Refuzimi i Kurtit për takimin e 11 majit, “shuplakë” për BE-në dhe Serbinë

Politika

Refuzimi i Kurtit për takimin e 11 majit, “shuplakë” për BE-në dhe Serbinë

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 29 prill 2021 Në ora: 13:47
Albin Kurti dhe Miroslav Lajçak

Takimi në mes të përfaqësuesve të Kosovës dhe të Serbisë, që pritej të mbahet me 11 maj, nuk do të mbahet.

Kjo, pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk do të marrë pjesë në atë takim.

Kurti i cili po qëndron në Bruksel, ka deklaruar se nuk do të shkojë në këtë takim të caktuar nga ana e BE-së, për të cilin nuk ka qenë i informuar.

Shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, pas takimit më Vuçiq të hënën, deklaroi se shpresonte që takimi me të dyja palët të mbahet me 11 maj.

“Unë nuk mund të marr pjesë në takim për të cilin nuk e kam konfirmuar paraprakisht pjesëmarrjen, ajo që mund të ju konfirmoj është që do të vij në Bruksel për një drekë ose darkë pune të organizuar nga Komisionari Borrell, nga mesi i muajit maj ku do të bëjnë pjesë liderët e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se bisedimet duhet të jenë të përgatitura mirë, pasi nuk ka komoditet që të ketë dështime të reja.

Refuzimi nga ana e Kurtit padyshim që ngjalli reagime të mëdha nga opinioni publik, mirëpo që i njëjti vlerësohet si i duhur nga njohësit e çështjeve politike, pasi që Kosova është shtet i pavarur dhe nuk duhet të pranojë një takim pa qenë i informuar paraprakisht.

Kelmendi: Takimet pa konsultime paraprake nuk duhet të pranohen nga pala e Kosovës

Image
Muhamet Kelmendi

Në lidhje me këtë temë, profesori Muhamet Kelmendi në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh se vendimi i Kurtit ishte i duhuri dhe një shembull që nuk duhet të pranohet asnjë takim nëse nuk pranohet nga Kosova.

Sipas tij konsultimi i njëanshëm i Borrellit me palën serbe e jo me atë të Kosovës tregon një nënshtrim dhe injorim i pozitës së barabartë.

“Parimisht është vendim i mirë dhe një shembull se si organizohen takimet midis palëve. Kjo për faktin se takimet pa konsultime paraprake nuk duhet të pranohen nga pala e Kosovës në takime me palën serbe. Vetëm konsultimi i njëanshëm i z. Borrell me palën serbe dhe caktimi i takimit, pa e konsultuar palën e Kosovës, është nënshtrim, injorim dhe denigrim i pozitës së barabartë”, u shpreh Kelmendi.

Ai ka shtuar se duhet të ndalet modeli i mëhershëm që edhe Lajçak ka përdorur, pasi që takimi duhet të jetë i konsultuar e asnjëherë i imponuar për Kosovën.

Gjithashtu ai thotë se Kosova si Republikë e ka Kushtetutën dhe ajo nuk lejon organizim tjetër politiko-organizativ e ekzekutiv.

“Ndoshta kështu është mësuar z.Borrell dhe Lajçak me takimet midis palëve në të kaluarën. Mirë është se ndalet ky trend dhe ajo që është më kryesore, është fakti, i caktimit temave në konsultim dhe jo në imponim ndaj palës së Kosovës. Po kështu duhet që nga Prishtina të sqarohet UE-së se për çka mund të dialogohet me palën serbe. Kosova si Republikë e ka Kushtetutën dhe ajo nuk lejon organizim tjetër politiko-organizativ e ekzekutiv. Shteti ynë është unitar dhe ka dy nivele që funksionojnë. Nivel tjetër të pushtetit nuk lejohet këtu në Republikë. Mbi këtë bazë përfaqësohet Kosova jashtë vendit”, ka deklaruar Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

Mehmeti: Kurti me refuzimin e tij i ka dhënë një “goditje” të fortë Serbisë

Image
Faton Mehmeti

Edhe njohësi i çështjeve politike, Faton Mehmeti, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, ka arsyetuar vendimin e Kurtit për mos pjesëmarrjen e tij në takimin për të cilin ai nuk ishte i informuar.

Sipas Mehmetit, vlen të theksohet fakti që BE po bën çmos që dialogu me Serbinë të nis sa më shpejtë mirëpo që nuk duan që të përfshihen fare SHBA-të.

“Besoj se kryeministri Kurti po përmbahet asaj që ka thënë ai, se dialogu me Serbinë nuk është në top prioritete e tij. Kështu që, nuk shoh diçka jo të papritur në këtë aspekt. Ajo që është për tu theksuar është fakti se nga BE po bëjnë çmos që ky proces të nis sa më shpejt, në mënyrë që mos të përfshihet SHBA fare. Këtë gjë e dëshiron edhe Serbia, e cila me BE ka mundur dhe mundet të manipulojë më kollaj”, ka thënë ai.

Nga ana tjetër, Mehmeti thotë se Vuçiq tashmë e di që me administratën Biden nuk do ta ketë fare të lehtë dhe për këtë arsye po mundohet që me ndihmën e BE-së të ndërmjetësojë në këtë proces.

Sipas analistit, Kurti me refuzimin e tij i dha një goditje të fortë Serbisë mirëpo edhe aleatëve të saj brenda BE-së.

“Serbia, konkretisht Vuçiq e di se me administratën Biden nuk do e ketë farë të lehtë, andaj po mundohet ta mbarojë këtë proces nën ndërmjetësimin e BE-së. Duket se këtë e ka kuptuar edhe Albini, i cili me refuzimin e tij i ka dhënë një goditje të fortë Serbisë, dhe aleatëve të saj brenda BE-së, e të cilët nuk duan ta shohin SHBA-të të përfshirë në këtë proces”, është shprehur Faton Mehmeti për “Bota sot”.

Ahmeti: Refuzimi i takimit nga ana e Kurtit, veprim i logjikshëm

Image
Hidajet Ahmeti

Kurse, analisti politik Hidajet Ahmeti për “Bota sot”, ka thënë se vendimi i Kurtit ishte veprim i logjikshëm dhe i drejtë.

Sipas tij, Kurti duhet të përfaqësojë vullnetin e popullit dhe nuk duhet të pranojë asnjë takim që mund të jetë me tendencë dhe ta dëmtoj popullin e Kosovës.

“Shteti i Kosovës është një fakt juridik i njohur ndërkombëtarisht dhe çdo tendencë për tu kthyer në pikën zero apo zbehjen e sovranitetit përmes marrëveshjeve të dëmshme është në kundërshtim me vullnetin e popullit, por edhe me drejtat ndërkombëtare. Kryeministri Kurti duhet të përfaqësoj vullnetin e popullit në mënyrën sa më të mire e të drejtë, pasi për këtë çështje ka fituar bindshëm në zgjedhjet e 14 shkurtit. Kosova është shtet me sovranitet dhe integritet sikur çdo shtet tjetër i njohur ndërkombëtarisht, por me këtë logjikë duhet të përfaqësohet në çdo nivel dialogues e aq më shumë më shtetin agresor serb”, ka vlerësuar Ahmeti.

Ai shton se Serbia i ka shkaktuar shumë dëme Kosovës si në aspektin njerëzor ashtu edhe material e që ende nuk ka kërkuar falje.

Ahmeti ripotencon se veprimi i Kurtit ishte i logjikshëm dhe se nuk duhet të vazhdojë nënshtrimi i Kosovës por të ndërtohet një logjikë reciproke.

“Serbia i ka shkaktuar shumë dëme Kosovës si në aspektin njerëzor, por edhe material e për të cilat nuk ka kërkuar as falje, por as nuk ka bërë veprime konkrete për t’i gjykuar kriminelet e luftës. Mbi këtë kontekst, mendoj se zoti Kurti ka vepruar drejt, pasi është e domosdoshme që të ndryshohet logjika dialoguese e jo të vazhdohet me logjikën e nënshtrimit. Gjykoj se marrëdhëniet e shëndosha bilateral e multilateral në mes shteteve ndërtohen vetëm logjikën reciproke e jo me logjikën nënshtruese”, ka deklaruar Hidajet Ahmeti për “Bota sot”.

Kujtojmë që kryeministri i vendit, Albin Kurti, po qëndron në Bruksel së bashku me zëvendëskryeministrin për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi dhe zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, në vizitën dy ditore atje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat