euro atyre që nuk kanë as nevojë, as të drejtë ta marrin këtë ndihmë. Është vërtet skandal i madh. Duhet që me këtë rast, i cili ngjan me qeverisjen e Edi Ramës, të merret drejtësia. Medoemos drejtësia. Madje duhet që me një vendim parlamenti paratë të kthehen në buxhetin e shtetit. Ai që nuk i kthen të përballet me sekuestrimin e pasurisë. Thjeshtë mund të tolerohet afati i kthimit, por kurrsesi moskthimi”, ka deklaruar ai.

Mehmeti: Hoti dhe gjithë të përfshirët në Pakon e Rimëkëmbjes të hetohen nga prokuroria

Kurse, njohësi i çështjeve politike, Faton Mehmeti në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se përveç Hotit si ish kryeministër, duhet të hetohen të gjithë të përfshirët në Pakon e Rimëkëmbjes.

Image
Njohësi i çështjeve politike, Faton Mehmet

“Jo vetëm ish kryeministri Hoti, por të gjithë të përfshirët në dallaveret që janë bërë me Pakon e Rimëkëmbjes duhet të japin përgjegjësi, të hetohen. Problemi është se tek hetimi gjërat marrin rrjedhën jo ligjore, por politike. Kështu ka ndodhur gjithnjë dhe si e tillë kjo gjë s’ka pse të jetë ndryshe këtë radhë”, ka theksuar Mehmeti.

Sipas tij, Hoti duket se ka favorizuar bizneset që janë të lidhura me Isa Mustafën dhe PDK-në, prandaj insistonin me çdo kusht që të kalonte Pako e Rimëkëmbjes, pasi kanë pasur favore të bizneseve të tyre.

“Kështu që, duhet sa më parë të fillojnë hetimet dhe kushdo që ka qenë implikuar në dallaveret të japin përgjegjësi, pse jo edhe të shkojnë në burg. Megjithatë, me këtë sistem të drejtësisë nuk pres që drejtësia të funksionojë në këtë rast, njësoj si në rastet e më hershme”, ka vlerësuar Faton Mehmeti për “Bota sot”.

Burjani: Kjo është ҫështje e fakteve dhe ҫështje e prokurorisë

Ndërkaq, njohësi i çështjeve juridike Blerim Burjani, ka deklaruar për “Bota sot” se nëse ka fakte, kjo duhet të jetë një çështje e prokurorisë.

Image
Njohësi i çështjeve juridike Blerim Burjani

“Kjo është çështje e fakteve dhe çështje e prokurorisë, nëse veç ka ndonjë fakt edhe pse pak ka gjasa në këtë të ndodhë diҫka apo fare, nuk është shumë normale që po sa të vjen një pushtet tjetër të fillojë lufta ndaj pushtetarëve të vjetër, ose përnjëherë fillojnë t’i shkarkojnë bordet e t’i vendosin njerëzit e vet të rinj si qeveri e re e shtetit, bordet duhet të mënjanohen nga ligji, nuk ka ndonjë nevojë për një bord të tillë apo për borde mjafton një drejtor ekzekutiv që merr tërë përgjegjësinë për ndërmarrjen”, ka thënë Burjani.

Sipas tij, ‘ndërmarrjet publike duhet të privatizohen sepse po shfrytëzohen për qëllime punësimi, grabitje e parave të këtyre ndërmarrjeve dhe për punësim familjar e partiak’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat